MIÇO KALLAMATA – Nder i Qytetit të Fierit(1922 – 2006)
Miço Kallamata lindi më 27 Tetor 1922 në Fier. Ishte ende shumë i ri kur iu desh të punonte në puset e naftës në Kuçovë, duke ndjerë peshën e padrejtësive shoqërore dhe varfërisë. Si shumë të rinj të kohës iu bashkua lëvizjes anti – fashiste.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore Miço Kallamata, ende 23 vjeç, mbante gradën “Major” dhe gjashtë dekoratat më të larta të akorduara nga Ushtria Shqiptare: Urdhëri i “Flamurit”, Urdhëri “Ylli Partizan”, Urdhëri i “Trimërisë”, Medalja e “Trimërisë”, Medalja e “Çlirimit”, Medalja e “Kujtimit”.
Në vitin 1946 Miço Kallamata emërohet atashe ushtarak në ambasadën shqiptare në Beograd. Ai fliste dhe lexonte lirshëm në Anglisht, Italisht e Rusisht dhe Serbo- Kroatisht.
Në 1948 ai u tërhoq në jetën civile në funksionin e zv/kryetarit të Komitetit të Kulturës dhe Arteve.

Dy vite më pas u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Pyjeve në Ministrinë e Bujqësisë. Gjatëqëndrimit për 16 vjet si Drejtor i Përgjithshëm i Pyjeve iu përkushtua ngritjes dhe vendosjes së një sistemi tërësor për mbrojtjen në mënyrë shkencore të pyjeve, kullotave,florës e faunës në Shqipëri.
Ai grumbulloi rreth vetes kuadro të përgatitur e të aftë, pavarësisht prejardhjes së tyre klasore dhe vuri në jetë përvojat më të përparuara europiane të kohës.
Ai inicoi krijimin e pyjeve të reja me anë të mbjelljeve masive si dhe këmbënguli në zbatimin me rreptësi të rregullave për shfrytëzimin e pyjeve ekzistues.
Në vitin 1975, ai u tërhoq përfundimisht nga veprimtaria administrative, duke iu përkushtuar pasionit të tij të vërtetë, letërsisë. Këtë profesion e ushtroi në qytetin e Korçës deri më 1988, kur u rikthye në Tiranë dhe doli në pension.
Miço Kallamata vdiq më 17 Janar 2006. Pavarësisht veprimtarisë dhe punës në fusha të tjera, pasioni i vërtetë i Miço Kallamatëska qënë gjithmonë letërsia, në të cilën spikati me vjersha, tekste këngësh partizane, skeçe, drama e tregime.
Një pjesë e krijimtarisë së Miço Kallamatas është përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaj si rusisht, bullgarisht, etj.
✅Miço Kallamata është shpallur “Qytetar Nderi” i Fierit dhe një rrugë në këtë qytet mban emrin e tij.

