Home Shëndeti Dermatologia: Mbroni lëkurën nga rrezatimi diellor gjatë sezonit veror

Dermatologia: Mbroni lëkurën nga rrezatimi diellor gjatë sezonit veror

 Me rritjen e temperaturave dhe nisjen e sezonit të pushimeve, mjekët dermatologë apelojnë për kujdes të shtuar ndaj ekspozimit në diell, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së lëkurës gjatë frekuentimit të plazheve dhe pishinave.

Prof. dr. Monika Fida, mjeke dermatologe, këshillon që plazhet dhe pishinat të frekuentohen në orët e para të mëngjesit, kur rrezatimi ultraviolet është më i ulët.

“Jemi në sezonin e verës ku frekuentimi i plazheve dhe pishinave është në periudhën më të lartë të mundshme. Mesazhi që ne si mjekë dermatologë japim është që duhet të frekuentojmë plazhet ose pishinat në orët e para të mëngjesit, kur rrezatimi ultraviolet është më i vogël. Edhe në këto orare ekspozimi ndaj diellit mbetet i dëmshëm për lëkurën. Prandaj është e domosdoshme përdorimi i kremrave ose solucioneve mbrojtëse të blera në farmaci, me faktor mbrojtës të lartë, nga SPF 30 deri në SPF 50”, theksoi Fida, në një video të publikuar në rrjetet sociale nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Prof. dr. Fida rekomandon gjithashtu veshjen e rrobave të lehta me ngjyra të çelëta, përdorimin e kapelës dhe syzeve të diellit, si dhe marrjen e masave të rëndësishme për të reduktuar ndikimin e rrezatimit ultraviolet.

Sipas saj, mosha pediatrike, personat që kanë lëkurë të çelur, flokë biondë janë më të rrezikuar për të patur dëmtime në lëkurë më të larta nga rrezatimi ultraviolet.

Prof. dr. Fida shprehet se “përdorimi i solarëve ose makinerive për nxirje artificiale para ekspozimit në diell është një gabim i madh dhe nuk rekomandohet”.

Një tjetër këshillë e rëndësishme lidhet me kontrollin e nishaneve dhe lezioneve të dyshimta në lëkurë përpara nisjes së sezonit të plazhit.

“Mjafton një vizitë te mjeku dermatolog për të kryer një kontroll të plotë të lëkurës. Në këtë mënyrë mund të zbulojmë në faza të hershme kancerin e lëkurës ose melanomën, duke rritur ndjeshëm mundësinë e trajtimit dhe duke mbrojtur shëndetin e pacientëve”, tha prof. dr. Monika Fida.