Home Aktualitet Vrasja e Liridona Ademajt, dënohen me burgim të përjetshëm ish-bashkëshorti dhe autori...

    Vrasja e Liridona Ademajt, dënohen me burgim të përjetshëm ish-bashkëshorti dhe autori i vrasjes

    Naim Murseli dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023, ndërsa Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vjet burgim.

    Vendimi u bë i ditur sot nga kryetarja e trupit gjykues, Fatmire Dërmaku.

    Në fjalën përfundimtare, prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, kishte kërkuar burgim të përjetshëm për të tre të akuzuarit, duke e cilësuar vrasjen si të planifikuar. Të njëjtën kërkesë e kishte paraqitur edhe vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, si dhe avokati i familjes, Leutrim Syla.

    Nga ana tjetër, mbrojtja e të akuzuarve kishte kërkuar që vendimi i gjykatës të mbështetej në prova dhe të ishte i drejtë.

    Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, ku Liridona Ademaj u vra teksa ndodhej në veturë së bashku me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, dhe dy fëmijët e tyre.

    Sipas aktakuzës, Murseli e kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro.

    Po sipas aktakuzës, Kushtrim Kokalla kishte ndërmjetësuar njohjen mes Murselit dhe Granit Plavës, i cili akuzohej si autor i drejtpërdrejtë i vrasjes. Prokuroria ka pretenduar se krimi ishte kryer kundrejt një pagese prej 30 mijë eurosh, të premtuar nga Murseli.

    Çfarë thanë para gjyqit Naim Murseli dhe të tjerët?

    Në të dy deklarimet për akuzat që e ngarkojnë, Murseli ka mohuar fajësinë për vrasjen e Ademajt, duke thënë se nuk ka paguar, porositur apo ndihmuar në vrasjen e bashkëshortes së tij.

    Ai pretendon se natën kritike familja ishte përballur me një grabitje, dhe se ai nuk ka qenë në veturë në momentin e vrasjes, duke e quajtur çdo akuzë ndaj tij si të pavërtetë.

    Ndërsa Plava nuk ka pranuar të deklarohet rreth fajësisë, por gjatë dëshmisë së tij ai ka thënë se veprimet i kishte bërë sipas marrëveshjes me Murselin, që ky vetëm ta merrte përgjegjësinë për rastin.

    Ai pretendon se në momentin kritik vetëm dëgjoi krismën, dhe më pas iu tha të largohej nga vendi i ngjarjes, bashkë me armën që ishte kryer vrasja, duke pohuar se më pas kishte ikur me shpejtësi.

    Kokalla, fillimisht s’kishte pranuar të deklarohej, më vonë gjatë shqyrtimit ishte deklaruar i pafajshëm për rastin.

    Gjatë dëshmisë së tij, ai ka mohuar përfshirjen në krim, duke theksuar se për ngjarjen kishte mësuar fillimisht nga mediat.