
Ka përfunduar java e parë e kampit veror në Qendrën Sociale Murialdo në Fier, i cili ka sjellë shumë gëzim, emocione të bukura dhe buzëqeshje në fytyrat e fëmijëve.

Rreth 220 fëmijë të grupmoshave 5–14 vjeç janë përfshirë në aktivitete të larmishme, edukative, argëtuese dhe plot ngjyra.
Për mbarëvajtjen e kampit kujdesen rreth 40 animatorë të trajnuar, të cilët, me përkushtim, kreativitet dhe energji pozitive, krijojnë çdo ditë një atmosferë të ngrohtë, të sigurt dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët.

Programi i kampit ndërthur aktivitete të ndryshme, si: trajtimin e temave sociale, krijimin e produkteve nga fëmijët mbi temat ditore, lojëra në grup, lojëra me ujë, kërcime, bans-a, piktura dhe aktivitete të tjera krijuese.
Në qendër të gjithë këtij programi qëndron një vlerë shumë e rëndësishme: gjithëpërfshirja.Ky kamp synon të krijojë një hapësirë ku çdo fëmijë të ndihet i pranuar, i vlerësuar dhe pjesë e grupit, duke përfshirë edhe fëmijë dhe grupe më vulnerabël të shoqërisë.

Përmes lojës, bashkëpunimit dhe edukimit, fëmijët mësojnë të respektojnë njëri-tjetrin, të ndajnë emocione, të krijojnë miqësi dhe të ndërtojnë kujtime të bukura.
Qendra Sociale Murialdo prej rreth 30 vitesh zhvillon aktivitete të tilla në shërbim të fëmijëve, të rinjve dhe komunitetit.
Megjithatë, ky vit është i veçantë për disa arsye: së pari, për numrin e lartë të fëmijëve pjesëmarrës; së dyti, për gjithëpërfshirjen e gjerë të grupeve të ndryshme të shoqërisë; dhe së treti, për rolin e rëndësishëm të animatorëve socialë të trajnuar.

Falë trajnimit të grupit të animatorëve socialë, Qendra Sociale Murialdo është ndër qendrat e para në qarkun e Fierit që trajnon të rinj në fushën e animimit social, duke krijuar aktivitete që ndërthurin traditën, metodat moderne dhe kreativitetin e të rinjve.

Kampi veror “Së bashku për gjithëpërfshirjen” është më shumë se një aktivitet veror. Ai është një rrugëtim drejt shpresës, një hapësirë ku fëmijët rriten me dashuri, mësojnë përmes lojës dhe përjetojnë gëzimin e të qenit së bashku.
Një falënderim i veçantë shkon për Qendrën Sociale Murialdo, animatorët, familjet dhe të gjithë ata që kontribuojnë për ta bërë këtë kamp një eksperiencë kaq të bukur dhe kuptimplotë për fëmijët e Fierit.





