Lajme nga Fieri

Për herë të parë në Spitalin Memorial Fier, kryhet me sukses ndërhyrja e avancuar në aortë

Për herë të parë në Spitalin Memorial Fier, kryhet me sukses ndërhyrja e avancuar në aortë
FieriSot · Foto ilustruese

Për herë të parë në Spitalin Memorial të Fierit është realizuar me sukses procedura Tevar për trajtimin endovaskular akut të aortës tip B.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale e cilëson ndërhyrjen si histori suksesi dhe një tjetër hap për trajtimin e patologjive komplekse të aortës në sistemin publik shëndetësor.

“Pacientja 68-vjeçare është në gjendje të stabilizuar, pa komplikacione dhe me ecuri të mirë klinike. Një hap i rëndësishëm për trajtimin e patologjive komplekse të aortës në sistemin publik shëndetësor”, shkruan Rama.

Tevar është një procedurë minimale invazive për trajtimin e patologjive të aortës torakale, e cila realizohet përmes vendosjes së një stent-graft-i nga brenda aortës, duke përjashtuar nga qarkullimi pjesën e dëmtuar të saj.

Ndërhyrja e realizuar në Spitalin Memorial Fier shënon një zhvillim të rëndësishëm në ofrimin e trajtimeve të avancuara për patologjitë komplekse të aortës brenda sistemit publik shëndetësor.