Ja pse vrasjet e bujshme në Shqipëri mbeten pa autor!
Në Shqipëri kanë ndodhur shumë vrasje që kanë tronditur opinionin publik, nga politika te biznesi e deri te bota e krimit. Çdokush mund të thotë me të drejtë se vrasje ndodhin në çdo vend të botës, madje edhe në shtete me stabilitet të lartë politik, social dhe ekonomik.
Dhe ky arsyetim qëndron. Krimi është një realitet që asnjë shoqëri nuk ka mundur ta zhdukë plotësisht. Por ndryshimi qëndron diku tjetër: tek mënyra se si shteti reagon pas krimit.
Në vendet ku institucionet funksionojnë, pas një vrasjeje vihet në lëvizje një zinxhir i tërë institucionesh, nga policia dhe hetuesit te prokuroria e gjykata, me një objektiv të qartë: të gjendet autori, të zbulohet motivi dhe të dalë në dritë e gjithë e vërteta.
Në Shqipërinë tonë, pas më shumë se tri dekadash pluralizëm dhe demokraci, kjo mbetet një nga plagët më të mëdha të tranzicionit.
Dhe nuk është fjala për një apo dy raste. Mjafton të kujtojmë vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, një nga ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura në Fier. Kanë kaluar vite dhe ende nuk kemi një përgjigje përfundimtare për autorët dhe motivin e vrasjes.
Kujtojmë Artan Santon, bankierin e njohur, të ekzekutuar në mes të Tiranës, në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit. Kujtojmë Remzi Hoxhën, një dosje që prej dekadash vazhdon të mbajë mbi vete pyetje të rënda.
Kujtojmë Kosta Trebickën, vdekja e të cilit u cilësua aksidentale, por që për vite me radhë ka qenë objekt debatesh dhe dyshimesh publike. Kujtojmë Ervis Martinajn, historia e të cilit mbetet një prej mistereve më të mëdha të botës së krimit shqiptar.
Dhe, natyrisht, është edhe Azem Hajdari. Për vrasjen e tij ka pasur persona të dënuar nga drejtësia, ndaj ky rast nuk mund të renditet thjesht si një vrasje pa autor.
Por pyetjet e tjera që e kanë shoqëruar këtë ngjarje, mbi rrethanat dhe dimensionin e saj politik, kanë mbetur për vite pjesë e debatit publik. Këto janë vetëm disa emra nga një listë që mund të zgjatet shumë më tepër.
Në disa raste kemi hetime, në të tjera vendime, në disa të tjera dyshime që nuk janë shndërruar kurrë në një të vërtetë të plotë dhe bindëse për publikun.Këtu qëndron edhe shqetësimi i madh. Problemi nuk mund të shpjegohet gjithmonë me mungesën e provave, me vështirësinë e hetimit apo me kalimin e kohës.
Në një vend ku politika, biznesi i madh dhe bota kriminale kanë pasur në raste të caktuara marrëdhënie të dyshimta dhe interesa të ndërthurura, është e vështirë të mos lindë dyshimi se disa krime mund të jenë mbrojtur pikërisht nga këto lidhje.
Nuk po them se pas çdo vrasjeje qëndron politika dhe as se çdo dosje e pazbardhur është rezultat i një marrëveshjeje kriminale. Por është fakt që historia e tranzicionit shqiptar ka prodhuar mjaft raste ku kufiri mes pushtetit, parave dhe krimit ka qenë tepër i mjegullt.
Dhe kur krimi ka para, lidhje, ndikim dhe njerëz që mund ta mbrojnë, zbardhja e një vrasjeje bëhet shumë më e vështirë. Ekzekutori mund të jetë vetëm hallka e fundit e një zinxhiri, ndërsa pas tij mund të fshihen interesa, urdhra, financime apo njerëz që kanë punuar për të zhdukur gjurmët.
Nëse hetimi ndalet tek dora që ka tërhequr këmbëzën dhe nuk arrin tek ata që mund ta kenë porositur apo organizuar krimin, atëherë drejtësia mbetet e cunguar.
Kjo është arsyeja pse vrasjet e bujshme të pazbardhura nuk janë thjesht histori të së shkuarës.
Ato janë një problem i së tashmes, sepse ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve tek shteti. Kur kalojnë dhjetëra vite dhe një familje vazhdon të presë përgjigje, kur një ngjarje rikthehet vetëm në përvjetorë dhe kur opinioni publik vazhdon të dëgjojë të njëjtat versione pa një përfundim të qartë, krijohet bindja se koha mund të jetë aleati më i madh i krimit.
Shqipëria ka ndryshuar shumë gjatë këtyre dekadave. Kanë ndryshuar qeveritë, partitë, ligjet, strukturat e policisë dhe vetë sistemi i drejtësisë. Por ajo që nuk duhet të ndryshojë është detyrimi për të kërkuar të vërtetën, pavarësisht se kujt i prek ajo interesat. Drejtësia nuk mund të jetë e fortë vetëm me kriminelin e vogël dhe e dobët përballë atij që ka para, pushtet apo lidhje.
Familjet e viktimave nuk kërkojnë favore politike, deklarata apo premtime. Kërkojnë të dinë kush i vrau njerëzit e tyre dhe përse.
Këtë përgjigje duhet t’ua japë shteti, edhe nëse kanë kaluar vite. Sepse një kriminel që arrin të fshihet për një kohë të gjatë është një dështim i hetimit, por një shoqëri që humbet shpresën se e vërteta do të dalë ndonjëherë në dritë është një dështim shumë më i madh.
Në fund të fundit, mund të harrohet një emër, një dosje apo një përvjetor, por drejtësia e munguar nuk harrohet.
Ajo mbetet aty, në kujtesën e familjeve, në ndërgjegjen e shoqërisë dhe mbi të gjitha, si një njollë mbi shtetin që nuk arriti të tregojë se ligji është më i fortë se krimi.

