Detaje të reja nga dosja hetimore e SPAK hedhin dritë mbi komunikimet mes biznesmenit Ergys Agasi dhe ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, si dhe mbi mënyrën se si dyshohet se janë siguruar dhe qarkulluar materiale sensitive nga institucionet shtetërore.
Sipas materialeve të dosjes, mes palëve janë zhvilluar komunikime të shumta përmes aplikacionit “Signal”, ku publikohen edhe mesazhe me tone personale dhe paralajmëruese. Në një prej tyre, Hyseni i shkruan Agasit duke e këshilluar të mos përdorë një numër tjetër telefoni, pasi dyshohej se mund të ishte në përgjim.
“Shpirt mos e përdor atë numrin tjetër sonte se çunat ia kanë çu veshin. Flej rehat. Të du!”, citohet të ketë shkruar ajo.
Në vijim të komunikimeve, Agasi e pyet nëse ekziston ndonjë rrezik për persona që ai i referon si “çunat e mi”, ndërsa sipas dosjes, Hyseni i përgjigjet: “Flej rehat zemër, krejt radarët e shtetit i mbyll për ty”, duke nxitur dyshime të mëtejshme për natyrën e raportit mes tyre.
Sipas SPAK, këto komunikime janë pjesë e provave që po shqyrtohen në kuadër të hetimit, ndërsa ish-drejtoresha e SHISH pritet të pyetet për to në seancën e radhës në orën 12:00. Ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, nën dyshimet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror ose të shërbimit.
Paralelisht, në dosje dalin edhe detaje të tjera që lidhen me mënyrën se si Agasit dyshohet se i janë vënë në dispozicion materiale sensitive nga strukturat shtetërore.
Sipas raportimeve, këto të dhëna lidhen me telefona të zbërthyer nga Policia Shkencore. Në dosje pretendohet se aktet e ekspertimit janë dorëzuar tek Agasi nga Fatjon Kalluci, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore.
SPAK po heton rrethanat se si këto materiale kanë dalë nga zinxhiri zyrtar dhe më pas i janë vënë në dispozicion biznesmenit Agasi, si dhe rolin e personave të përfshirë në këtë proces.

