
Ditën e shtunë, dt. 6 maj 2026, Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut, organizoi me pjesëmarrjen e anëtarëve dhe veprimtarëve të saj në qytetin e Patosit, një aktivitet të veçantë. I tillë ishte prezantimi i librit “Yje të Lirisë” II, të autorit Sokrat Ikonomi, së bashku me përkujtimin e figurës së dëshmorit Ismail Xhelaj.
I shpallur Dëshmor i Atdheut në vitin 1946 por i papërmendur si i tillë për shumë vite, rasti i Ismail Xhelajt, do të evidentohej vetëm disa kohë më parë. Me këmbënguljen e vazhduesme të familjes dhe interesimin e strukturave vendore të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, të Fierit dhe Patosit, një gjë e tillë do të korigjohej dhe vihej në vend. Së fundmi, emri dhe jetëshkrimi i tij së bashku me biografitë e dëshmorëve të tjerë të Bashkisë Patos, do të përshihej në librin “Yje të Lirisë” II, botim i vitit 2026. Pikërisht për brendinë e këtij vëllimi dhe punës studimore të zhvilluar rreth tij, do të fliste autori Sokrat Ikonomi. Në ligjëratën e mbajtur me këtë rast ai do të ndalej kryesisht te kujdesi i treguar për burimet dhe referencat e shumta historike, nëpërmjet një veprimtarie të gjerë të zhvilluar në arkivat qëndrore dhe lokale. Po kështu, autori, do të falenderonte në mënyrë të veçantë edhe bashkëpunëtorët që ndihmuan në procesin e shkrimit dhe botimit të këtij vëllimi. Midis të tjerave, Sokrat Ikonomi, shprehu edhe merakun rreth shpërdarjes së librit, që ai të shkonte drejtëpërdrejtë në dorën e lexuesit apo bibliotekat e institucioneve kulturore dhe arsimore të kësaj bashkie. Më pas, fjalën do ta merrte kryetari i degës lokale të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, z. Novrus Toska. Në ligjëratën e tij ai do të trajtonte një panoramë përmbledhëse të ngjarjeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në hapësirën e Bashkisë Patos. Në fund, Novrus Toska, do të ndalej edhe në rastin e dëshmorit Ismail Xhelaj nga Rërësi, si një prej veprimtarëve dhe luftëtarëve të rezistencës antifashiste, rënë heroikisht në Luftën e Ruzhdijes, më 13 mars 1943. Në fjalën e tij historiani Ilirjan Gjika, pjesëmarrës në aktivitet, do të theksonte vlerat dokumentare dhe studimore të librit “Yjet e Lirisë” II. Ai do të përmendte dhe citonte edhe disa nga statistikat e veçanta të këtij vëllimi, si dhe literaturën dhe referencat e shumta në të cilat është mbështetur autori. “Ky almanak si pjesë e një kolane prej tre vëllimesh me biografitë e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për bashkitë Fier, Patos dhe Roskovec, është një vlerë e shtuar që pasuron bibliotekat tona dhe ndihmon për të njohur më mirë historinë e kësaj periudhe”, u shpreh midis të tjerave ai. Më pas, Ilirjan Gjika, do të ndalej edhe në historinë e dëshmorit Ismail Xhelaj, pjesë tashmë e këtij libri. Ndërkohë si përfaqësues i familjes Xhelaj, përshëndeti z. Edmond Baçi. “Në emër të familjes dhe si nip i dëshmorit, dëshiroj tju falenderoj për organizimin dhe pjesëmarrjen në këtë ceremoni të veçantë, që pa angazhimin tuaj nuk mund të zhvillohej. Emocionet janë të natyrshme sepse mezi e kemi pritur këtë ditë, kur më në fund edhe gjyshi ynë do të prehet i qetë, pasi kontributi dhe sakrifica e tij në shërbim të atdheut, u shpërblyen në mënyrë fisnike. Një gjë e tillë në sajë të punës së palodhur të strukturave të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, dhe në mënyrë të veçantë të zotërinjve: Sokrat Ikonomi dhe Novrus Toska”, do të shprehej midis të tjerave ai. Në fund të pranishmit dëgjuan edhe përshëndetjet e z. Vangjel Ndreka, nënkryetar Komitetit të Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, dega Fier, të z. Harun Nazëraj, kryetar i Komitetit të Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, dega Patos, si dhe të oratorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në këtë aktivitet. Ndërkohë piktori i njohur Gëzim Hajdini do ti dhuronte familjes me këtë rast edhe një portret të punuar mjeshtërisht, të Dëshmorit të Atdheut Ismail Xhelaj.








