Home Blog Page 26

Ndahet nga jeta Kreshnik Tartari, legjenda e volejbollit shqiptar

0
Ndahet nga jeta Kreshnik Tartari, legjenda e volejbollit shqiptar

Volejbolli shqiptar është në zi. Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare Kreshnik Tartari, një prej figurave më të shquara dhe më të respektuara të sportit shqiptar, i cili la gjurmë të pashlyeshme si volejbollist, trajner dhe drejtues sportiv.

Kreshnik Tartari konsiderohet një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e volejbollit shqiptar për femra. Me vizionin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, ai ndërtoi breza të tërë sportistesh që dominuan volejbollin në vend dhe përfaqësuan me dinjitet Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Nën drejtimin e tij, ekipi i femrave i Dinamos u shndërrua në një nga skuadrat më të suksesshme në historinë e sportit shqiptar. Dominimi nisi në vitin 1974, kur skuadra e drejtuar prej Tartarit filloi një epokë të artë, duke fituar 11 tituj kampionë radhazi dhe plot 20 tituj kampionë në total.

Po ashtu, Dinamo arriti rezultate historike edhe në Evropë, duke u renditur dy herë mes katër skuadrave më të mira të kontinentit.I lindur më 21 korrik 1943 në Tiranë, Tartari ishte një nga personalitetet që kontribuoi më së shumti në zhvillimin dhe ngritjen e volejbollit shqiptar në nivelet më të larta.

Edhe si lojtar ai shkëlqeu me fanellën e Dinamos dhe të ekipit kombëtar, duke fituar tituj kampionë dhe trofe të shumtë gjatë viteve më të lavdishme të volejbollit shqiptar.Për kontributin e jashtëzakonshëm në sportin shqiptar, Kreshnik Tartari u vlerësua me një sërë titujsh dhe dekoratash, mes të cilave edhe titulli i lartë “Mjeshtër i Madh”.

Me ndarjen e tij nga jeta, sporti shqiptar humb një ikonë të vërtetë, ndërsa volejbolli humb një prej njerëzve që i kushtoi gjithë jetën zhvillimit dhe suksesit të këtij sporti.

Trashëgimia e Kreshnik Tartarit do të mbetet përherë pjesë e historisë së sportit shqiptar.

Gënjeu për protestën/ Skënder Hita pezullon nga detyra kryepolicin e Vlorës Elidon Çela

0
Gënjeu për protestën/ Skënder Hita pezullon nga detyra kryepolicin e Vlorës Elidon Çela

Drejtori i policisë Vlorë Elidon Çela është pezulluar nga detyra përmes një vendimi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Skënder Hita.

Sipas njoftimit në lidhje me protestën e sotme në zonën e Zvërnecit, u bë një raportim i gabuar nga Policia e Vlorës, e cila tha se një qytetar ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, duke u shprehur se besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.

Po ashtu në njoftim theksohet se lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëhet me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.

Policia e Vlorës, në komunikatën e saj fillestare për protestën në zonën e Zvërnecit, deklaroi se një qytetar ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit duke gënjyer në këtë mënyrë opinionin publik.

Do të krijojmë 10 mijë vende pune/ Reagon kompania ndërtuese në Zvërnec: Trualli, pronë private metër për metër!

0
Do të krijojmë 10 mijë vende pune/ Reagon kompania ndërtuese në Zvërnec: Trualli, pronë private metër për metër!

Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka reaguar zyrtarisht pas tensioneve të regjistruara gjatë ditës së sotme në Zvërnec mes protestuesve dhe përfaqësuesve të projektit. Përmes një deklarate për mediat, kompania ka shprehur keqardhje për atë që e cilëson si “abuzim me ndjenjat e publikut” dhe përpjekje për të përbaltur një investim që parashikohet të kapë vlerën e mbi 4 miliardë eurove.

Sipas kompanisë, rrethimi i vendosur është bërë në zbatim strikt të ligjit mbi një pronë private që ajo disponon. Kompania ka sqaruar se investitorët kanë një karrierë të pakontestueshme ndërkombëtarisht dhe synojnë ta kthejnë Vlorën në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe, duke kontribuar me 3 deri në 4% në GDP-në e vendit brenda 5 viteve të ardhshme.

