Parku fotovoltaik i Karavastasë, vepra gjeneruese më e madhe në vend e energjisë diellore është stakuar për shkak të përmbytjes masive.
Në videon e mëposhtme pamjet tregojnë se uji ka vërshuar në të gjithë territorin e parkut diellor të kompanisë franceze Voltalia.
Stakimi i parkut është bërë pasi uji arriti në afërsi të paneleve.
Ndonëse këto të fundit kanë një lartësi prej 1.5 metër nga toka, uji ka arritur deri në 1.2 metër.
Tashmë inxhinierët e Voltalias janë duke bërë vlerësimin e dëmeve, ndërkohë që impianti pritet të vihet sërish në punë pas një jave.
Parku fotovoltaik i Karavastasë ka një fuqi të instaluar prej 140 MW. Kjo vepër ka kushtuar rreth 140 milionë euro dhe është ndërtuar nga gjigandi francez Voltalia.
Ndërtimi i impiantit gjenerues të Karavastasë zë fill në vitin 2020, kur qeveria shqiptare e prokuroi këtë vepër përmes një ankandi.
Voltalia u shpall fituese në ankandduke ofruar një çmim të shitjes së energjisë për shtetin 24.89 euro për mega.
Sipas marrëveshjes shteti ble automatikisht gjysmën e energjisë së prodhuar nga ky impant për çmimin 24.89 euro për mega, ndërkohë që Voltalia ka të drejtë që gjysmën tjetër ta shesë në treg të lirë.

