Home Blog Page 21

Përplasje në Rrjoll, banorët rrëzojnë gardhin rrethues metalik dhe bllokojnë mjetet e rënda të punës

0
Përplasje në Rrjoll, banorët rrëzojnë gardhin rrethues metalik dhe bllokojnë mjetet e rënda të punës

Një situatë e tensionuar është raportuar në zonën e Rrjollit, ku banorët janë përfshirë në përplasje me forcat e policisë.

Sipas informacioneve, përplasjet kanë nisur pasi banorët janë afruar në zonën e punimeve dhe janë përballur me policinë që po ruante perimetrin e sigurisë.

Në kulmin e tensioneve, disa protestues kanë hequr një pjesë të rrethimit metalik me kangjella që ishte vendosur përreth kantierit.

Banorët kanë tentuar gjithashtu të bllokojnë mjetet e rënda të punës, ndërsa forcat e rendit kanë ndërhyrë për t’i larguar nga zona dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

“Shqiponja’ dhe ‘Flamingo”, analiza e akademikut Fuga: Tubimi kundër klasës politike, protestuesit kanë mosbesim për çdo lider që mund të dalë

0
“Shqiponja’ dhe ‘Flamingo”, analiza e akademikut Fuga: Tubimi kundër klasës politike, protestuesit kanë mosbesim për çdo lider që mund të dalë

“Shqiponja” dhe “flamingo”

Dallime shtresore në tubimet politike në Shqipërinë e sotme

Eshtë shumë shpejt të flitet për përbërjen shoqërore të protestuesve që prej dhjetë e ditësh mbushin sheshet dhe bulevardin e Tiranës, të qyteteve të tjera brenda dhe jashtë vendit duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit. Por, disa karakteristika mund të jepen gjithsesi. Duke i krahasuar edhe me pjesëmarrësit në mitingjet, ose antimitingjet që organizon partia në qeveri dhe kryeministri, apo edhe me tubime të opozitës disa javë dhe muaj më parë.

1. Mosha. Duket nga pjesëmarrja që janë relativisht të moshave të reja dhe të brezit të poshtëm të moshave mesatare të vendit, nga 18 vjeç deri në 40 vjeç, ata që duken si shumicë, pa përjashtuar edhe fasha të tjera moshore që përfaqësohen më pak. Kurse në tubimet politike të partive tradicionale janë moshtat mbi 50 dhe 60 vjeç që kanë pasur më shumë vizibilitet. Edhe drejtuesit e partive parlamentare apo tradicionale kanë edhe ata moshë mbi mesataren, kurse në tribunën e protestës ngjiten të rinj.

2. Gjinia. Eshtë interesante se ka një pjesëmarrje të gjerë të gjinisë femërore, vajza në mosha të reja, kryesisht, tepër aktive, të motivuara, me një artikulim të shkathët dhe ndonjëherë me një agresivitet që vjen si nga komunikimi në masë, ashtu eehe nga revolta e brendshme. Pjesëmarrja e gjinisë mashkullore është po ashtu e konsiderueshme, por nuk dallohet as hija më e vogël e ndonjë inferioriteti gjinor. Kurse në drejtuesit e partive tradicionale, në atë që shohim në sallën e Kuvendit, apo edhe në pjesëmarrësit në takimet e kryeministrit mbisundon një pjesëmarrje burrash, sikurse edhe në takimet e opozitës.

3. Vendbanimi. Pavarësisht se tubime protestash ka edhe në qytete të tjera, apo se protestues vijnë edhe nga rrethet, duket qartë se protestuesit në masën e madhe janë me banim në Tiranë. Pra kemi të bëjmë me popullsi urbane kryeqytetase. Janë popullsi që kanë prejardhje me familje që kanë banuar edhe më parë në Tiranë, kanë lindur në Tiranë, ose të ardhur gjatë viteve të para të postkomunizmit dhe të rritur në Tiranë. Kurse kryeministri deri tani i bënë takimet në rrethe të vendit, si në Fier, Vlorë, Shkodër, me një numër të kufizuar pjesëmarrësish. Duket sikur Tirana është në dorën e protestuesve.

