Një zjarr masiv ka përfshirë mesditën e sotme kodrat me ullishte në Gorishovë të njësisë administrative Cakran, në bashkinë Fier. Të favorizuara nga era, flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë me shkurre, ullishte dhe masiv pyjor, duke alarmuar banorët e zonës.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë me vështirësi për shkak të terrenit të thyer për neutralizimin e vatrës së zjarrit. Fatmirësisht, flakët ndodhen larg zonës së banuar.
Kjo është ngjarja e dytë brenda pak orësh, pasi një tjetër zjarr masiv përfshiu ditën e djeshme kodrat e Kreshpanit po në zonën e Cakranit, duke shkrumbuar rreth 2 000 rrënjë ullinj dhe një sipërfaqe të konsiderueshme me pyje e shkurre.

