Në ditën e dhjetë të protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” me thirrjet e zakonshme për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve dhe kundër shitjes së pasurive kombëtare.
Pas grumbullimit në shesh, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u rigrumbulluar përpara Kryeministrisë.
Aktivisti Alben Kola bëri thirrje për t’iu bashkuar protestës së banorëve të Rrjollit në datën 13 qershor pasi sipas një protestuesi, aty janë vendosur gardhe të rinj.
“Nga Zvërneci deri në Rrjoll, sot Shqipëria po thotë boll”, ishte thirrja më e re e protestës.
Në pritje që më shumë qytetarë t’i bashkoheshin protestës, përfaqësuesi i grupit koordinues tha se protesta nuk është vetëm për flamingot, por edhe për 1001 hallet që ka populli shqiptar.
Ndaj sot, sipas tij, bashkohet në protestë edhe flamuri amerikan.
Marshimi nisi, sipas thirrjes së grupit koordinues, me gratë dhe fëmijët në krye.
Ndërsa u mblodhën para Kryeministrisë, kanë nisur dhe fjalimet 3-minutëshe. Përfaqësuesja e grupit koordinues tha se në shesh nuk janë 2 mijë persona, por është e gjithë rinia shqiptare.
“Shqiptarët janë bërë bashkë për të shpëtuar vendin nga të gjitha padrejtësitë e shumë viteve, ndërsa shumë të rinj jetojnë jashtë se nuk kanë gjetur mundësi në vendin e tyre”, tha ajo, ndërsa vuri theksin se në protestë janë pa parti politike.
Një protestuese tjetër foli për Rrjollin pasi prej katër muajsh proteston atje. “Rrjolli nuk është kundër investimeve por kundër grabitjes së pronave.
Është prej korridoreve ekologjike më të rëndësishme të BE dhe I bëj thirrje BE të kthejë sytë nga Rrjolli”, tha protestuesja Luçiana Kokaj.
Sipas saj, janë 180 specie zogjsh që shtegtojnë e kanë ndalesën e tyre në Rrjoll që është zonë e mbrojtur.
Sipas saj, dje banorët janë zgjuar me tokën e tyre të rrethuar me tela me gjemba.
Një tjetër protestues duke folur në protestë tha se porti i Durrësit është krim shtetëror. Një ish-student pjesëmarrës në protestat e studentëve ngriti pyetjen se pse 35 vite me të njëjtat premtime asgjë nuk është realizuar.“Kanë krijuar një komunizëm hibrid, kanë çdo gjë në dorë dhe nuk e lëshojnë pushtetin sepse nëse mbaron tranzioni kanë frikë të japin llogari”, tha ai.
Sipas tij, kërkohet system i ri ku njerëzit të kenë besim të drejtësia dhe te njëri-tjetri.Një vajzë e ardhur nga jashtë për të folur në protest iu drejtua protestuesve si fytyra e Shqipërisë së re.
Sipas saj, ky është moment historik pasi për herë të parë pas 35 vitesh shqiptarët bashkohen pa dallim partie dhe tregojnë se nuk nëpërkëmben nga askush.
Protestues të tjerë kërkuan shpjegime se si po bëhet vlerësimi i ndikimit në mjedis pa pasur project për ndërtim në Zvërnec.
Njëri prej tyre u ndal te kërkesa për negociata, duke thënë se nuk ka negociata me Kryeministrin Rama. Të tjerë kërkuan lidhjen e besës për mbrojtjen e të gjitha zonave natyrore në Shqipëri.
Protestuesit thirrën në kor edhe UÇK ndërsa fjalën e mori një aktivist që nga Mallakastra shkoi në Kosovë kur atje ishte nevoja.
“Mos na detyroni të ndërmarrim hapa që nuk duam t’i marrim”, tha ai duke iu drejtuar politikanëve duke thënë se ata kanë tradhtuar vendin.
Sipas tij, duhet t’ia lënë vendin një qeverie teknike.Në rast të kundërt, tha ai, këto protesta do përshkallëzohen dhe nuk do të jenë më kaq paqësore.
Një nxënëse e 9-vjeçares tha se ndodhet në protestë se e do vendin. “Duam më të mirën për të ardhmen tonë”, tha ajo.
Aktivisti Gent Progni tha se protestuesit nuk do të lodhen. “Kjo protestë është dhe për SPAK e gjykatat të hetojnë e të fusin kriminelët në burg”, tha ai. Ai u bëri thirrje bizneseve të vogla të mbyllin qepenat dhe të bashkohen me protestën.
Po ashtu, Progni tha se institucionet duhet të rrinë larg protestuesve dhe të mos bëjnë presion.
Nesër është paralajmëruar protestë mbarëkombëtare që u cilësua nga të pranishmit si “Besëlidhja e Tiranës 2026”.
Pas fjalimeve protestuesit nisën marshimin drejt bulevardit dhe rrugëve të tjera të Tiranës.