4. Përvoja jetësore dhe politike. Në krahasim me popullsitë që përfaqësohen në takimet e liderave politikë tradicionalë, në pushtet apo në opozitë, të cilat kanë përvojë dhe kujtesë të drejtpërdrejtë personale nga koha e komunizmit, duket qartë se pjesëmarrësit në protesta janë të cliruar nga kujtesa historike e drejtpërdrejtë personale komuniste. Bashkë me kujtesën personale historike që është zbehur, nuk dallohen edhe shumë paragjykime dhe stereotipe që vijnë nga tradita e shoqërive autoritare sikurse janë sensi i hierarkisë, respekti mitik për liderat, kulti i individit, sloganet e parapërgatitura, dhe të tjera dukuri si këto. Ndërkohë duket qartë se protestuesit, me të drejtë, duket se kanë një lloj mosbesimi te çdo lider që mund të dalë. Kjo është karakteristikë e veprimit në masë, por edhe e zhgënjimit nga liderat tradicionalë. Ka një frikë se çdo lider mund të kapet nga politika e vjetër ose nga pushteti. Ndërkohë pjesëmarrësit në tubime politike kanë hyjnizim të liderit karizmatik dhe besnikërinë ndaj tij e quajnë vlerë etike bazë.

5. Motivimi qendrestar. Sado opozita ka bërë rrezistencë ndaj pushtetit, ka qenë e qartë që partia opozitare tradicional nuk arrinte të mblidhte në mitingje njerëz që ishin të gatshëm për të qendruar disa orë, dhe disa ditë, në protesta. Vinin, protestonin, iknin. Kjo lidhej edhe me faktin se vinin nga rrethet në shumicën e tyre, por edhe si kanë qenë të detryuar nga angazhimet e tjera të përditshme, por edhe për një lloj përtacie politike. Kurse ata që marrin pjesë deri tani në takimet e kryeministrit qendrojnë edhe më pak kohën në takime, janë si të thuash më të qetë në komunikim, dhe sigurisht iu takojnë shtresave që kanë një status të caktuar në administratë ose janë të privilegjuar nga rrethana kontekstuale nga pushteti. Kurse protestuesit e sotëm paraqesin një protestë që asnjë teori konspiracioniste nuk i shpjegon dot, veç një vullneti psikologjik të qendrueshëm, një rrezistence që vjen nga motive të forta dhe një vazhdueshmëri të përditshme që do të shihet sa do të vazhdojë.

6. Serioziteti në komunikim shoqëruar sigurisht edhe me një lloj ligjërimi të ashpër, të drejtpërdrejtë, kritik. Sloganet e vjetra politike duket se janë lënë pas, dhe mbi të gjitha dallohet në parrulla një ironi e thellë politike, e shoqëruar me një ikje dhe zbehje nga parrullat fillestare ideologjikisht ekstreme, por edhe në një komunikimi që vazhdon për të intimiduar dhe vënë para përgjegjësisë liderat kryesorë të politikës postkomuniste. Kurse Kryeministri ka zgjedhur që ligjërimin ta shmangë nga hullia politike, ta fusë në një tematikë ambjentaliste të kufizuar, ta pelikanizojë krizën e sotme politike, si edhe të japë shfaqje humori në skenë, të çuditshme për një kryeministër, që paraqitet edhe si një one man show ose parodist, çka përbën një komunikim të një lloji tjetër.

7. Këndi i vështrimit i problematikave shqiptare. Politika tradicionale bazohet kryesisht te argumenta tekniciste, mbivlerëson ideologjikisht, se në praktikë është tjetër gjë, investimin e huaj, projektet gjigandomane në rrugë, aeroporte, resorte, i jep përparësi kategorive financiare dhe ekonomike si fitimi, cilësia e shërbimit, investimi, etj. Kurse protestuesit e vënë theksin te ideja se përmbi konceptet ekonomike ideologjike ose propagandistike, është se shqiptarët duhet të respektohen si qytetarë, të drejtat e tyre politike, juridike, sociale, pronësore, etj. Gjithsesi deri tani teknicienët, intelektualët, pedagogët, etj., përgjithësisht qendrojnë të heshtur, të rezervuar, të tërhequr.

