Home Aktualitet  Rama: Të ndalohet aktiviteti i AKU-së, më shumë dëmton se bën mirë

     Rama: Të ndalohet aktiviteti i AKU-së, më shumë dëmton se bën mirë

    Kryeministri Edi Rama, ka mbajtur fjalinë përmbyllëse pas dialogut “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural”, të zhvilluar mes fermerëve dhe sipërmarrësve në sektor. Qëllimi i këtyre diskutimeve, lidhet me nevojën për një urë të re komunikimi të fermerëve dhe sipërmarrësve, në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë më 2030 në Bashkimin Evropian.

    Na ndiqni në Instagram

    Rama u shpreh se aktiviteti i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, duhet të pezullohet në vendin tonë. Kreu i qeverisë tha se AKU-ja më shumë dëmton konsumatorët shqiptarë se sa u bën mirë.

    “Duhet menjëherë të pezullohet veprimtaria e AKU-s. AKU-ja duhet ndaluar me urgjencë që të vazhdojë të veprojë, sepse më shumë sesa mirë, bën dëm”, tha ai.

    Rama u shpreh se duhet ngritur një komision i posaçëm për të verifikuar të gjithë veprimtarinë e burimeve njerëzore të AKU.

    “Duhet pezulluar AKU-ja, duhet ngritur një komision i posaçëm për të marrë në analizë të gjitha burimet njerëzore të AKU-s, dhe procesi i bashkimit të atyre inspektoriateve të ndryshme, duhet të kalojë në një proces i seleksionimit të burimeve njerëzore që do të merren me inspektimet”, tha më tej.

    Kreu i qeverisë u shpreh se pjesë e këtij komisioni të posaçëm, duhet të jetë Universiteti Bujqësor i Tiranës.

    “Këtu në komision duhet të jetë pjesë, duhet të ftohet që të jetë pjesë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, për të bërë një vlerësim serioz të burimeve njerëzore”, tha Rama.

    Për kryeministrin, AKU-ja ka sjellë shqetësime jo vetëm për konsumatorët, të cilët janë përballur shpesh herë me produkte jo cilësore dhe që ndikojnë menjëherë në shëndetin e tyre, por gjithashtu dhe për të gjithë sipërmarrësit e të gjithë ata që janë pjesë e sektorit të bujqësisë.

    “AKU-ja, është shqetësimi më i madh, në vend se tëjetë partneri më i madh e i rëndësishëm. Është shqetësimi më i madh i gjithë sipërmarrësve, që janë në sektorin e bujqësisë. Por, është shqetësim edhe për të gjithë restorantët, për të gjitha kafenetë.

    Më shumë se sa bën mirë, bën dëm”, tha ai.

    Rama pati thirrje dhe për ministrin e Financave, Petrit Malaj, që ishte pjesë e diskutimeve aty. Kreu i qeverisë i tha Malajt që të nxirret menjëherë vendimi i pezullimit të veprimtarisë së AKU-së.

    “Kështu, AKU-ja, ministri, duhet nxjerrë vendim pezullimi i veprimtarisë së AKU-së. Totalisht. Nuk duhet më të dalë!”, përmbylli Rama në lidhje me AKU-në.