Aktualitet

Vlerësim i ri për automjetet në zhdoganim, merren parasysh edhe kilometrat

Vlerësim i ri për automjetet në zhdoganim, merren parasysh edhe kilometrat
FieriSot · Foto ilustruese

Administrata Doganore Shqiptare ka miratuar një manual të ri për procedurën e vlerësimit të automjeteve gjatë zhdoganimit, duke përfshirë për herë të parë edhe kilometrat e përshkuara si element në përcaktimin e vlerës së mjetit.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, manuali zbatohet për automjetet e prodhuara brenda 10 viteve të fundit dhe vetëm në rastet kur nuk plotësohen kushtet për vlerësimin sipas metodës së transaksionit, në përputhje me nenet 66-69 të Kodit Doganor.

Në këto raste, për përcaktimin e vlerës doganore do të përdoren edhe çmimet reale të publikuara online në burime dhe buletine të specializuara, adresat e të cilave janë përcaktuar në manual.

Risia kryesore lidhet me kilometrat e automjetit deri në momentin e zhdoganimit. Sipas Doganave, ky element do të merret në konsideratë krahas të dhënave të tjera teknike dhe do të ndikojë në përcaktimin e vlerës reale të automjetit.

Të dhënat nga burimet online do të përdoren vetëm kur nuk mund të zbatohen metodat e tjera të vlerësimit, sipas rendit të përcaktuar nga 1 deri në 5.

Manuali i ri nuk ndryshon mënyrën e vlerësimit për automjetet e prodhuara më shumë se 10 vjet përpara vitit aktual.

Administrata Doganore thekson se qëllimi i manualit nuk është rritja e të ardhurave nga zhdoganimi, por përcaktimi sa më objektiv i vlerës së automjeteve, duke marrë në konsideratë karakteristikat dhe gjendjen konkrete të tyre.

Sipas Doganave, ndryshimi synon gjithashtu një shpërndarje më të drejtë të detyrimeve për automjetet e së njëjtës kategori, markë, vit prodhimi, cilindratë dhe lloj karburanti, duke reflektuar edhe diferencat në kilometrat e përshkuara.