Aktualitet

Greqia ndërhyn për të ulur koston e jetesës, qeveria arrin marrëveshje me furnizuesit, ulen çmimet për mbi 1.600 produkte të konsumit

Greqia ndërhyn për të ulur koston e jetesës, qeveria arrin marrëveshje me furnizuesit, ulen çmimet për mbi 1.600 produkte të konsumit
FieriSot · Foto ilustruese

Më shumë se 1.600 produkte bazë të konsumit dolën këtë të hënë në treg me çmime të ulura në Greqi, në kuadër të një programi të qeverisë që synon të lehtësojë koston e jetesës për familjet. Nisma bazohet në marrëveshje të posaçme me furnizuesit dhe përfshin ushqime, produkte të përditshme, si edhe artikuj shkollorë, pak para nisjes së vitit të ri shkollor.

Sipas kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, programi pritet të sjellë ulje të çmimeve nga 5% deri në 7% gjatë dy deri në katër muajve të ardhshëm. Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se kjo nuk i zgjidh të gjitha problemet që rëndojnë buxhetin e familjeve, por përbën një lehtësim konkret, veçanërisht në një periudhë kur shumë prindër përballen edhe me shpenzimet e fillimit të shkollës.

Deri tani programit i janë bashkuar mbi 90 kompani të tregtisë me shumicë, 12 zinxhirë supermarketesh dhe tre rrjete dyqanesh të lodrave dhe artikujve shkollorë.

Produktet me çmime të ulura do të identifikohen me etiketa të veçanta, ndërsa konsumatorët do të mund të shohin edhe në platformën online “Posokanei” se cilat produkte janë pjesë e programit, sa është ulja dhe ku mund t’i gjejnë.