8. Duke qenë më të hapur ndaj një ndërgjegjeje kozmopolite, protestuesit aspak paradoksalisht nuk kanë asnjë kompleks inferioriteti ose hyjnizimi ndaj të huajve, sikurse ka qenë deritani tradita në Shqipëri. Duket se ka ardhur një moment historik kur të rinjtë si nga përvoja e emigrantëve, ashtu edhe nga kontakti komunikativ me një botë globale, kanë një bashkëjetesë psikologjike brenda tyre. Pra kanë një ndërgjegje të hapur kozmopolite që nuk bie në konflikt por përkundrazi përforcon psikologjinë kolektike patriotike, madje ndonjë herë edhe me nota nacionaliste. Për ta patriotizmi si edhe lufta kundër korrupsionit përbën mekanizmin e zgjidhjes së problemeve shoqërore. Qartësia e tyre duket: Shkaku i problemeve është një klasë politike që ka monopolizuar pushtetin, pastaj është korruptuar, dhe për rrjedhojë është dorëzuar përpara çdo presioni dhe është gati të sakrifikojë interesat e shqiptarëve për interesa egoiste materiale.

9. Pozita sociale. Duket se pjesëmarrësit në tubimet kryeministrore kanë një status social të caktuar dhe përbëjnë shtresa që zënë një pozitë disi të privilegjuar në shoqëri. Deputetë, nëpunës, analistë të paguar mirë, biznesmenë, pensionistë me të ardhura të qendrueshme, çka janë një pakicë në raport me shtresën e pensionistëve, etj. Kurse edhe nga mosha, protestuesit nuk kanë një status social të garantuar për të ardhmen dhe kanë sigurisht ankthe për jetën që kanë përpara, si edhe nevoja për shëndetësi, arsimim, banesë.

10. Statusi social virtual. Tenorët e propagandës së partive politike tradicionale, sidomos ata të pushtetit kanë fituar në vite reputacionin e tyre nëpërmjet karrierave politike. Janë bërë të njohur në vite nga dalja e vazhdueshme dhe e tepruar në mediat konvencionale, ose për shkak të fushatave elektorale. Kurse ata që kanë reputacion te masa e protestuesve e kanë krijuar këtë kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale ose duke qenë gazetarë jo të politikës në media. Por, kryesisht kemi influencën e rrjeteve sociale në krijimin e reputacionit të personazheve protestuese te opinioni politik mbështetës.

Publikohen rezultatet e provimit të gjuhës së huaj, ja ku mund ta gjejnë notën e tyre maturantët

0
Publikohen rezultatet e provimit të gjuhës së huaj, ja ku mund ta gjejnë notën e tyre maturantët

Janë publikuar notat e provimit të gjuhës së huaj për maturantët.

Në linkun e shpërndarë nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, të gjithë maturantët mund të gjejnë notën e tyre.

https://qsha.gov.al/wp-content/uploads/2026/06/Publikimi-i-Rezultateve.pdf

Sot protesta e 12-të kundër qeverisë, qytetarët rikthehen në shesh: Rama jep dorëheqjen!

0
Sot protesta e 12-të kundër qeverisë, qytetarët rikthehen në shesh: Rama jep dorëheqjen!

Pas protestave masive të zhvilluar deri më tani një ditë më parë, qytetarët pritet të rikthehen sërish sot në shesh për ditën e 12-të radhazi të tubimeve kundër qeverisë.

Protesta, e cila nisi si kundërshtim ndaj projekteve të ndërtimit në zonën e Zvërnecit, është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë qytetare, ku kërkesat kryesore mbeten ndalimi i ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama së bashku me kabinetin qeveritar.

Ndërkohë, protesta ka kapërcyer kufijtë e Tiranës, duke gjetur mbështetje edhe në qytete të tjera të vendit, si dhe mes shqiptarëve të diasporës, të cilët kanë organizuar tubime solidarizuese në vende të ndryshme të Europës.

Dita e djeshme shënoi pjesëmarrjen më të madhe qytetare që nga nisja e protestave. Pas fjalimeve dhe thirrjeve përpara Kryeministrisë, mijëra qytetarë marshuan për disa orë në rrugët kryesore të Tiranës, duke vijuar protestën deri afër mesnatës.

