Prej 10 prillit ka hyrë në fuqi një urdhër i kryepolicit Skënder Hita për heqjen e patrullave të Policisë Rrugore në të gjitha akset nacionale dhe jo vetëm në vend. Urdhri argumentohet me vonesat që shkaktohen nga ndalesa të tilla, ndërsa ndëshkimet e shkelësve të bëhen vetëm përmes aparaturave të teknologjisë.
Policia Rrugore si pikë kontrolli në rrugët nacionale dhe zona të tjera të vendit, tashmë i përket së kaluarës. Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në kuadër të riorganizimit të punës së uniformave blu, shërbimet e dukshme të bluve si pika kontrolli nuk do të ekzistojnë më.
Në telegramin e shpërndarë drejt të gjitha drejtorive vendore vend, kryepolici Hita e argumenton këtë urdhër me shqetësimet e ngritura nga qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve për ndalimet rutinë, të cilat sipas tyre janë kryer pa një bazë të qartë ligjore, si edhe për vonesat e panevojshme të shkaktuara gjatë udhëtimeve.
Sipas udhëzimeve të reja, shkeljet e qarkullimit rrugor duhet të evidentohen kryesisht përmes teknologjisë, duke përdorur radarët e shpejtësisë në mënyrë automatike, si edhe dronët monitorues. Në vijim, në disa akse të rëndësishme në vend pritet të instalohen kamerat inteligjente në kuadër të projektit “Smart City”, dhe në këtë formë prania e policisë në formë fizike është e panevojshme.
Megjithatë, për shkak të rasteve specifike dhe situatës kur konstatimi i shkeljeve në prezencë të drejtuesve të mjeteve, telegrami udhëzon që të hartohet një plan i qartë masash për pikat e kontrollit dhe në krye të tyre të jenë shefat e sektorëve apo seksioneve të policisë rrugore.
Ky vendim i Hitës, i hyrë tashmë në fuqi që prej 10 prillit, pritet të shihet me sy pozitiv nga qytetarët edhe sa i përket një fenomeni të shëmtuar të bluve, rastet e korrupsionit të vogël, të cilat tradicionalisht janë bërë për të shmangur shoferët për marrjen e gjobave me vlera të mëdha.
Mes dhjetërave reagimeve pas situatës së vështirë që po kalon skuadra e Apolonisë dhe rrezikut real për rënien në kategorinë e dytë, spikat edhe ai i ish-futbollistit të shquar fierak të “Epokës së Artë” 85-90, sulmuesit Albert Stroni.
Në një koment në faqen tonë “FIERI”, ai nuk ka kursyer kritikat ndaj drejtimit aktual të klubit, duke ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si po menaxhohet ekipi fierak nga presidenti Koço Kokëdhima.
“Po të kishte dinjitet, duhet të ikte nga drejtimi i klubit tonë të dashur. Është një ‘biznesmen’ që s’do t’ia dijë për dashurinë që kanë fierakët për ekipin e tyre dhe e ka si një formë tjetër për të fituar lekë.”
Sipas tij, një nga gabimet më të mëdha është mosvlerësimi i talenteve të rinj:
“Djemtë që dolën kampionë të 19-vjeçarëve duhet të ishin baza e këtij ekipi, bashkë me trajnerin e tyre.”
Ky reagim vjen në një moment kritik për Apoloninë, teksa rezultatet negative dhe mungesa e një projekti të qartë po e çojnë klubin drejt një prej krizave më të mëdha në historinë e tij.
Ndërkohë, tifozët fierakë vazhdojnë të kërkojnë ndryshime të menjëhershme, për të shpëtuar një nga ekipet më tradicionale të futbollit shqiptar.
Erjon Bufasi dhe Afrim Çela janë dy fermerë nga Gjaza e Lushnjës që kanë bashkuar kapitalin dhe prodhojnë afro në 300 ton domate në vit. Ata tregojnë për Report TV se pjesa më e madhe e prodhimit shkon në tregjet e Bashkimit Europian.
Në fshatin Gjazë të njësisë vendore Krutje, në zemër të zonës bujqësore të Lushnjes, dy fermerë kanë zgjedhur një rrugë ndryshe. Në vend të punës individuale, ata kanë bashkuar forcat.
