Home Lajme nga Fieri Vetëm 16 vjeç dhe titullar, Alvin Mahmutaj i Apolonisë kërkohet nga Anderleht

Vetëm 16 vjeç dhe titullar, Alvin Mahmutaj i Apolonisë kërkohet nga Anderleht

947

Apolonia ka treguar prej vitesh se di të vlerësojë futbollistët e rinj, duke nxjerrë në pah talentin e tyre dhe duke i shndërruar më pas në burim të rëndësishëm financiar për klubin. I fundit që mishëron filozofinë e klubit fierak është sulmuesi 16-vjeçar Alvi Mahmutaj.

I lindur më 20 qershor 2009, Mahmutaj ka marrë këtë sezon rolin e titullarit në repartin ofensiv të Apolonisë, pavarësisht moshës shumë të re. Trajneri Marko Jovanoviç e ka paralajmëruar prej kohësh se në skuadrën e tij po rritet një talent i futbollit shqiptar me perspektivë të madhe, një lojtar që pritet të dëgjohet edhe në arenën ndërkombëtare.

Duket se perceptimi i teknikut serb nuk ka qenë aspak i gabuar, pasi tashmë Mahmutaj ka rënë në radarët e disa klubeve europiane. “Panorama Sport” mëson në mënyrë ekskluzive se një nga klubet më të interesuara për shërbimet e 16-vjeçarit është gjiganti belg Anderleht.

Madje, skautët e këtij klubi kanë qenë të pranishëm në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë të zhvilluar në Rrogozhinë mes Egnatias dhe Apolonisë.

Interesimi i Anderlehtit për Mahmutajn është konkret dhe intensiv.

Klubi belg e sheh atë si një sulmues të së ardhmes dhe dëshiron ta bëjë pjesë të projektit të tij afatgjatë. Kjo ka hapur tashmë rrugën për bisedime mes dy klubeve, me qëllim shqyrtimin e kërkesës dhe ofertës.

Për Apoloninë, Mahmutaj shihet si një “Myrto Uzuni i ri”, duke qenë se klubi fierak vijon të përfitojë financiarisht nga transferimet e sulmuesit beratas.

Megjithatë, rasti i Mahmutajt është edhe më specifik, pasi Apolonia ka mundësinë të jetë “dorë e parë” në shitjen e tij jashtë vendit, ndryshe nga Uzuni që u transferua fillimisht nga Laçi.

Në këtë sezon, Alvi Mahmutaj është aktivizuar në 15 ndeshje kampionati me Apoloninë dhe në tri takime të Kupës së Shqipërisë, ku ka arritur të shënojë edhe një gol.

PANORAMASPORT.AL