E cilësuar si protestë kombëtare, tubimi i sotëm nuk arriti të ishte as i tillë dhe as të merrte përmasat e një proteste masive. E ndoqa nga fillimi dhe vijova ta ndjek deri në orët kur gjithçka nisi të shuhej.
Ajo që ra në sy nuk ishte madhësia e pjesëmarrjes, por pamjet që e shoqëruan: maskat, djegiet, rrëmuja dhe, mbi të gjitha, përpjekja për ta kthyer protestën në një skenë dhune e plaçkitjeje.
Përdorimi i molotovëve kundër Policisë së Shtetit ishte kulmi i kësaj sjelljeje të papranueshme. Nëse do ta vlerësoja me notë shkollore, protestës do t’i jepja një katërshe të merituar, ndërsa Policisë së Shtetit një dhjetëshe të plotë.
Në përballjen me një situatë të tensionuar, me individë të maskuar që kërkonin përplasje, policia tregoi vetëpërmbajtje, profesionalizëm dhe korrektësi. Nuk ishte një reagim i lehtë përballë sulmeve me mjete të rrezikshme, por pikërisht në këto momente matet pjekuria e një institucioni.
Policia nuk u vu në shërbim të provokimit, nuk e humbi kontrollin dhe nuk lejoi që dhuna e disa individëve të përcaktonte sjelljen e gjithë strukturës. Ky është një standard që meriton vlerësim, pavarësisht bindjeve politike të secilit.
Protesta e sotme tregoi edhe një herë se kauzat politike mund të komprometohen rëndë kur në ballë dalin maskat dhe grupet e dhunshme. Ata që kërkojnë ndryshimin e standardeve të politikës, më shumë drejtësi dhe një të ardhme ndryshe, nuk mund të identifikohen me ata që djegin, godasin dhe shkatërrojnë.
Përkundrazi, po bëhen viktima të sjelljeve të një grupi që ua zë vendin zërit dhe kërkesave të tyre.
Në këtë kuptim, refuzimi i një pjese të studentëve dhe protestuesve të tjerë për t’u identifikuar me grupet e maskuara ishte një reagim për t’u përshëndetur. Ishte një dallim i qartë mes protestës si e drejtë demokratike dhe dhunës si mjet presioni.
Një tjetër pamje që nuk mund të kalojë pa u vënë re është prania dhe përpjekja e disa deputetëve të PD-së për të marrë nën kontroll një frymë proteste që nuk u përket ekskluzivisht atyre. Protesta qytetare nuk është pronë partie, as pronë e ndonjë drejtuesi politik. Ajo humbet kuptimin kur shndërrohet në instrument të interesave të vjetra politike, ndërsa qytetarët që dalin për të kërkuar ndryshim mbeten sërish në prapavijë.
Në këto kushte, nuk shoh asnjë arsye që Edi Rama të japë dorëheqjen përballë grupeve që thyejnë, djegin dhe plaçkitin. Dorëheqja e një kryeministri nuk mund të diktohet nga molotovët dhe as nga presioni i dhunës në rrugë. Përgjegjësia politike matet në institucione, në zgjedhje dhe përballë qytetarëve, jo në numrin e maskave që dalin në shesh.
Kjo nuk do të thotë se qeveria duhet të jetë e imunizuar nga kritika apo se kërkesat për ndryshim duhen shpërfillur. Përkundrazi, Shqipëria ka nevojë për zgjedhje më të besueshme, për ndryshim të Kodit Zgjedhor dhe për një infrastrukturë zgjedhore që garanton konkurrencë të ndershme dhe barazi reale mes palëve.
Rruga e ndryshimit kalon nga vota, jo nga zjarri. Kalon nga organizimi qytetar, jo nga maskimi i fytyrës. Kalon nga një alternativë që bind njerëzit, jo nga përpjekja për t’i trembur ata. Ata që duan ndryshimin duhet të distancohen qartë nga dhuna, sepse askush nuk mund të ndërtojë demokraci duke sulmuar institucionet dhe duke shkatërruar pronën publike.
Policia e Shtetit e kaloi me sukses provën e sotme. Për këtë meriton vlerësim, ashtu siç meriton të vlerësohet drejtimi i saj nga Skënder Hita. Ndërsa për maskat, molotovët dhe vandalizmin duhet të ketë përgjegjësi të plotë ligjore. Pa tolerancë ndaj dhunës, pa justifikime politike dhe pa standarde të dyfishta.
Protesta, katër. Policia e Shtetit, dhjetë.
Maskave dhe vandalëve, përgjigjja më e fortë e mundshme e ligjit!



Leave a Reply