Prej disa vitesh, Erjon Bufasi dhe Afrim Çela kanë investuar së bashku në ngritjen e rreth tre hektarëve sera diellore, duke krijuar një model bashkëpunimi që sot po jep rezultate konkrete.
Prodhimi shkon për eksport pak mbetet për tregun vend. Prodhimi është i pastër dhe i certifikuar. Domaten e shesim aktualisht me 1.8 euro (me shumicë). Ishte me 2.2 euro deri para disa ditësh por tani sa më shumë shtohet prodhimi aq më shumë ulet edhe çmimi”, tha fermeri Erjon Bufasi për Report TV.
Në këto sera, çdo detaj është i menduar me kujdes. Nga përzgjedhja e farave, tek përdorimi i plehrave të kontrolluara dhe deri tek metodat moderne të mbrojtjes së bimëve. Një rol të veçantë luajnë bletët, të cilat futen në serë gjatë lulëzimit për të mundësuar pllenimin natyral të bimëve.
“Prodhimi është bio! Pllenimi bëhet me bletë. Pjekja është e ngadaltë se nuk përdorim pesticide. Këtu bëhen testime të vazhdueshme nga grumbulluesi që e merr prodhimin për eksport”, tregon fermeri, Afrim Çela për Report TV.
Në këto tre hektarë sera, prodhimi i domates arrin mesatarisht nga 240 deri në 250 ton në vit, ku pothuajse e gjithë sasia është e destinuar për eksport drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Në një kohë kur bujqësia përballet me sfida të shumta, modeli i këtyre dy fermerëve nga Lushnja tregon se bashkimi i forcave dhe rritja e cilësisë janë rruga e duhur për të çuar produketet “made in albania” në tregjet e huaja. / shqiptarja.com
Në përvjetorin e 45-të, Corriere della Sera i ka kushtuar një profil të veçantë Ermal Metës, që nga rrënjët në Shqipëri te suksesi në Itali.
Një histori që nis nga Shqipëria dhe kalon përmes sakrificave, muzikës dhe suksesit në Itali. E përditshmja prestigjioze italiane Corriere della Sera i ka kushtuar një artikull të gjatë këngëtarit Ermal Meta, duke rikthyer në vëmendje rrugëtimin e tij, nga mbërritja në Bari si adoleshent deri te skena e madhe e Sanremos dhe përtej.
Ardhja në Bari në moshën 13-vjeçare
Sot Ermal Meta feston ditëlindjen e tij. I lindur në Fier, Shqipëri, më 20 prill 1981, ai u transferua në Bari në moshën 13-vjeçare së bashku me nënën, vëllanë dhe motrën.
Në vitin 2023, në një monolog prekës në Le Iene, ai tregoi se nëna e tij arriti të largohej nga Shqipëria falë ndihmës së dy të panjohurve, një burri që i siguroi një pasaportë false dhe një oficeri që vulosi dokumentin, edhe pse e kuptoi falsifikimin, i prekur nga dëshpërimi i një nëne që kërkonte vetëm të shpëtonte fëmijët e saj.
Dy akte mirësie shpëtuan katër jetë. Midis atyre jetëve ishte edhe e imja. Jini të mirë, mund t’i shpëtoni jetën dikujt – thotë ai.
Para se të bëhej i famshëm
I rritur duke dëgjuar muzikë klasike, Ermal Meta nisi të luante muzikë në moshën 16-vjeçare.
“Kam “përtypur” muzikë që fëmijë – tregoi ai për Corriere della Sera në vitin 2019. – Mami ishte violiniste klasike, gjithë shtëpia ishte muzikë dhe partitura. Nga Shqipëria mbaj mend vetëm këngëtarë të regjimit dhe muzikë popullore. Dëgjoja muzikë ndërkombëtare. Më pas zbulova këngët italiane me “Almeno tu” të Mia Martini dhe “Mare mare” të Luca Carboni. Kur mbërrita në Bari, kolona zanore e dashurive të para ishte Antonello Venditti. Për të mësuar gjuhën, shkruaja në një fletore fjalët që nuk i kuptoja” thotë ai.
Këngëtari ka qenë pjesë e disa grupeve përpara se të hynte në Ameba 4 si kitarist. Së bashku me grupin mori pjesë në Festival di Sanremo 2006 në kategorinë “Giovani” me këngën “Rido… forse mi sbaglio”. Para se t’i përkushtohej plotësisht muzikës, Meta ka bërë punë të ndryshme: larës enësh, shitës gazetash në semaforë dhe operator në call center.
Në Sanremo Giovani me Francesco Gabbani dhe Irama
Në vitin 2007, Ermal Meta themeloi një grup të ri, La Fame di Camilla, me të cilin publikoi tre albume. Grupi, i angazhuar në një aktivitet të dendur koncertesh në të gjithë Italinë, mori pjesë në Festival di Sanremo 2010 në seksionin “Giovani” me këngën “Buio e luce”.
Pas shpërbërjes së grupit, Meta nisi karrierën si autor këngësh, duke shkruar për shumë artistë italianë si Emma Marrone, Francesco Renga, Patty Pravo, Chiara Galiazzo, Marco Mengoni, Francesca Michielin, Francesco Sarcina dhe Giusy Ferreri.
Më pas ai u prezantua në Sanremo Giovani 2015: i përzgjedhur së bashku me Chiara Dello Iacovo, Cecile, Michael Leonardi, Francesco Gabbani dhe Irama, arriti kështu të marrë pjesë në festivalin e vitit pasardhës.
Në skenën e Ariston-it
Ermal Meta u rikthye në Festivalin e Sanremos me këngën “Vietato morire”, e cila i siguroi vendin e tretë. Një vit më pas, ai u ngjit në skenën e Teatro Ariston në duet me Fabrizio Moro, duke fituar edicionin e 68-të të festivalit me këngën “Non mi avete fatto niente”.
Me të njëjtën këngë, dyshja përfaqësoi Italinë në Eurovision Song Contest 2018 në Lisbonë, ku u renditën në vendin e pestë në klasifikimin përfundimtar. Ermal Meta ka konkurruar në Sanremo edhe në vitin 2021 me “Un milione di cose da dirti” dhe në edicionin e këtij viti me “Stella stellina”.
Mungesa e babait
Këngëtari Ermal Meta ka folur në më shumë se një rast për babanë e tij, një figurë që ai e ka përshkruar si të dhunshme dhe me të cilin ka ndërprerë marrëdhëniet prej vitesh.
“Ka dalë nga jeta ime në vitin 1990, nuk e kam parë prej 28 vitesh Ishte i munguar edhe kur ishte i pranishëm. Nuk flisja me të as kur ishte në shtëpi” tregonte në vitin 2018 në një intervistë për Verissimo.
Për këtë përvojë personale ai i ka kushtuar edhe këngët “Lettera a mio padre” (2014) dhe “Vietato morire” (2017), kjo e fundit si një vazhdim i së parës, e përqendruar në temën e dhunës në familje.
Librat
Në vitin 2022, Ermal Meta publikoi librin e tij të parë “Domani e per sempre”, i botuar nga La nave di Teseo, i cili zhvillohet në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Romani ka si personazh kryesor Kajanin, një muzikant i talentuar që rritet me gjyshin mes ëndrrave, realitetit të vështirë dhe një të ardhmeje të pasigurt.
“Ky është një libër për fatin, për atë që bëhet e pashmangshme dhe për mënyrën se si një gjë e vogël mund të ndryshojë gjithçka,” ka thënë ai.
Fillimisht, ai e shihte fatin si një rrugë të mbuluar nga mjegulla e së ardhmes, si një shtëpi e errët ku duhet të ndezësh dritën për të parë të tashmen. Sot, ai beson se ekzistojnë shumë rrugë paralele dhe se çdo zgjedhje që bëjmë na çon nga njëra te tjetra.
Në vitin 2025, ai publikoi edhe librin e tij të dytë, “Le camelie invernali”.
Jeta sentimentale
Për jetën e tij sentimentale, Ermal Meta ka qenë gjithmonë shumë i rezervuar. Ai ka pasur një lidhje të gjatë larg vëmendjes së publikut me spikeren e radios Silvia Notargiacomo. Më pas u lidh me Chiara Sturdà, me të cilën në vitin 2024 solli në jetë vajzën e tyre, Fortuna.
