Home Lajme nga vendi Varieteti shqiptar pushton tregjet e BE-së, mbi 600 fermerë lidhin kontrata eksporti...

Varieteti shqiptar pushton tregjet e BE-së, mbi 600 fermerë lidhin kontrata eksporti për prodhimin në Myzeqe

Periudha e eksporteve ka nisur vrullshëm dhe fermerët në Lushnjë po vjelin prodhimin e kontraktuar të kastravecit “Konishon”, kultivari i njohur për turshi.

Na ndiqni në Instagram

Qindra hektarë nga zonat e Lushnjës, Fierit dhe Beratit po eksportohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Fermeri Ledian Gjoni nga Fiershegani tregon se prej tetë vitesh mbjell serat me këtë kultivar, pasi shitja është e garantuar, megjithëse mungesa e fuqisë punëtore nuk i lejon zgjerimin e sipërfaqeve.

“Me pjesën e konishonit jemi shumë të kënaqur. Unë kam gjithsej dynym”, u shpreh fermeri Ledian Gjoni.

Përhapja e këtij kultivari ka bërë që mbi 600 fermerë të lidhin kontrata eksporti me tregjet evropiane, ku aktualisht produkti shqiptar shkon në Gjermani, Spanjë, Itali, Francë dhe Austri.

“Ne kemi një eksport që është i destinuar për tregun e Bashkimit Evropian. Funksionon me kontrata me fermerët. Kemi mbi 130 fshatra të cilët i mbulojmë. Në zonën e Lushnjës, Fierit dhe Beratit. Kemi mbi 600 fermerë që i kemi të kontraktuar me çmim të rregullt”, tha agronomi Josif Prifti.

“Vit pas viti ne shikojmë një interes të shtuar të fermerëve për mbjelljen e konishonit. Kjo duket nga sipërfaqja që është shtuar dhe numri i fshatrave, ka arritur në 130 fshatra që kanë mbjellë konishon”, theksoi eksportuesi Eno Jegeni.

Shqipëria është kthyer në eksportuesen kryesore të këtij kultivari në rajon. Në vitin 2025 u eksportuan 6500 tonë, ndërsa gjatë vitit 2026 pritet të kalohen 8500 tonë, teksa mbi 70 fabrika në Bashkimin Evropian përpunojnë produktin myzeqar./rtsh.al/