Pogradeci u shndërrua mbrëmjen e së shtunës në qendrën e bukurisë shqiptare, ku u zhvillua finalja e spektaklit “Miss Shqipëria 2026”.
Në një skenë të ngritur buzë liqenit të Ohrit, 25 finaliste nga mbarë trojet shqiptare parakaluan përpara publikut dhe jurisë, duke sjellë elegancë, vetëbesim dhe personalitet në garën për kurorën më të rëndësishme të bukurisë në vend.
Pas një mbrëmjeje të mbushur me emocione dhe performanca artistike, juria shpalli fituese të këtij edicioni vajzën nga Fieri, Paola Avdylaj, e cila u kurorëzua Miss Shqipëria 2026.

Në vendet e tjera të nderit, Alesia Sureli u vlerësua me titullin Miss International, ndërsa Enxhi Sterkaj u shpall Miss Earth. Juria ndau gjithashtu edhe titujt e shoqërueseve: Sindi Kuçi u shpall Shoqëruesja e Parë, ndërsa Alisa Zeneli Shoqëruesja e Dytë.

Mbrëmja gala u shoqërua edhe me performanca të artistëve të njohur shqiptarë, mes tyre Devis Xherahu, Fisnikët, Stresi, Stine dhe Stenaldo, të cilët sollën atmosferë festive dhe ritëm për publikun e pranishëm.

Spektakli përmbylli me sukses një tjetër edicion të rëndësishëm të konkursit “Miss Shqipëria”, duke i shtuar historisë së tij një kapitull të ri në zemër të Pogradecit.





