I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme, Richard Grenell, ka reaguar ashpër pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një postim, Grenell e cilësoi dënimin e Thaçit si “skandaloz” dhe kritikoi ashpër funksionimin e Gjykatës Speciale, duke argumentuar se vendimet e saj janë të motivuara politikisht.
“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz”, shkroi Grenell.
Ai kritikoi gjithashtu gjyqtarët dhe prokurorinë e çështjes, ndërsa përmendi edhe gjyqtarin zviceran Guénaël Mettraux, të cilin e akuzoi se ka ndikuar në proces përmes konsideratave politike.
Grenell kërkoi që gjykatave ndërkombëtare t’u ndërpritet financimi dhe bëri thirrje që Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, të ndërmarrin veprime.
“Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të marrë fund”, deklaroi ai.
Në reagimin e tij, Grenell iu drejtua edhe institucioneve të Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e Kuvendit që të veprojnë për shpërbërjen e Gjykatës Speciale.
“Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”, përfundoi Grenell.
Reagimi i plotë:
Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz. Askush nuk është i sigurt nga këto gjykata ndërkombëtare, ku elitat akademike marrin vendime politike. Këta tre gjyqtarë dhe prokurori amerikan janë të çmendur të së majtës. Ata qartazi nuk i dëgjuan këshilltarët e Bill Clintonit, të cilët e bënë të qartë se Thaçi nuk e drejtonte luftën.
Gjyqtari zviceran Guenael Mettraux ishte udhëheqësi i vërtetë, duke injoruar çështjet ligjore dhe duke zgjedhur politikën e Jack Smith.
Të gjitha këto gjykata duhet t’u ndërpritet menjëherë financimi. Departamenti i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche duhet të veprojnë shpejt. Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të marrë fund.
Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë.