Në reagimin e saj, kompania ka listuar disa pika kyçe për të sqaruar opinionin publik përballë asaj që e quan “mjegull e abuzimit mediatik”:

Pronësia e tokës: Trualli ku do të zhvillohet projekti është pronësi private “metër për metër”, e blerë nga pronarët e ligjshëm me certifikata pronësie të noterizuara dhe me pagesa të kryera tërësisht përmes sistemit bankar.

Impakti në punësim: Investimi parashikon të krijojë direkt dhe indirekt mbi 10,000 vende të reja pune, duke u kthyer në një motor ekonomik për qarkun e Vlorës dhe mbarë Shqipërinë.

Mbrojtja e mjedisit: Prej dy vitesh janë angazhuar ekspertët më të spikatur globalë për studimet mjedisore, duke garantuar ruajtjen e plotë të biodiversitetit të zonës.

Brandet botërore: Janë lidhur marrëveshje me disa prej brandeve më të njohura të ekselencës botërore në fushën e hotelerisë, restoranteve dhe shërbimeve.

“Dënojmë me forcë çdo akt dhune ndaj pronës private si edhe hedhim poshtë çdo përpjekje që synon disinformimin e publikut. Me këdo që do të përpiqet të na pengojë apo shantazhojë, do të përballemi ligjërisht”, mbyllet reagimi i kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development”.

Reagimi i plotë:

Me keqardhje të thellë që po abuzohet me ndjenjat e publikut në rrjetet sociale dhe po investohet për të përbaltur një sipërmarrje kolosale për turizmin dhe ekonominë shqiptare, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” njofton shtypin dhe opinionin publik si më poshtë:

Në zbatim strikt të legjislacionit shqiptar dhe në dialog të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse, kompania ka arritur të nisë fazën fillestare të një prej investimeve më të mëdha në fushën e turizmit në Detin Mesdhe, duke vendosur sipas ligjit rrethimin e pronës private që ajo disponon.

Teksa kompania është duke zhvilluar projektin final të ndërtimit, me ambicien për të arritur standardet më të larta arkitekturore dhe mjedisore, dhe ende pa u prezantuar projekti, gjendemi të detyruar të japim disa shpjegime:

Investimi parashikohet të arrijë vlerën e mbi 4 miliardë eurove, duke kontribuar me një rritje nga 3 deri në 4% në GDP (Prodhimi i Brendshëm Bruto) e Shqipërisë, në 5 vitet e ardhshme.

Investimi do të kujdeset tërësisht për ruajtjen e mjedisit dhe biodiversitetit të zonës dhe për këtë investitorët kanë angazhuar prej 2 vitesh kompetencat më të spikatura në nivel global, për studimet mjedisore përkatëse. Të cilat padyshim do të ndahen jo vetëm me institucionet, po edhe me publikun.

Investimi do të krijojë direkt dhe indirekt mbi 10.000 (dhjetë mijë) vende të reja pune, duke u bërë një motor i rëndësishëm për ekonominë e zonës, të qarkut Vlorë dhe gjithë Shqipërisë.

Bazuar në eksperiencat e mëparshme të investitorëve, që kanë një portofol ndër më të spikaturit globalisht në fushën e turizmit, kompania beson se investimet dytësore që do të pasojnë do të rrisin ndjeshëm të gjithë zinxhirin e vlerës së ekonomisë vendore, nga vlera e pasurive të patundshme të krejt zonës së Vlorës deri tek diversifikimi i ofertës ekonomike dhe niveli i pagave për zonën.

Investitorët kanë një bilanc kuptimplotë të bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin në çdo investim të tyre, si edhe të përgjegjshmërisë sociale, gjëra që janë pjesë e planifikimit të punës dhe do të nisin bashkë me punën për projektin.

Ndërkohë nënvizojmë sa më poshtë disa të vërteta të mbuluara nga mjegulla e abuzimit mediatik:

Trualli në të cilin do të zhvillohet projekti është pronësi private metër për metër dhe kompania e ka blerë nga pronarët e ligjshëm, me certifikata pronësie të noterizuara. Të gjitha transfertat e blerjeve në lidhje me pronësinë janë kryer përmes sistemit bankar dhe janë lehtësisht të verifikueshme.

Të gjithë punonjësit që janë punësuar apo do të punësohen më tej në projekt janë dhe do të jenë subjekt i kontratave përkatëse sipas legjislacionit shqiptar.

Të gjithë hapat e ndjekur nga kompania janë bazuar në legjislacionin shqiptar dhe në konformitet të plotë me autorizimet përkatëse në çdo hap.

