Miratimi i projektit të zbatimit për aksin Kashar-Lekaj dhe njoftimi se punimet do të nisin brenda këtij viti rikthen në vëmendje ecurinë e gjithë autostradës Milot-Fier, një prej akseve kryesore të Korridorit Adriatiko-Jonian.
Ky segment i korridorit blu shtrihet në rreth 114 km dhe është i ndarë në segmentet Milot-Thumanë, Thumanë-Kashar, Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier.
Aktualisht, segmenti më i avancuar është Thumanë–Kashar, me gjatësi 21 km, ku punimet kanë përfunduar dhe aksi është hapur për qarkullimin e automjeteve.
Për tre segmentet e tjera janë lidhur kontratat koncesionare 35-vjeçare. Milot–Thumanë, me gjatësi 13.5km, do të realizohet nga konsorciumi i kryesuar nga “Gener 2”, kompani që ka realizuar edhe Thumanë-Kashar. Projekti parashikon ndërhyrjen në gjurmën ekzistuese dhe përmirësimin e saj sipas standardeve të kategorisë A.
Për Kashar–Lekaj, fitues është bashkimi i 7 operatorëve “Gjoka Konstruksion”, “Junik”, “Cobial”, “Pepa Group”, “UDHA”, “Geoportal” dhe “A&E Engineering”. Vlera e parashikuar e investimit është rreth 474.9 mln euro, pa TVSH.
Gjithë gjurma e këtij seksioni arrin në rreth 33.6km, por vetëm 26.6 km janë objekt i kontratës koncesionare. Rreth 7 km përkojnë me Bypass-in e Tiranës dhe do të ndërtohen me financim nga buxheti i shtetit.
Ndërkohë, për segmentin Lekaj–Fier, me gjatësi rreth 46 km, kontrata koncesionare është lidhur me bashkimin e 8 operatorëve “Fusha”, “Agbes Construksion”, “Albavia”, “Kupa”, “Ante-Group”, “Klodioda”, “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000” dhe “Sphaera”.
Paralelisht po avancon edhe Bypass-i i Tiranës. Ky projekt do të ketë një gjatësi totale prej rreth 21.6kmsh, por 7 km të tij janë njëkohësisht pjesë e gjurmës së autostradës Milot–Fier. Punimet vijojnë në dy fazat e para të bypass-it, që përfshijnë rreth 8.2 km dhe kontrata me vlerë totale rreth 5.9 mld lekë. Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për fazën e tretë, me fond limit 1.55 mld lekë, që përfshin edhe nyjen lidhëse me autostradën Tiranë–Durrës.