Ashtu si në ditët e mëparshme, edhe sot pritet të dëgjohen sloganet që janë kthyer në refren të përditshëm të protestës: “Rama jep dorëheqjen”, “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Shqipëria e re”.

Boshatiset ‘Hambari i Myzeqesë’, këtë vit 6 mijë tonë grurë më pak se vjet! Fermerët: Ne kemi kosto, vjen më lirë nga Serbia

0
Boshatiset ‘Hambari i Myzeqesë’, këtë vit 6 mijë tonë grurë më pak se vjet! Fermerët: Ne kemi kosto, vjen më lirë nga Serbia

Në Boçovë të njësisë administrative Levan, kanë mbetur vetëm tre fermere nga 60 që numëroheshin dikur, te cilet kane kultivuar 30 ha me grure.

Kultivuesi, Ismet Gega, pohon se arsyet kryesore janë shpopullimi masiv dhe mungesa e tregut.
“Ka rënë konsumi. S’ka njerëz që ta blejnë. Unë e kam çuar nëpër pulari sepse s’ka konsum të brendshëm”, tha Gega.

E njteja situate ne Shënpjetër ku jane 7 ha me grure nga 180 që kultivoheshin dikur. Per fermerin Mili Sako, problem eshte konkurenca e padrejte.

“S’ka cilësi gruri ynë, kështu na thonë ata të fabrikave, ndërsa nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut e marrin ata grurin se vjen me ccmim më të lirë. Ne nuk na mbshtet shteti ndaj kemi shkuar në këtë pikë”, thekson ai.

Ndersa fermeri Ilirjan Jano ne zonën e Rrethlibofshës thote se ka rene prodhimi pasi pesticidet jane te shtrenjta dhe farërat jo cilësore.

“S’ka rendiment se farërat janë pa cilësi. Ka shumë shpenzime për ta kultivuar dhe më pas nuk e shesim dot”, tha Jano.

Sipas të dhënave nga Drejtora e Bujqësisë Fier, në vitin 2025 sipërfaqja e mbjellë me grurë arrinte në 8 954 ha, ndërsa në vitin 2026 ka zbritur në 7 127 ha.

Pra një tkurrje e ndjeshme prej 1 800 hektarësh. Per pasoje, prodhimi i pritshem kete vit eshte 28 707 ton nga 34 884 tonë qe ishte në vitin 2025.

Dikur Myzeqeja konsiderohej “Hambari i Shqipërisë”, , ndërsa sot shifrat tregojnë një realitet krejt tjetër: Prodhimi po bie cdo vit, duke ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e kësaj kulture tradicionale ne vend…

Marsela Topi shqiptarja.com

Rama nga Fieri: Protestat për mjedisin po keqpërdoren, një pjesë e qytetarëve kanë rënë pre e manipulimit

0
Rama nga Fieri: Protestat për mjedisin po keqpërdoren, një pjesë e qytetarëve kanë rënë pre e manipulimit

Gjatë takimit të organizuar në Apoloni me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste në Fier, Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet e fundit dhe protestat e zhvilluara në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kreu i qeverisë e cilësoi lëvizjen qytetare si një kauzë të përdorur, duke theksuar se pas retorikës mjedisore fshihen përplasje më të gjera gjeopolitike dhe fushata dezinformimi.

Sipas kryeministrit, vëmendja e paprecedentë nga jashtë vendit nuk vjen nga shqetësimi i sinqertë për ekosistemin lokal, por për shkak se Shqipëria është kthyer në një pikë rëndese për interesa të ndryshme.

Duke analizuar profilin e protestuesve dhe thirrjet e përdorura gjatë tubimeve në kryeqytet, Rama sqaroi se nuk i konsideron qytetarët si të nxitur nga agjentura të huaja, por vlerëson se një pjesë e mirë e tyre kanë rënë pre e narrativave fiktive dhe manipulimit politik nga formacionet e reja.

“Nuk them se njerëzit që dalin në protestë janë agjentë apo të futur nga agjentura. Por përveç një pjese që janë këta politikanët e rinj të partive të reja që u vjetëruan shpejt, është edhe një pjesë njerëzish që kanë rënë pre e kësaj.