Projekti i ndërtimit, ashtu si edhe ai mjedisor, po finalizohet nga disa studio ndër më të mirat në botë dhe sapo të përfundojë do të ndahet publikisht me të gjithë të interesuarit.

Kompania ka lidhur marrëveshje me disa prej brandeve më të njohur të ekselencës botërore në fushën e hotelerisë dhe shërbimeve të tjera, nga restorantet e baret deri tek aktivitetet sportive apo edukative.

Investitorët kanë një karrierë absolutisht të pakontestueshme dhe zotërojnë kompani të kuotuara në bursat ndërkombëtare, si edhe kapitale të pakontestueshme nga askush. Edhe kompania “Zvërnec South Adriatic Development” nuk do të bëjë asnjë përjashtim në zinxhirin e kompanive të tyre, të cilat janë krenare të mishërojnë ekselencën globale në çdo fushë të aktivitetit të tyre.

Duke dënuar me forcë çdo akt dhune ndaj pronës private si edhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje që synon disinformimin e publikut, kompania kërkon mirëkuptimin dhe durimin e publikut, duke i siguruar të gjithë ata që duan zhvillimin e qëndrueshëm dhe të suksesshëm të Shqipërisë, se nuk do të zhgënjehen kurrësesi nga cilësia absolute e projektit dhe produktit tonë.

“Zvërnec South Adriatic Development” është forca që do të zbatojë një investim ndërkombëtar, me bindjen dhe përkushtimin për ta shndërruar Vlorën në një nga pikat më të preferuara për turizmin botëror, ndërkohë që investitorët e këtij projekti janë miq të padiskutueshëm të Shqipërisë që frymëzohen nga tradita dhe mikpritja legjendare shqiptare.

Le të punojmë të gjithë së bashku, me besim dhe vërtetësi me njëri-tjetrin. Ndërsa me këdo që do të përpiqet të na pengojë apo shantazhojë, do të përballemi ligjërisht.

© BalkanWeb

Dy shërbime të reja në Spitalin Memorial Fier: Kardiokirurgji dhe Kimioterapi Ditore

0
Dy shërbime të reja në Spitalin Memorial Fier: Kardiokirurgji dhe Kimioterapi Ditore

Spitali Memorial Fier do të zgjerojë kapacitetet e tij me dy shërbime të reja të specializuara, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përmirësimin e kujdesit shëndetësor për pacientët.

Bëhet fjalë për ngritjen e shërbimit të Kardiokirurgjisë, i cili do të funksionojë me një ekip të përbashkët turko-shqiptar, si dhe për hapjen e Kabinetit të Kimioterapisë Ditore, që do t’u mundësojë pacientëve onkologjikë të marrin trajtim më pranë vendbanimit të tyre.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, deklaroi se këto investime synojnë të rrisin aksesin dhe cilësinë e trajtimeve të specializuara, duke sjellë standarde të reja shërbimi për qytetarët.

Sipas saj, zgjerimi i shërbimeve në Memorial Fier përfaqëson një tjetër hap drejt forcimit të sistemit shëndetësor dhe ofrimit të kujdesit më cilësor për pacientët në jug të vendit.

5 vite nga hapja e Spitalit Memorial në Fier,ministrja Sala vlerëson spitalin dhe njofton zgjerimin e kapaciteteve

0
5 vite nga hapja e Spitalit Memorial në Fier,ministrja Sala vlerëson spitalin dhe njofton zgjerimin e kapaciteteve

Në Spitalin Memorial Fier do të ngrihen dy shërbime të reja, të cilat shënojnë një fazë të rëndësishme zgjerimi të kapaciteteve të tij mjekësore: Kardiokirurgjia me ekip të përbashkët turk–shqiptar dhe Kabineti i Kimioterapisë Ditore, duke rritur ndjeshëm aksesin dhe cilësinë e trajtimeve të specializuara për pacientët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, në fjalën e saj gjatë ceremonisë së 5-vjetorit të themelimit, vlerësoi rolin dhe funksionimin e Spitalit Memorial si një model suksesi, profesionalizmi dhe besimi në shërbim të mijëra qytetarëve të jugut, ndërsa bëri me dije se tashmë do të shtohen shërbime të rëndësishme si kardiokirurgjia dhe onkologjia, duke përfaqësuar një hap të mëtejshëm në forcimin e kujdesit shëndetësor të specializuar në vend.

