Aktualitet

Qeveria shqiptare fiton betejën në arbitrazh për Aeroportin e Vlorës

Qeveria shqiptare fiton betejën në arbitrazh për Aeroportin e Vlorës
FieriSot · Foto ilustruese

Arbitri i Emergjencës ka rrëzuar kërkesën kryesore të VIA-s për pezullimin e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit të Aeroportit të Vlorës, duke lënë në fuqi zgjidhjen e kontratës nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE).

Sipas njoftimit të MIE-së, Urdhri i Arbitrit të Emergjencës është nxjerrë më 16 shtator 2026, në kuadër të procedurave të arbitrazhit të urgjencës të nisura nga VIA, koncesionari i Aeroportit të Vlorës.

Arbitri ka rrëzuar dy nga tri kërkesat e VIA-s, përfshirë kërkesën për pezullimin e zgjidhjes së kontratës dhe të Njoftimit për Zgjidhje. Sipas MIE-së, Arbitri ka vlerësuar se as kontrata dhe as provat e paraqitura nuk ofronin bazë të mjaftueshme ligjore për pezullimin e zgjidhjes.

Si rrjedhojë, sipas MIE-së, zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi.

Arbitri ka rrëzuar gjithashtu kërkesën e VIA-s që MIE të marrë pjesë në ndërmjetësim dhe të caktojë një ndërmjetës, si dhe kërkesën për shtyrjen e fillimit të arbitrazhit me dy muaj.

Ndërkohë, është urdhëruar një masë e përkohshme dhe afatshkurtër për ruajtjen e status quo-së. Sipas MIE-së, kjo masë kufizon përkohësisht ushtrimin e disa të drejtave që lindin pas zgjidhjes së kontratës dhe do të jetë në fuqi deri në konstituimin e tribunalit të arbitrazhit dhe shqyrtimin e çështjes prej tij.

MIE thekson se kjo masë e përkohshme nuk cenon vlefshmërinë apo efektshmërinë e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit.

Në vendimin e tij, Arbitri i Emergjencës ka urdhëruar gjithashtu VIA-n të përballojë shpenzimet e procedurave të arbitrazhit të urgjencës.

Ministria deklaron se do të vijojë përgatitjen e hapave të mëtejshëm që rrjedhin nga zgjidhja e kontratës, duke respektuar masën e përkohshme të vendosur deri në konstituimin e tribunalit të arbitrazhit. Sipas njoftimit, MIE do të njoftojë VIA-n se zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi.