Një ushtar i Forcave të Armatosura është plagosur në Mirditë, teksa po furnizohej me ujë një automjet zjarrfikës që po merr pjesë në operacionin për shuarjen e zjarreve.
Gjatë procesit, ka plasur tubi me diametër 120 milimetra, i pajisur me kokë metalike. Presioni ka shkëputur pjesën metalike, e cila ka goditur ushtarin, duke i shkaktuar dëmtime.
Ushtari është marrë menjëherë në kujdes dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Ngjarja ka ndodhur gjatë operacioneve intensive për përballimin e situatës së zjarreve në territorin e Mirditës.
Reagimi i ministrise se Mbrojtjes:
Në operacionin e Forcave të Armatosura në Mirditë për shuarjen e zjarreve, një prej efektivëve A. K. është dëmtuar gjatë procesit të furnizimit me ujë të mjetit zjarrfikës.
Efektivi i lënduar është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës, në Tiranë, ku po merr aktualisht trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Efektivi i FA po ndiqet nga mjeku neurokirurg dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë qëndrimit në Spitalin e Traumës, efektivi është vizituar nga Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjenerallejtënant Arben Kingji, të cilët janë interesuar menjëherë nga afër për gjendjen e tij shëndetësore.
Ministria e Mbrojtjes vijon të ndjekë nga afër gjendjen shëndetësore të efektivit dhe t’i qëndrojë pranë në këtë situatë.