“Sot Memoriali po hyn në një fazë të re zhvillimi. Po punojmë për ngritjen e shërbimit të kardiokirurgjisë me ekip të përbashkët shqiptar dhe turk, duke sjellë një tjetër standard të avancuar shërbimi për qytetarët tanë. Po zgjerojmë aksesin në trajtimin onkologjik përmes kabinetit të kimioterapisë ditore, duke ofruar kujdes më pranë pacientëve dhe familjeve të tyre”, deklaroi ministrja Sala.

Gjithashtu, ministrja tha se paralelisht po punohet për forcimin e bashkëpunimit me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, duke rikthyer dimensionin universitar të institucionit dhe duke krijuar mundësi të reja formimi për mjekët e rinj dhe specializantët.

Duke vlerësuar modelin e Spitalit Memorial, ministrja Sala tha se po ndërtohen themelet e një sistemi spitalor më të qëndrueshëm përmes kostifikimit të shërbimeve, zgjerimit të bashkëpunimit me palët e treta, përfshirë siguracionet private, si dhe përmes dixhitalizimit të plotë të proceseve spitalore.

Spitali Memorial Fier shënon 5-vjetorin e hapjes këtë vit. Spitali u inaugurua në vitin 2021 si pjesë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Memoriali është institucioni i parë spitalor ku u implementua Karta e Autonomisë Menaxheriale dhe Financiare, e cila ka sjellë një model më modern dhe efikas administrimi.  Kjo reformë ka ndikuar në rritjen e transparencës, forcimin e përgjegjshmërisë dhe përmirësimin e menaxhimit të burimeve, duke i dhënë spitalit më shumë mundësi për të zhvilluar shërbime cilësore dhe për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të pacientëve.

Shqiptarët “mjeshtër” të ryshfetit, renditen të dytët në Europë, në raport me popullsinë

0
Shqiptarët “mjeshtër” të ryshfetit, renditen të dytët në Europë, në raport me popullsinë

Kultura e ryshfetit në Shqipëri është një dukuri e zakonshme. Percpetimi është që nëse nuk paguan nuk mbaron asnjë punë në administratë, nuk të shërbehet në spitale, apo në institucione të tjera.

Ndonëse vitet e fundit shumë shërbime janë online, të dhënat e fundit të Eurostat treguan se veprat penale të regjistruara për dhënie ryshfeti në Shqipëri për vitin 2024 mbeten të larta në raport me popullsinë.

Sipas Eurostat, në vitin 2024 u regjistruan 261 procedime penale për ryshfet, ose 10.9 procedime për 100 mijë banorë. Me këtë nivel, shqiptarët renditen të dytët në Europë për dhënie ryshfeti në raport me popullsisë, pas Hungarisë, që ka një rekord prej 39 procedime për 100 mijë banorë.

Hungaria kryeson dukshëm renditjen, me 38.99 procedime për 100 mijë banorë, një nivel shumë më i lartë se të gjitha vendet e tjera. Hungaria është përballur prej vitesh me kritika ndërkombëtare për korrupsionin dhe dobësitë në zbatimin e masave kundër ryshfetit.

OECD ka shprehur shqetësim për nivelin e ulët të zbatimit të ligjit ndaj ryshfetit ndërkombëtar në Hungari dhe për mungesën e progresit në rekomandimet e mëparshmeMegjithatë, Eurostat thekson se të dhënat për veprat penale të regjistruara nga policia duhet të interpretohen me kujdes, pasi ato ndikohen nga ndryshimet në legjislacion, mënyrat e regjistrimit, praktikat e raportimit dhe intensiteti i zbatimit të ligjit në secilin vend.

Në rastin e Hungarisë, niveli i lartë mund të lidhet edhe me mënyrën se si autoritetet regjistrojnë rastet e ryshfetit dhe me fokusin më të madh të organeve ligjzbatuese te kjo kategori veprash.

Në rastin e Shqipërisë, niveli i lartë i procedimeve për ryshfet lidhet me një kombinim faktorësh: prani të fortë të korrupsionit të vogël në shërbimet publike, kulturë të gjatë informaliteti dhe rritje të fokusit të institucioneve ligjzbatuese te veprat e korrupsionit.