Së shpejti, familjes do t’i bashkohen edhe dy vajza të tjera të çiftit, dy vajza shqiptare që Meta dhe Sturdà kishin dashur t’i adoptonin (por nuk kanë mundur, pasi nuk janë të martuar). Vajzat do t’i bashkohen familjes në qershor, kur të dyja të jenë madhore.
“I kemi njohur ato disa vite më parë, kur mora pjesë në një fushatë për mbledhje fondesh për të ndihmuar një shtëpi familjeje në Shqipëri, Më prekën historitë e tyre: kur çiftet shkonin për të vizituar shtëpitë familjare apo jetimoret ku ato kishin qenë, shikonin vetëm fëmijët më të vegjël. Vajzat më të rritura nuk i shikonte askush. Kur më thanë ‘ne nuk na do askush’, zemra m’u thye, sikur u copëtua në mijëra pjesë” thotë ai./CorrieredellaSera
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 5 protestues, ndërsa për 6 të tjerë është vendosur masa “detyrim paraqitjeje”, në lidhje me protestën e organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë më 17 prill. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka akuzoi gjyqtarin që dha vendimin për lidhje me PS-në.
“Kanë fabrikuar duke falsifikuar provat dhe faktet. Një nga ata që prokuroria dhe gjykata vendosi masën me burg është kapur me shishe me ujë në dorë, i kanë thënë është molotov, kjo nuk ndodhte.Ne denoncojmë edhe gjyqtarin që pa provë dhe fakt, asnjë të dhënë, edhe dy invalid i konsideron grup dhe persona përgjegjës për dhunë.
Gjyqtari Peza një militant politik është po ai që dha vendimin për Kolegjin Zgjedhor për Ramën dhe u transferua në Tiranë si shpërblim. Ai gjyqtar u zgjodh qëllimisht për të dënuar protestuesit e pafajshëm për të mbjellë panik tek qytetarët” tha ai.
Të arrestuarit:* Klement Çuçka* Bujar Tusha* Mirvet Toçilla* Igball Domi* Henri Shapllo* Gentjan Tuga* Semi Bici* Edison Shyti* Bardhyl Ndou* Sokol Bajraktari* Ernest Kapo
Në burg:* Klement Çuçka* Bujar Tusha* Henri Shapllo* Mirvet Toçilla* Semi Bici
Rreth orës 14:30, në Sallën Operative të DVP Fier, ka telefonuar shtetasi S. T., 68 vjeç, banues në fshatin Dukas, Patos, i cili ka deklaruar se kishte vrarë bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. T., 64 vjeçe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes dhe kanë kontaktuar me telefonuesin.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi S. T., në gjendje të dehur, kishte bërë një njoftim të rremë.
Shtetasja Sh. T. u gjet në banesë, në gjendje të mirë shëndetësore.Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin S. T. në ambientet e Komisariatit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Këshilla për shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, turistë, emigrantë që kthehen për pushime, etj.Ju kujtoni se dini të drejtoni automjetin? Kujdes! Ka disa rregulla të pashkruara në Shqipëri që duhet t’i dini.
1. Kur keni një veturë përpara jush, mos kujtoni se do t’iu japë sinjal për kthim majtas ose djathtas kur merr kthesën në fjalë.
2. Kur keni një veturë përpara jush dhe bën një parakalim të një veture tjetër, mos shpresoni se do t’ju paralajmërojë me sinjal kur duke bërë atë parakalim ju zë korsinë tuaj.
3. Mos kujtoni se duke ruajtur një distancë të arsyeshme nga automjeti që keni përpara jush, jeni të qetë. Aty, midis do të futet si rrufe një veturë që vjen nga pas jush. Mos respektoni distancat se e pësoni më keq!
4. Mos kujtoni se meqë shihni një veturë policie stradale në rrugë, qarkullimi do të jetë i qetë. Drejtuesit sillen si ëngjëj para policit në buzë të rrugës dhe pastaj vozisin përsëri si të çmendur.
