Patos

‘Drejtësia nuk u vu në vend’, prindërit e vëllezërve Banaj të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Fierit: Sokol Hoxha brodhi gjithë botën, nuk bëri asnjë ditë burg

‘Drejtësia nuk u vu në vend’, prindërit e vëllezërve Banaj të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Fierit: Sokol Hoxha brodhi gjithë botën, nuk bëri asnjë ditë burg
FieriSot · Foto ilustruese

Vendimi i Gjykatës së Fierit për shuarjen e dënimit të Sokol Hoxhës për vrasjen e dy vëllezërve Hektor dhe Ilirjan Banaj në mars të vitit 1997 ka tronditur familjen e viktimave.

Prindërit e moshuar, Refije dhe Kujtim Banaj, thonë se pas gati tre dekadash pritjeje, drejtësia nuk u vu në vend.Me lot në sy, nëna Refije Banaj tregon se nuk e besoi lajmin dhe se ndihet e zhgënjyer nga vendimi i gjykatës.

“Ne që kur ndodhi ngjarja vajtëm këtu dhe në Tiranë. Asgjë s’u bë. Kjo është qeveria jonë. Ai brodhi gjithë botën, djemtë e mi ikën kot. Asgjë s’u bë për djemtë e mi. Ne kemi pritur drejtësi. Ia lamë në dorë shtetit, ligjit dhe të mos merret asnjë masë? Ai brodhi gjithë botën dhe asnjë dënim nuk mori”, tha ajo.

Edhe babai i dy viktimave, Kujtim Banaj, rrëfen me zërin që i dridhet ditën kur humbi dy djemtë.

Ai thotë se familja nuk ka menduar kurrë për hakmarrje, por vetëm ka pritur drejtësi, ndërsa nuk kursen as ironinë duke thënë se me këto vendime “kriminelët duhen dekoruar”.

““Këta kriminelët tu japë një dekoratë Edi Rama. Kjo drejtësi nuk është për popullin. Të bësh krim dhe të lirohesh nga burgu?” tha ai.

Për gati 30 vite familja Banaj ka pritur që autori të vuante dënimin, ndërsa sot mban në duar fotografitë e dy djemve të vrarë me ndjesinë se drejtësia nuk u vu kurrë në vend.

Sokol Hoxha, 51 vjeç, ishte ekstraduar nga SHBA në muajin gusht të këtij viti për të vuajtur dënimin me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos në vitin 1997.

Pas mbërritjes në Shqipëri, ai kërkoi lirimin me argumentin se dënimi ishte parashkruar.

Kërkesa u pranua nga Gjykata e Fierit, ndërsa edhe Prokuroria ishte dakord.

Vendimi është mbështetur në nenin 68 të Kodit Penal, sipas të cilit dënimet me 15 deri në 25 vite burg nuk ekzekutohen nëse kanë kaluar 20 vite nga marrja formë të prerë e vendimit.

Hoxha ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Fierit në vitin 2000, por dënimi nuk ishte ekzekutuar për 26 vite.

Megjithatë, ai do të vijojë të qëndrojë në burg për llogari të autoriteteve belge. Në Belgjikë është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e shqiptares Brunilda Dervishi në vitin 1997, vendim që ka marrë formë të prerë në vitin 2010.

Sokol Hoxha u arrestua në Ohio të SHBA-së në muajin maj, ku jetonte prej vitesh me identitetin Hysen Gashi. Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit “Globi”, falë bashkëpunimit të autoriteteve të Shqipërisë, Belgjikës dhe SHBA-së.