Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier zhvilloi në datë 11.05.2026 analizën vjetore për veprimtarinë e saj gjatë vitit 2025.
Në analizë morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm, z.Olsian Çela, Zv.Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Erind Gërmenji, Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, z. Genti Xholi, Zv.Kryetari i Gjykatës, z. Noel Veizi, Drejtuesi i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier Erion Ahmeti, Kryetari i Dhomës së Avokatisë Fier, Z. Ermal Hamataj, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera në nivel vendor dhe qendror.
Gjatë diskutimit mbi performancën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier gjatë vitit 2025, u vunë në dukje arritje të rëndësishme që lidhen me hetimin me sukses të veprave penale kundër jetës dhe shëndetit, zbatimin me sukses të ligjit “Antimafia”, duke u bërë sekuestrime dhe konfiskime në vlera të konsiderueshme, uljen e numrit të kërkesave për caktimin e masës së sigurimit “arresti në burg”, duke shkuar në 40% të numrit të përgjithshëm të kërkesave për caktimin e masave të sigurimit, nën mesataren e vendit; përfundimi i më shumë çështjeve se sa janë mbartur për vitin pasardhës, ku numrin më të madh e zëna ato të dërguara për gjykim; si dhe respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të personave nën hetim e të subjekteve të tjerë procedurale.
Në arritjet e mësipërme rol të rëndësishëm ka pasur bashkëpunimi me Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera hetimore, të cilave ligji u njeh atributet e policisë gjyqësore.
Megjithatë, u evidentuan problematika që lidhen me procedime penale të mbartura prej shumë vitesh, hetimet që lidhen me veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, ambientet e punës, si dhe rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore.
Prioritetet kryesore ngelen:
• Forcimi i luftës kundër kriminalitetit, përmes hetimit me përparësi të veprave penale kundër pasurisë, ato në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit, abuzimit me detyrën të nëpunësve shtetërorë, krimet e rënda, veprat penale kunder jetës, shëndetit, kundër rendit dhe sigurisë publike, krimet seksuale, veçanërisht ndaj të miturve, trafiqet e paligjshme, krimet në fushën e mjedisit, krimet në familje, krimet kundër narkotikëve, krimet kibernetike dhe çdo lloj forme tjetër krimi që konsiderohet shqetësuese për komunitetin ku ushtrojmë detyrën.
• Shtimi i aplikimit të masave ndaj pasurisë me burim kriminal, në pëputhje me kushet dhe kriteret e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe ligjit nr. 10192/2009, i ndryshuar.
• Garantimi i respektimit të të drejtave dhe garancive procedurale të subjekteve të përfshirë në një çështje penale, si dhe me fokus mbrojtjen e të drejtave të viktimës së veprës penale.
• Rritja e funksionit drejtues dhe kontrollues të prokurorit në hetimet paraprake të kryera nga policia gjyqësore. Kjo edhe nëpërmjet ndërgjegjësimit të policisë gjyqësore për rolin dhe veprimet e tyre në një procedim penal.
• Rritja e numrit të procedimeve penale të regjistruara kryesisht, me iniciativë të prokurorëve.