Ata që shqetësohen për mjedisin dhe që ‘Shqipëria nuk shitet’ ju duket gabimisht se bota është bota me ta. Gjithë ai sistem mediash në Evropë dhe Amerikë ju duket sikur po luftojnë për mjedisin e tyre. E menduar kështu është shumë naive.

”Kryeministri vuri në dukje se mbulimi masiv mediatik ndërkombëtar nuk justifikohet nga “dhimbja për flamingot e Zvërnecit”, por reflekton një përdorim të situatës së brendshme për agjenda të tjera.

Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e dhjetë në kryeqytet

0
Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e dhjetë në kryeqytet

Në ditën e dhjetë të protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” me thirrjet e zakonshme për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve dhe kundër shitjes së pasurive kombëtare.

Pas grumbullimit në shesh, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u rigrumbulluar përpara Kryeministrisë.

Aktivisti Alben Kola bëri thirrje për t’iu bashkuar protestës së banorëve të Rrjollit në datën 13 qershor pasi sipas një protestuesi, aty janë vendosur gardhe të rinj.

“Nga Zvërneci deri në Rrjoll, sot Shqipëria po thotë boll”, ishte thirrja më e re e protestës.

Në pritje që më shumë qytetarë t’i bashkoheshin protestës, përfaqësuesi i grupit koordinues tha se protesta nuk është vetëm për flamingot, por edhe për 1001 hallet që ka populli shqiptar.

Ndaj sot, sipas tij, bashkohet në protestë edhe flamuri amerikan.

Marshimi nisi, sipas thirrjes së grupit koordinues, me gratë dhe fëmijët në krye.

Ndërsa u mblodhën para Kryeministrisë, kanë nisur dhe fjalimet 3-minutëshe. Përfaqësuesja e grupit koordinues tha se në shesh nuk janë 2 mijë persona, por është e gjithë rinia shqiptare.

“Shqiptarët janë bërë bashkë për të shpëtuar vendin nga të gjitha padrejtësitë e shumë viteve, ndërsa shumë të rinj jetojnë jashtë se nuk kanë gjetur mundësi në vendin e tyre”, tha ajo, ndërsa vuri theksin se në protestë janë pa parti politike.

Një protestuese tjetër foli për Rrjollin pasi prej katër muajsh proteston atje. “Rrjolli nuk është kundër investimeve por kundër grabitjes së pronave.

Është prej korridoreve ekologjike më të rëndësishme të BE dhe I bëj thirrje BE të kthejë sytë nga Rrjolli”, tha protestuesja Luçiana Kokaj.

Sipas saj, janë 180 specie zogjsh që shtegtojnë e kanë ndalesën e tyre në Rrjoll që është zonë e mbrojtur.

Sipas saj, dje banorët janë zgjuar me tokën e tyre të rrethuar me tela me gjemba.

Një tjetër protestues duke folur në protestë tha se porti i Durrësit është krim shtetëror. Një ish-student pjesëmarrës në protestat e studentëve ngriti pyetjen se pse 35 vite me të njëjtat premtime asgjë nuk është realizuar.“Kanë krijuar një komunizëm hibrid, kanë çdo gjë në dorë dhe nuk e lëshojnë pushtetin sepse nëse mbaron tranzioni kanë frikë të japin llogari”, tha ai.

Sipas tij, kërkohet system i ri ku njerëzit të kenë besim të drejtësia dhe te njëri-tjetri.Një vajzë e ardhur nga jashtë për të folur në protest iu drejtua protestuesve si fytyra e Shqipërisë së re.

Sipas saj, ky është moment historik pasi për herë të parë pas 35 vitesh shqiptarët bashkohen pa dallim partie dhe tregojnë se nuk nëpërkëmben nga askush.

Protestues të tjerë kërkuan shpjegime se si po bëhet vlerësimi i ndikimit në mjedis pa pasur project për ndërtim në Zvërnec.

Njëri prej tyre u ndal te kërkesa për negociata, duke thënë se nuk ka negociata me Kryeministrin Rama. Të tjerë kërkuan lidhjen e besës për mbrojtjen e të gjitha zonave natyrore në Shqipëri.

Protestuesit thirrën në kor edhe UÇK ndërsa fjalën e mori një aktivist që nga Mallakastra shkoi në Kosovë kur atje ishte nevoja.