Komisioni Europian ka theksuar se korrupsioni mbetet një fushë serioze shqetësimi për Shqipërinë, pavarësisht progresit të reformës në drejtësi dhe rolit në rritje të SPAK në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Edhe të dhënat e Transparency International tregojnë se perceptimi për korrupsionin në sektorin publik mbetet problematik.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2024, Shqipëria mori 42 pikë nga 100 dhe u rendit e 80-ta globalisht, çka e vendos ende larg vendeve të Europës Perëndimore. Një studim i mëparshëm i UNODC dhe INSTAT për korrupsionin në Shqipëri tregonte se ryshfeti shihej nga shumë qytetarë si praktikë e zakonshme, ndërsa më pak se 1% e atyre që përballeshin me ryshfet e raportonin rastin.

Në Shqipëri, që nga 2016-a kur raportohen të dhënat, numri më i lartë i procedimeve u shënua në vitin 2022 me 495 të tilla.

Në rajon, Shqipëria qëndron ndjeshëm më lart se vendet e tjera. Mali i Zi ka 4.01 procedime për 100 mijë banorë, Kosova 2.24, Serbia 1.83, Maqedonia e Veriut 1.2, ndërsa Bosnjë-Hercegovina nuk shfaqet në këtë grafik për këtë kategori. Diferenca e madhe e Shqipërisë me vendet fqinje tregon se ryshfeti mbetet një fenomen i pranishëm në marrëdhënien mes qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve publike.

Në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore, procedimet për ryshfet janë shumë më të ulëta në raport me popullsinë. Italia ka 0.52 procedime për 100 mijë banorë, Portugalia 0.48, Zvicra 0.41, Danimarka 0.32 dhe Spanja vetëm 0.18. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se korrupsioni mungon, por tregon se ryshfeti i drejtpërdrejtë në shërbime të përditshme është më pak i përhapur ose më pak i regjistruar si vepër penale.

Në këto vende, korrupsioni shpesh shfaqet në forma më të sofistikuara, si konflikt interesi, ndikim në tendera, lobim i pandershëm apo favorizim në kontrata publike. Ndërsa në vendet me institucione më të dobëta, ryshfeti mbetet më i prekshëm për qytetarin e zakonshëm, në shërbime administrative, shëndetësi, polici, arsim apo marrëdhënie me pushtetin vendor.

Burimi: monitor.al

Zbardhet lista me emra, kush janë demokratët që u përjashtuan nga Këshilli Kombëtar i PD

0
Zbardhet lista me emra, kush janë demokratët që u përjashtuan nga Këshilli Kombëtar i PD

Kreu i Partisë Demokratike ka ‘spastruar’ listën e vjetër të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke hequr na përbërja e vjetër dhe duke mos rikandiduar një sërë figurash nga radhët e demokratëve.

Në një krahasim të listave dhe përbërjes së vjetër të Këshillit Kombëtar, bie në sy fakti se jashtë janë lënë rreth 36 demokratë, të cilët nuk janë përfshirë në listën  e re të kandidaturave të propozuara për t’u votuar nga Kuvendi Kombëtar i PD.

Nga radhët e PD bie në sy largimi i Aldo Bumçit, Andi Mustafait, Arben Imamit, Bujar Kapexhiut, Julian Dedës, Rudina Hajdarit dhe Robert Budinës.

Lista e demokratëve që përjashtuan nga Këshilli Kombëtar i PD:

  1. Aldo Bumci
  2. Andi Mustafai
  3. Arben Imami
  4. Bujar Kapexhiu
  5. Dorel Memoçi
  6. Eliona Gremi
  7. Elton Bano
  8. Esmeralda Metko
  9. Fatbardha Kadiu
  10. Florin Kurmekaj
  11. Florion Mima
  12. Gentian Mishova
  13. Ibrahim Morina
  14. Imanuel Çaushaj
  15. Irena Progni
  16. Julian Deda
  17. Klara Bici
  18. Klaus Shaqiri
  19. Lediana Fratari
  20. Lorin Hoxha
  21. Malbor Duka
  22. Matilda Qyrku
  23. Mariglen Kurtballaj
  24. Minushe Lazaj
  25. Nadire Meçorapaj
  26. Osman Stafa
  27. Qemal Çejku
  28. Robert Budina
  29. Rudina Hajdari
  30. Sajmir Mulgeci
  31. Shkëlqim Hoxha
  32. Spiro Vaso
  33. Voltana Ademi
  34. Xheraldo Dashi
  35. Xhulian Guçe
  36. Zyrafete Kulla

Rrethim dhe protestë. Çfarë po ndodh në Zvërnec?

