Opinion

Askush nuk ka të drejtë të gërricë paqen fetare në Shqipëri! – Nga Mentor Kikia

Askush nuk ka të drejtë të gërricë paqen fetare në Shqipëri! – Nga Mentor Kikia
FieriSot · Foto ilustruese

Një diplomat amerikan, i dërguar Special për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, trazoi sërish ujërat në diskutimin që duket e zhduket, rreth të ashtuquajturit projekt për një shtet bektashi.

“Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin. Komuniteti ndërkombëtar duhet të respektojë vullnetin e popullit shqiptar” – ka thënë ai pasi një vizite në Kryegjyshatë.

Njerëzit vendosin vetëm me referendum për një çështje.

Por cila është çështja këtu?

Përse duhet të thërritet populli të votojë “Po”, “Jo”, për një Shtet Bektashi?

Kundërshtia me Kushtetutën është një gjë thelbësit e rëndësishme.

Por, edhe arsyetimi logjik, është po kaq i rëndësishëm.

E kujt ishte ideja? Përse duhet? Çfarë do të përmirësojë në klimën e mrekullueshme fetare në vend?

A ka interesa të tjera në këtë projekt që duan të përdorin fenë si instrument?

A ka njerëz që nuk ua ndjen as për fenë e as për paqen fetare, por mund t’u interesojë vetëm një “territor ekstra” që të ketë një “Bankë” dhe një “Pasaportë” jashtë juridiksionit të shtetit shqiptar?

Mund të hipotezojmë shumë arsye se përse lindi ideja dhe mbahet gjallë akoma, derisa nuk e dimë arsyen e vërtetë.

Por ajo që dimë me saktësi është se këtu nuk ka asnjë problem, po fare, që të mund të diktojë nevojën për një lëvizje të tillë.

Ndaj, kushdo që jep mend për këtë punë, i dërguar apo misionar amerikan, gjerman, turk, arab apo izraelit, të vijë, të pijë një gotë raki me Baba Mondin dhe të vazhdojë rrugën.

Një Shtet Bektashi është antikushtetues dhe i panevojshëm. Për halle të tjera, ka parajsa fiskale nëpër botë sa të duash.

Ndersa Parlamenti Shqiptar, duhet te dije se cdo akt ne kete drejtim eshte tradheti kombetare.