Apolonia ka një akademi që ka prodhuar rezultate. U19 e klubit është shpallur kampione e Shqipërisë në vitet 2020 dhe 2022 dhe vetë klubi e konsideron akademinë si një prej aseteve të tij kryesore.
Por pikërisht këtu lind pyetja që duhet t’u bëhet drejtuesve të Apolonisë:
Sa prej atyre djemve luajnë sot për Apoloninë?
Breza që kanë fituar titullin kampion i Shqipërisë me U19, janë larguar nga ekipi njëri pas tjetrit, ndërkohë gjatë këtyre viteve kanë ardhur në Fier kontigjente të tëra me futbollistë afrikanë, pa e ekzagjiruar mund të themi mbi 100, të cilët janë ushqyer, strehuar e stërvitur me paratë e taksapaguesve fierakë, u zunë vendin futbollistëve vendas dhe largohen pa nam e nishan.
Futbollistë të cilët për hir të së vërtetës, kanë qenë shumë më poshtë nivelit të lojtarëve të larguar, dhe ky eshte nje fakt, ekipi u19 i Apolonisë i përbërë me rreth 80% futbollistë të huaj, pas shumë vitesh në Superiore u rrëzua në Kategorinë e Parë gjatë sezonit të fundit.
Nuk është kritikë ndaj futbollistëve të huaj. Një klub mund dhe duhet të afrojë lojtarë nga jashtë kur ata sjellin cilësi, eksperiencë dhe ndihmojnë ekipin të rritet.
Por kur një klub ka një akademi që prodhon kampionë dhe njëkohësisht kalon vazhdimisht nga një kontingjent të huaj te tjetri, atëherë është paaftësi, mungesë vizioni, ose dashakeqësi ndaj futbollistë fierakë dhe qytetit të Fierit.
Drejtuesit dhe presidenti Koço Kokëdhima duhet t’i japin një përgjigje qytetit:
Ku janë sot kampionët e Apolonisë?
Sepse nëse pas kaq vitesh nuk ka mbetur asgjë nga ata breza, atëherë dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë dështim.

