Këshilli i Ministrave miratoi sot ndërtimin e dy centraleve gjeneruese të energjisë elektrike në bashkitë Fier dhe Cërrik.
Vendimi parashikon se ndërtimi i centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse në Povelçë të Fierit, nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.
Centrali do të ndërtohet nga shoqëria “ALB ENERGY GROUP”, sh.p.k., me një kapacitet të instaluar 31 MW.
Ndërtimi dhe vënia në operim e impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndërsa afati i operimit është 49 vjet.
Shoqëria duhet t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për Energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.
Ndërsa centrali gjenerues i energjisë elektrike fotovoltaike në bashkinë Cërrik do të ndërtohet nga shoqëria “TI SOLAR POWER”, sh.p.k.
Ky central do të ketë një kapacitet të instaluar 20,5 MW dhe po ashtu me një afat operimi 49 vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Edhe shoqëria “TI SOLAR POWER”, sh.p.k., ka detyrimin që t’i japë falas, në formë “royalty”, ministrisë përgjegjëse për Energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.

