Aktualitet

Tre të rinj me origjinë shqiptare humbën jetën në Athinë, reagon MEPJ

Tre të rinj me origjinë shqiptare humbën jetën në Athinë, reagon MEPJ
FieriSot · Foto ilustruese

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi sot, me një deklaratë publike, lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur në Athinë, ku humbën jetën gjashtë shtetas, mes tyre tre me origjinë shqiptare.

“Jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja tragjike e jetëve pas shpërthimit dhe shembjes së ndërtesës në Athinë, ku raportohet se mes viktimave ka edhe tre persona me origjinë shqiptare”, thuhet në deklaratë.

MEPJ shpreh ngushëllimet e rastit për familjet dhe të dashurit e të gjithë atyre që humbën jetën, ndërsa theksohet se “jemi pranë tyre në këtë dhimbje dhe u urojmë të plagosurve shërim të shpejtë e të plotë”.

“Kjo tragjedi e prek thellë Shqipërinë. Ne e ndajmë dhimbjen me familjet e prekura dhe shprehim solidaritetin tonë me fqinjët tanë grekë dhe me popullin amerikan”, vijon deklarata.

Gjashtë persona humbën jetën sot si pasojë e shpërthimit të fuqishëm që ndodhi një ditë më parë në zonën e Plakës, në qendër të Athinës, sipas medieve greke.

Mes viktimave ishin edhe tre shtetas shqiptarë, Florin Hoxha, motra e tij, Florida Hoxha dhe bashkëshortja e tij, Eris Cani. Mes viktimave është edhe bashkëshorti i Florida Hoxhës, Ian Alexander Kirpatrick, shtetas amerikan, si dhe Edmond Hings e Athina Papapresku, pronarët e ndërtesës.

atsh