Aktualitet

Kërcënohet me jetë gazetari Osman Stafa/ Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë: Policia e Shtetit të hetojë rastin me urgjencë

Kërcënohet me jetë gazetari Osman Stafa/ Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë: Policia e Shtetit të hetojë rastin me urgjencë
FieriSot · Foto ilustruese

Gazetari i njohur Osman Stafa, është kërcënuar me vdekje përmes një mesazhi të dërguar në llogarinë e tij në “Facebook”. Në mesazhin kërcënues, shkruhet: “mbaje mend do të vras” dhe “këtë ta garantoj”.

Sipas dëshmisë së gazetarit, kërcënimi dyshohet se lidhet me një material filmik të realizuar dhe publikuar prej tij gjatë protestës së 8 shtatorit pranë Parlamentit.

Në këtë material, Stafa kishte dokumentuar veprimet e disa personave civilë gjatë ndalimit dhe arrestimit të një protestuesi.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), ka dënuar me forcë kërcënimin dhe ka shprehur shqetësimin ethellë për sigurinë e gazetarit.

AGSH e konsideron kërcënimin me vdekje, veçanërisht kur lidhet me ushtrimin e detyrës dhe publikimin e materialeve me interes publik, si një sulm të rëndë ndaj sigurisë së gazetarit, lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.

Shoqata i ka kërkuar Policisë së Shtetit dhe organeve të drejtësisë të veprojnë me urgjencë për identifikimin e personit ose personave që qëndrojnë pas llogarisë nga e cila është dërguar kërcënimi.