5. Mos kujtoni se në Shqipëri parakalohet nga e majta. Aspak, të gjithë rrezikon t’ju parakalojnë nga e djathta juaj, me shpejtësi skëterre.
6. Kur dilni nga një rrugë dytësore për në një rrugë më të rëndësishme, nga e djathta, mos kujtoni se keni ndonjëherë prioritet. Ai që është në rrugën e gjerë kujton se kjo mjafton që t’ju shohë me përbuzje dhe të ecë pa pritur që ju të kaloni.
7. Kujdes, mos ja u bëni me dorë për kortezi kalimtarëve që përpara xhamit tuaj kalojnë në vijat e bardha. Ata në mjaft raste e marrin këtë për fyerje dhe mund t’ju shajnë me libër shtëpie.
8. Kur futeni ose dilni nga një rrethqarkullim mos kujtoni se tjetri që del apo hyn e ka idenë kontekstuale se kush prej jush ka prioritetin. Ai tjetri e quan veten kurdoherë prioritar.
9. Kur një veturë ju vjen nga pas duke bërë fap fap me drita të gjata largohuni menjëherë nga korsia që keni zënë sepse kur hapni krahun mund të hani një goditje në kënd që t’ju sjelli rrotull me gjithë makinë në rrugë a në fushë.
10. Kur një autombulancë kërkon t’i hapni rrugë me sirenë, kujdes se pas saj, duke përfituar nga njeriu që po vdes, i ngjiten pas tre ose katër vetura të tjera që kërkojnë të përfitojnë.
11. Kur jeni para një semafori me dritë jeshile, por aty ,ndodhet edhe një polic, shihni policin c’u thotë, mos çani kokën për semaforin.
12. Mos kujtoni se kur duke qenë të parkuar dikush ju gërvish automjetin, do të lejë aty një pusullkë me numër telefoni duke deklaruar gabimin e tij.
13. Kujdes, sepse të ecësh sipas rregullit, me shpejtësi të kufizuar, mund të shkaktoni aksident, sepse të tjerët ju gjuajnë nga pas.
14. Mos i bjer borisë për t’i tërhequr vëmendjen një drejtuesi makine që bën gabime përpara jush. Ai do t’ju shajë me të gjitha fjalën që përmbajnë seks brenda tyre, madje edhe po të jetë femër.
15. Nëse dëshiron të parakalosh ose të rinisesh, dhe për këtë jep sinjal, mos shpreso se ai që vjen nga pas do të presë sa të kalosh ti. Ai ka punë, nuk ta ka ngenë.
16. Kur ndodh një aksident, sado i vogël, mos prit që fajin të mos e kesh ti. Ti je gjithnjë fajtori.
17. Kur je në makinë, kujdes, çfardo që të të thonë drejtuesit e tjerë të automjeteve, mos kthe përgjigje nëse dëshiron që të mos flesh atë natë në spital.
18. Kur del ose hyn në rrugë të shpejtësisë të madhe, në nëntë raste nga dhjetë, mos kërko që të ketë parashikuar njeri dalje ose hyrje sipas standardeve. Sidomos në hyrje daljet te pikat e karburantit çdo hyrje dhe dalje është një rrezik vdekjeje.
19. Kujdes se kalimtarët kalojnë nga njëra anë te tjetra e autostradës sepse kujtojnë se janë sprintjerë, ose se janë të pavdekshëm. Fajin e ke gjithmonë ti.
20. Mos prit që kur dikush parkohet të mendojë për të tjerët duke u pozicionuar pas makinës së parë. Ai zë vend sa për tre makina të parkuara duke lënë distanca të panevojshme me të tjerat.
21. Kur shkon te një lavazh, mos prit që ta pastrojnë xhamin e përparmë me leckë të pastër. E bëjnë gjithë vaj.
22. Mos prit që ndonjë femër që nget makinën të mos mendojë që edhe të flasë në telefon, të shohë veten në pasqyrë, të krihet, të bëjë make up, etj. Burrat mund të mendojnë edhe më shumë se ato.