“Mos na detyroni të ndërmarrim hapa që nuk duam t’i marrim”, tha ai duke iu drejtuar politikanëve duke thënë se ata kanë tradhtuar vendin.

Sipas tij, duhet t’ia lënë vendin një qeverie teknike.Në rast të kundërt, tha ai, këto protesta do përshkallëzohen dhe nuk do të jenë më kaq paqësore.

Një nxënëse e 9-vjeçares tha se ndodhet në protestë se e do vendin. “Duam më të mirën për të ardhmen tonë”, tha ajo.

Aktivisti Gent Progni tha se protestuesit nuk do të lodhen. “Kjo protestë është dhe për SPAK e gjykatat të hetojnë e të fusin kriminelët në burg”, tha ai. Ai u bëri thirrje bizneseve të vogla të mbyllin qepenat dhe të bashkohen me protestën.

Po ashtu, Progni tha se institucionet duhet të rrinë larg protestuesve dhe të mos bëjnë presion.

Nesër është paralajmëruar protestë mbarëkombëtare që u cilësua nga të pranishmit si “Besëlidhja e Tiranës 2026”.

Pas fjalimeve protestuesit nisën marshimin drejt bulevardit dhe rrugëve të tjera të Tiranës.

Bashkia Fier u bën thirrje bizneseve që janë debitore të përfitojnë nga mundësia për fshirjen e detyrimeve

0
Bashkia Fier u bën thirrje bizneseve që janë debitore të përfitojnë nga mundësia për fshirjen e detyrimeve

​NJOFTIM​

Bashkia Fier, përmes Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, njofton qytetarët, pronarët e njësive tregtare dhe bizneset që rezultojnë debitorë për detyrimet vendore, taksat familjare dhe tokën bujqësore, se mund të përfitojnë nga fshirja e plotë ose e pjesshme e detyrimeve, si dhe nga falja e kamatëvonesave dhe gjobave, sipas periudhës së krijimit të tyre.

​Me daljen e Udhëzimit të Ministrisë së Financave nr. 11, datë 14.05.2026, ka nisur zbatimi i ligjit nr. 86/2025 “Për faljen dhe lehtësimin e detyrimeve vendore”, ku detyrimet që i përkasin periudhës deri më 31 dhjetor 2014 fshihen plotësisht, pa kryer asnjë pagesë dhe pa pasur nevojë për asnjë veprim nga ana e taksapaguesve vendorë.​

Për detyrimet e periudhës 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, parashikohen dy alternativa për përfitim:​

Subjektet që kryejnë pagesën deri më 30 qershor 2026 do të paguajnë 50% të detyrimit dhe do t’u falet pjesa e mbetur.​

Subjektet që kryejnë pagesën deri më 31 dhjetor 2026 do të paguajnë 75% të detyrimit dhe do t’u falet pjesa e mbetur.​

Në të dyja rastet falen të gjitha kamatëvonesat dhe gjobat.​

Në rastet kur principali është paguar më herët dhe kanë mbetur vetëm gjobat, edhe këto detyrime falen.

​Për detyrimet e krijuara në periudhën 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024 kërkohet pagesa e plotë e principalit deri më 31 dhjetor 2026 dhe, pas kryerjes së pagesës, falen kamatëvonesat dhe gjobat.​

Për çdo paqartësi ose informacion të mëtejshëm, tatimpaguesit mund të paraqiten pranë sporteleve të Bashkisë Fier dhe sporteleve të njësive administrative.

Vladimir Muçaj rizgjidhet në krye të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë për Qarkun Fier

0
Vladimir Muçaj rizgjidhet në krye të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë për Qarkun Fier

Gazetari i njohur fierak, Vladimir Muçaj, është rizgjedhur në krye të Degës së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) për Qarkun Fier, duke marrë sërish besimin e komunitetit të gazetarëve të këtij qarku.

Zgjedhjet e radhës për drejtimin e degës së UGSH-së u zhvilluan më 6 qershor 2026, në prani të përfaqësuesve të organizatës, ku i deleguar për ndjekjen e procesit ishte koordinatori i UGSH-së, z.Besim Dybeli.

