Aktualitet

Ish-ministrja Meksi kritikon nismat e Ramës: “Na duhet përgjegjësi institucionale, jo togfjalësha politikë”

Ish-ministrja Meksi kritikon nismat e Ramës: “Na duhet përgjegjësi institucionale, jo togfjalësha politikë”
FieriSot · Foto ilustruese

Ish-ministrja socialiste, Ermelinda Meksi ka shprehur kritika ndaj kryeministrit Edi Rama për nismat “Besa”, “Prania Besnike” apo “PasqyrAlbania”, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin që do të kenë në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Në një reagim në rrjete sociale, Meksi thekson nëse nismat do të shërbejnë për forcimin reale të institucioneve dhe llogaridhënies apo do të mbeten thjesht “togfjalësha të rinj politikë”.

“Prandaj pyetja që shtrohet është: si do t’i adresojnë këto probleme “BESA”, “Prania Besnike”, “PasqyrAlbania” dhe “Radar”? A do të shërbejnë për të forcuar institucionet dhe llogaridhënien, apo do të mbeten togfjalë të rinj politikë, të përsëritur në kor nga deputetët, ndërsa qytetari vazhdon të kërkojë ndërhyrje individuale për të drejtën që i takon e duhet t’ja garantoj shteti? Kur disa prej tyre hapin edhe zyra posaçerisht, skepticizmi bëhet edhe më i kuptueshëm.”, shkruan ajo.

Ajo argumenton se qytetari nuk duhet të ketë nevojë për ndërhyrjen individuale të një politikani për të zgjidhur çështje që, sipas saj, duhet të adresohen përmes mekanizmave institucionalë.

“Qytetari nuk është një “rast” që politikani duhet ta ndjekë, por qytetar me të drejta, ndërsa institucioni ka detyrimin t’ia garantojë ato në përputhje me ligjin dhe interesin publik. Prania e politikanit e bën të dëgjohet halli;por vetëm institucioni është në gjendje ta zgjidhë atë.”, shton ajo.

REAGIMI I PLOTE:

“BESA”, “Prania Besnike”, “PasqyrAlbania”, “Radar” — po institucionet kush i zgjidh hallet?

Sot, me të drejtë, qytetarët shqetësohen për sigurinë në hotele, në rrugë dhe në hapësirat publike. Por sa të sigurt ndihemi në pallatet ku jetojmë?

Mjafton të shohim ashensorët. Një pjesë e tyre janë të pakolauduar. Banorët paguajnë për mirëmbajtje, por kush kontrollon nëse shërbimi kryhet nga persona të licencuar, çfarë mirëmbajtjeje bëhet realisht dhe kush mban përgjegjësi për zbatimin e ligjit për administrimin e banesave? Kur banorët, për arsye të ndryshme, nuk kanë zgjedhur administrator, a duhet bashkia të ndërhyjë për të garantuar administrimin dhe sigurinë e përbashkët?

Po pusetat e ujërave të zeza që nuk pastrohen prej vitesh dhe mjafton një shi për të përmbytur e kundërmuar gjithë zonën? Në një rast para disa ditësh, përgjegjësi i zonës këshilloi: “Mos hidhni letra në WC”. Ndërsa një banor, me humor, kujtoi se dikur hidhnim edhe gazeta, por pusetat pastroheshin rregullisht dhe nuk përmbyteshim. Humori fsheh një problem serioz: kush është përgjegjës për mirëmbajtjen dhe parandalimin e një situate që përsëritet prej vitesh?

Çfarë ndodh kur papritur ngrihet një kullë përballë pallatit, duke ndryshuar mjedisin ku jetojmë dhe duke rënduar mbi një infrastrukturë që nuk është projektuar për një dendësi të tillë?

Kur blemë apartamentet tona, kemi vlerësuar edhe distancën, hapësirën, dritën dhe qetësinë. Kush mban përgjegjësi kur këto ndryshojnë pa u marrë seriozisht në konsideratë kapaciteti i infrastrukturës dhe interesi i banorëve?

Prandaj pyetja që shtrohet është: si do t’i adresojnë këto probleme “BESA”, “Prania Besnike”, “PasqyrAlbania” dhe “Radar”? A do të shërbejnë për të forcuar institucionet dhe llogaridhënien, apo do të mbeten togfjalë të rinj politikë, të përsëritur në kor nga deputetët, ndërsa qytetari vazhdon të kërkojë ndërhyrje individuale për të drejtën që i takon e duhet t’ja garantoj shteti?

Kur disa prej tyre hapin edhe zyra posaçerisht, skepticizmi bëhet edhe më i kuptueshëm.

Qytetari nuk është një “rast” që politikani duhet ta ndjekë,por qytetar me të drejta, ndërsa institucioni ka detyrimin t’ia garantojë ato në përputhje me ligjin dhe interesin publik.

Prania e politikanit e bën të dëgjohet halli;por vetëm institucioni është në gjendje ta zgjidhë atë.

Më shumë se “Prani Besnike”, na duhet përgjegjësi institucionale.

P.S. Shumë nga hallet e përditshme të qytetarit lidhen drejtpërdrejt me pushtetin vendor. Prandaj duhet të flitet për më shumë kompetenca, përgjegjësi dhe rol real të këshilltarëve vendorë, si përfaqësuesit më pranë komunitetit. Zgjidhja nuk është të afrojmë çdo hall te qeveria dhe kryeministri, por të sjellim vendimmarrjen dhe përgjegjësinë më pranë qytetarit.

Meksi, 4 shtator 2026