23. Mos prit që ai që vjen përballë natën të mos ndezë papritur dritat e gjata. Ai është gjithmonë më i fortë se ty.
24. Kur bën aksident mos kujto se do të abuzosh duke kërkuar shpërblim nga sigurimi i makinës aq shpejt sa ti kujton!
25. Kur qarkullimi në korsinë tënde është i rënduar dhe ecën ngadalë, mos prit që ata që janë pas teje të presin rradhën, por hyjnë në sens të kundërt te korsia anash teje.
26. Kur je kalimtar, mos kujto se fakti që po kalon në vijat e bardha ose në dritën jeshile të semaforit të mbron. Prit një herë të ndalojë fare makina në xhade pastaj guxo të ecësh duke shpresuar se ka shanse për të mbijetuar.
27. Ju modernët që vini me biçikleta, motoçikleta, etj. kujdes sepse automobilistët as ua fishëllejnë fare. Ju jeni qënie të dobta që as ia vlen të keni të drejta në rrugë.
Ka edhe shumë rregulla të tjera të pashkruara. Jo se ka faj, por shumica nuk i di fare rregullat e qarkullimit rrugor. Ka një shumicë që i di, por iu duken fyese. Nuk përshtaten me identitetin tonë kombëtar. Atë që e shihni se i respekton rregullat e qarkullimit rrugor, konsiderojeni si të dyshimtë! Diçka ka ai që hiqet si i rregullt.
Ukraina ka goditur disa objekte të rëndësishme të industrisë së naftës në Rusi, vetëm pak kohë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën të zbusin përkohësisht kufizimet mbi eksportet e naftës ruse.Sipas burimeve zyrtare ukrainase, gjatë natës janë shënjestruar dy rafineri në rajonin e Samarës, si edhe pika të tjera strategjike. Mes tyre përfshihet një terminal nafte në Krasnodar, porti i Vysotskut në Detin Baltik dhe një depo karburanti në Sevastopol, në Krimenë e pushtuar.
Me humbjen e sotme ndaj Besës ekipi jonë i Apolonisë është vetëm një hap larg rënies nga kategoria e parë (e dytë realisht).
Një turp që i faturohet vetëm një personi, përgjegjësit kryesor për gjendjen e turpshme në të cilën ndodhet Apolonia, presidentit Koço Kokëdhima.
Plot 23 vite, që ky person ka marrë peng një qytet dhe ekipin e tij të futbollit, dikur krenaria e Fierit.
Një person që me dashakeqësinë e tij, nuk pyet për ndjenjat e një qyteti të tërë, çdo gjë e bën me dashje dhe me dëshirën e tij të plotë.
Largoi thuajse komplet futbollistët e moshave që u shpallën dy herë kampion të Shqipërisë U19, djem dhe futbollistë të mrekullueshëm që kanë sakrifikuar mundin dhe djersën e tyre dhe të prindërve të tyre për vite me rradhë, dhe i zvëndësoj me disa anonimë që vijnë dhe zënë vendin e futbollistëve vendas, paguhen me taksat tone, humbin pambarim, të zbresin në nivelet më të ulta dhe në fund largohen sërish në anonimitetin e tyre.
Jemi të gjithë të vonuar, shumë të vonuar, ky njeri që se lidh asnjë gjë me qytetin tonë , do shporrur sa më parë nga Fieri, ose Bashkia e Fierit duhet të ndjeki shembullin e Elbasanit, të ngrejë një ekip të ri e ta fillojë nga e para.
Një ekip që të përfaqësojë vlerat e qytetit tonë, dhe jo të një konglomerati që ka ngritur Kokëdhima.
Një lajm i mirë vjen për banorët e Fierit dhe zonave përreth.
Prej disa ditësh ka nisur rikonstruksioni i rrugës që lidh zonën e njohur si “Pompat” me Plazhin e Darzezës, një segment i rëndësishëm për qarkullimin dhe zhvillimin turistik të zonës.
Punimet synojnë përmirësimin e infrastrukturës rrugore, duke përfshirë asfaltimin e plotë, sistemimin e kanalizimeve anësore si dhe rritjen e sigurisë për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët.
Kjo ndërhyrje pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen, sidomos gjatë sezonit veror kur fluksi drejt plazhit rritet ndjeshëm.