Screenshot

Në garën për drejtimin e degës morën pjesë Vladimir Muçaj dhe gazetarja Laureta Roshi. Pas votimit të fshehtë nga anëtarët e komunitetit të gazetarëve, Vladimir Muçaj u shpall fitues në garë me kolegen e mirënjohur ,Laureta Roshi.

Rizgjedhja e Muçajt konfirmon mbështetjen dhe vlerësimin që ai gëzon në radhët e gazetarëve fierakë, pas një angazhimi të gjatë në mbrojtjen e të drejtave profesionale dhe forcimin e rolit të medias në rajon.

Vladimir Muçaj është një nga emrat më të njohur të gazetarisë në Qarkun Fier. Ai ka kryer studimet në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku është diplomuar me titullin “Gazetar-Mësues”.

Më herët ka përfunduar arsimin e mesëm në shkollën “Asim Vokshi” në Tiranë.

Karrierën profesionale e ka nisur si mësues në rrethin e Mallakastrës gjatë viteve 1981-1996, për t’iu përkushtuar më pas gazetarisë.

Nga viti 1996 deri në vitin 2000 ka qenë gazetar i gazetës “Koha Jonë” për Qarkun Fier, ndërsa në vitet 2000-2010 ka bashkëpunuar me gazetën “Shekulli”, Radio +2 dhe televizionin TeleNorba Shqiptare.

Më pas, gjatë periudhës 2010-2014, ka ushtruar profesionin si gazetar për gazetën “Panorama” dhe TV Ora News, ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2020 ka qenë pjesë e gazetave “Shqip” dhe “Sot”, si dhe kryeredaktor i Radio Star Fier.

Prej vitit 2020 e në vazhdim, Vladimir Muçaj ushtron detyrën e gazetarit dhe Drejtorit Ekzekutiv të medias online “NewsAlbania.al”.

Paralelisht, që nga viti 2010 ai drejton Degën e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Qarkun Fier.

Gjatë karrierës së tij, Muçaj ka marrë pjesë në një sërë trajnimesh profesionale në fushën e gazetarisë dhe marrëdhënieve me publikun, të organizuara nga Instituti i Medias në Tiranë, si dhe në aktivitete ndërkombëtare të zhvilluara në Itali, Greqi, Kosovë dhe vende të tjera.

Rizgjedhja e tij në krye të UGSH-së Fier konsiderohet një vazhdimësi e përpjekjeve për forcimin e komunitetit të gazetarëve, mbrojtjen e standardeve profesionale dhe përfaqësimin e interesave të medias në qark.

Miss Shqipëria 2026, është fierakja Paola Avduli

0
Miss Shqipëria 2026, është fierakja Paola Avduli

Pogradeci u shndërrua mbrëmjen e së shtunës në qendrën e bukurisë shqiptare, ku u zhvillua finalja e spektaklit “Miss Shqipëria 2026”.

Në një skenë të ngritur buzë liqenit të Ohrit, 25 finaliste nga mbarë trojet shqiptare parakaluan përpara publikut dhe jurisë, duke sjellë elegancë, vetëbesim dhe personalitet në garën për kurorën më të rëndësishme të bukurisë në vend.

Pas një mbrëmjeje të mbushur me emocione dhe performanca artistike, juria shpalli fituese të këtij edicioni vajzën nga Fieri, Paola Avdylaj, e cila u kurorëzua Miss Shqipëria 2026.

Në vendet e tjera të nderit, Alesia Sureli u vlerësua me titullin Miss International, ndërsa Enxhi Sterkaj u shpall Miss Earth. Juria ndau gjithashtu edhe titujt e shoqërueseve: Sindi Kuçi u shpall Shoqëruesja e Parë, ndërsa Alisa Zeneli Shoqëruesja e Dytë.

Mbrëmja gala u shoqërua edhe me performanca të artistëve të njohur shqiptarë, mes tyre Devis Xherahu, Fisnikët, Stresi, Stine dhe Stenaldo, të cilët sollën atmosferë festive dhe ritëm për publikun e pranishëm.

Spektakli përmbylli me sukses një tjetër edicion të rëndësishëm të konkursit “Miss Shqipëria”, duke i shtuar historisë së tij një kapitull të ri në zemër të Pogradecit.