Tre të rinj nga Fieri kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident të rëndë rrugor në Glyfada të Athinës, në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Sipas mediave greke, aksidenti ndodhi rreth orës 02:00, kur makina me të cilën udhëtonin pesë të rinjtë doli nga rruga dhe u përplas me murin rrethues të një hoteli, në kryqëzimin e bulevardit Poseidonos me rrugën Kalypsous.

Tre të rinj humbën jetën, që sipas mediave janë shqiptarë, ndërsa dy të mbijetuarit, të dy 18 vjeç, u transportuan në spital. Njëri prej tyre ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas televizionit grek MEGA, dyshohet se të rinjtë po bënin garë shpejtësie me një automjet tjetër. Të rinjtë dyshohet gjithashtu se po regjistronin një video për TikTok në momentin e aksidentit dhe nuk përjashtohet as fakti që mund ta kenë filmuar momentin e aksidentit tragjik. Megjithatë, mediat greke thonë se policia nuk ka gjetur ende prova që konfirmojnë përfshirjen e një automjeti të dytë.
Policia greke po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë dhe po mbledh dëshmi për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
shqiptarja.com

