Aktualitet

Në 10:00 verdikti! Haga shpall sot vendimin për ish-krerët e UÇK!

Në 10:00 verdikti! Haga shpall sot vendimin për ish-krerët e UÇK!
FieriSot · Foto ilustruese

Kosova ka 6 vjet që e pret këtë ditë. Në orën 10:00, Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallin aktgjykimin e shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, pas një procesi që zgjati afro gjashtë vjet nga arrestimet dhe më shumë se tre vjet gjykim.

Për shumë qytetarë në Kosovë, kjo nuk është thjesht një seancë gjyqësore. Që prej mbrëmjes së djeshme, sheshet janë mbushur me qytetarë, flamuj të UÇK-së dhe pankarta në mbështetje të katër ish-drejtuesve.

Si do të zhvillohet seanca?

Seanca nis në orën 10:00 deri në orën 12:00 dhe do të jetë publike. Transmetimi në shqip, anglisht dhe serbisht do të transmetohet me rreth 10 minuta vonesë, ndaj publiku do ta ndjekë praktikisht nga ora 10:10.

Një detaj i rëndësishëm është se aktgjykimi nuk do të lexohet me një vendim të vetëm. Trupi gjykues do ta trajtojë çështjen veçmas për secilin të akuzuar.

I pari do të jetë Hashim Thaçi, më pas Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe në fund Jakup Krasniqi.

Për secilin do të lexohet verdikti për secilën nga 10 pikat e aktakuzës, çka do të thotë se procesi do të jetë më kompleks sesa një shpallje e vetme “fajtor” ose “i pafajshëm”.

Çfarë vendos gjykata?

Katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në thelb, gjykata duhet të vendosë nëse Prokuroria ka arritur të provojë, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, përgjegjësinë penale individuale të secilit prej tyre.

Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burg për secilin, por kjo është vetëm kërkesa e saj dhe jo dënimi që do të japë domosdoshmërisht gjykata.

Vendimi do të shpallet nga një trup gjykues i përbërë nga katër gjyqtarë ndërkombëtarë. 3 gjyqtarë kryesorë dhe 1 rezervë.

Në krye të trupit gjykues është gjyqtari amerikan Charles Smith III, i cili mban edhe rolin e kryesuesit të procesit.