0
Rrethim dhe protestë. Çfarë po ndodh në Zvërnec?

Punimet kundër rrethimit me tela me gjemba të plazhit të Pishë Poros, pjesë e peizazhit të mbrojtur natyror Vjosë-Nartë, kanë nxitur protesta nga organizata mjedisore dhe banorë të zonës, të cilët kundërshtojnë projektin që po zhvillohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.

Gjatë protestës së zhvilluar të shtunën, protestuesit tentuan të hyjnë në kantierin e ndërtimit, ndërsa u përballën me punonjës të sigurisë private të kontraktuar nga kompania. Në pamjet e publikuara nga vendngjarja shihen momente tensioni, ndërsa raportohet se është përdorur spraj me piper ndaj protestuesve por edhe Policisë së Shtetit.

Ngjarja ka ngjallur reagime publike për shkak të pranisë së punonjësve të sigurisë private me fytyra të mbuluara dhe përdorimit të mjeteve të forcës gjatë përballjes me protestuesit.

Ndërkohë, edhe qeveria ka reaguar për projektin. Kryeministri Edi Rama deklaroi se prona ku po zhvillohet investimi është pronë private dhe jo tokë shtetërore, duke mohuar pretendimet për falje të pasurisë publike.
Sipas Ramës, investitorët kanë sigu uar pronën nga pronarë privatë dhe projekti po zhvillohet mbi këtë bazë.

Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka nisur punimet përgatitore dhe rrethimin e kantierit bazuar në lejen e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit.

“Më vjen natyrshëm të them edhe për këtë zhurmën e madhe që është ngritur për një lajm të rremë sa s’thuhet, që me demek shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë, sepse nuk po fal asgjë, sepse shteti atje nuk ka asgjë, sepse është një pronë private dem baba dem. Investitorët që janë përfshirë atje, janë tejet seriozë, të cilët e kanë marrë nga privatët. Ndërkohë që shteti po, shteti ka pasuri në anën tjetër të projektit, që është Ishulli i Sazanit, ku ende sot nuk kanë mbaruar negociatat, pasi korporata shqiptare e investimeve është pjesë e projektit.

Shteti shqiptar do të jetë aty dhe toka shqiptare e ishullit, do të jetë aty e shtetit shqiptar. Koncesioni i markimit të naftës dhe të pullave fiskale kanë qenë të dështuara. Sot nuk janë më koncesione, por janë aktivitet të ligjzbatimit, që po i bën një kompani publike me përfshirjen e një partneriteti shtetëror që janë Emiratet e Bashkuara dhe me ekselencën që vjen pastaj nga privati”, tha kryeministri Rama dje.

Zona e Zvërnecit dhe e Pishë Poros është një prej zonave bregdetare më të njohura të jugut të Shqipërisë dhe mban statusin e Peizazhit të Mbrojtur. Ajo përfshin lagunën e Nartës dhe disa monumente natyrore, të njohura për biodiversitetin dhe praninë e shpendëve migrues./L.F-dritare.net

Përfitojnë mijëra emigrantë shqiptarë, Gjykata e Lartë në Greqi rrëzon kushtin e të ardhurave minimale për përfitimin e shtetësisë

0
Përfitojnë mijëra emigrantë shqiptarë, Gjykata e Lartë në Greqi rrëzon kushtin e të ardhurave minimale për përfitimin e shtetësisë

Sipas gjykatës, autoritetet duhet të vlerësojnë në tërësi situatën e aplikantit, duke marrë parasysh faktorë si punësimi i qëndrueshëm, aktiviteti ekonomik, pagesa e taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore, si dhe lidhjet e krijuara me jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit.

Gjykata e Lartë e Greqisë ka marrë një vendim (nga i cili përfitojnë edhe shqiptarët pa shtetësi greke) që të huajt që aplikojnë për shtetësi greke nuk janë të detyruar të provojnë një nivel minimal të ardhurash vjetore për të fituar shtetësinë.

Në vendimin e publikuar më 27 maj 2026, gjykata thekson se të ardhurat e aplikantit janë vetëm një nga elementët që administrata merr në konsideratë për të vlerësuar integrimin e tij ekonomik dhe social në Greqi, por nuk përbëjnë kusht të detyrueshëm apo vendimtar.

Pra, mungesa e një page të lartë apo e një niveli të caktuar të ardhurash (rroga bazë plus 10% për çdo antëarë të familjes) nuk mund të çojë automatikisht në refuzimin e shtetësisë.

Sipas gjykatës, autoritetet duhet të vlerësojnë në tërësi situatën e aplikantit, duke marrë parasysh faktorë si punësimi i qëndrueshëm, aktiviteti ekonomik, pagesa e taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore, si dhe lidhjet e krijuara me jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit.

Gjykata argumenton se legjislacioni grek nuk parashikon një prag minimal të ardhurash si kusht për marrjen e shtetësisë.

Për këtë arsye, një kërkesë nuk mund të refuzohet automatikisht vetëm për shkak se aplikanti nuk arrin një nivel të caktuar të ardhurash, nëse ekzistojnë prova të tjera që tregojnë integrimin e tij në shoqërinë greke.

Vendimi pritet të ketë ndikim në shqyrtimin e kërkesave për marrjen e shtetësisë greke, pasi kufizon mundësinë e administratës për ta përdorur nivelin e të ardhurave si kriter përjashtues për marrjen e shtetësisë greke.

Për vite me radhë, shumë emigrantë përballeshin me praktikën administrative ku kërkohej të provonin të ardhura të konsiderueshme vjetore për të kaluar filtrin e “integrimit ekonomik”.

Ekspertët e çështjeve të emigracionit në Greqi e konsiderojnë këtë një fitore të rëndësishme për të drejtat e emigrantëve dhe një rikthim te fryma reale e integrimit social, përtej kritereve të “thata” ekonomike.

Për mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej dekadash në Greqi, ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt një trajtimi më të drejtë në procesin e marrjes së shtetësisë.

R.Xh/Shqiptarja.com

Protesta kundër resortit në Zvërnec/ Pse policia e shtetit nuk ndërhyn dhe kush janë personat me maska që përdorin spraj me piper?

0
Protesta kundër resortit në Zvërnec/ Pse policia e shtetit nuk ndërhyn dhe kush janë personat me maska që përdorin spraj me piper?

Rrethimi me tela me gjemba i një sipërfaqeje të konsiderueshme pranë lagunës së Nartës, në kufi me fshatin Zvërnec ka ngritur alarmin për shkatërrim të zonës së mbrojtur.

Organizatat mjedisore dhe disa banorë të zonës dolën sërish në protestë këtë të shtunë, duke kërkuar ndërprerjen e punimeve me argumentin se po shkatërrohet natyra.

Protestuesit tentuan të hyjnë në kantier dhe u përplasën me policinë private, të kontraktuar nga kompania që po kryen investimin “Zvërnec South Adriatic Development”.

Protesta ka nxitur reagim publik sepse policët privatë që shfaqen të maskuar, hedhin spraj me piper ndaj protestuesve.Siç shihet në këto pamje një grua ka pësuar gjendje të fikëti.

‘Maskat’ në kantierin e ndërtimit nuk kursejnë as uniformat blu.

Ajo që nuk dihet është se me çfarë autorizimi ata përdorin spraj kundër protestuesve dhe policëve?

Për situatën e tensionuar ka reaguar në rrjetet sociale edhe Adriatik Lapaj, kreu i Shqipëria Bëhet.

“Askush nuk mund të marrë zvarrë shqiptarët. Junta e Edi Ramës duhet rrezuar. Ligjet për investimet strategjike duhen shfuqizuar”, thotë ai.Mbetet e paqartë pse policia e shtetit – në rast se protestuesit janë në shkelje të ligjit – nuk ndërhyn drejtpërdrejt, por qëndron në distancë.

Ndërkohë edhe nëse nuk ka shkelje të ligjit që kërkon ndërhyrjen e policisë së shtetit, pse po lënë hapësirë që situata të menaxhohet nga një forcë tjetër e maskuar që ngjan si paraushtarakë?!

Policia e Vlorës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ende nuk kanë reaguar për situatën. Paralelisht në Sheshin e Flamurit u zhvillua një tjetër protestë e thirrur në rrjetet sociale nga aktivistët Sazan Guri dhe Klajdi Kola, e cila pati pjesëmarrje të ulët dhe nuk u shënuan incidente.

Shqiptarja.com