Home Blog Page 47

Lufta mund të ndihmojë turizmin në Shqipëri, po vijnë ata që anuluan pushimet në Lindjen e Mesme

0
Lufta mund të ndihmojë turizmin në Shqipëri, po vijnë ata që anuluan pushimet në Lindjen e Mesme

Nënë e bijë nga Danimarka zgjodhën të vizitojnë Shqipërinë pasi plani i tyre për të udhëtuar drejt Jordanisë u prish nga konflikti në Lindjen e Mesme mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

“Po qëndrojmë në Durrës. Është dita jonë e katërt dhe gjithsej do të qëndrojmë 12 ditë. Kemi prenotuar ture të ndryshme në moment të fundit, pasi planet tona fillestare ishin të shkonim në Jordani,” – tregon May Brit Vinther nga Danimarka.

Teksa turizmi në vend nisi dobët këtë janar, me hyrjet e shtetasve të huaj që ranë për herë të parë nga pandemia, duket se “shpëtimi” po vjen pikërisht nga konfliktet në Lindjen e Mesme, që ka çuar në shumë anulime prenotimesh dhe rishikime të planeve të europianë drejt vendeve më të afërta e më të qeta.

Tomasz Mayka, së bashku me partneren e tij Klaudia, kishin planifikuar që pushimet e marsit t’i kalonin në Iran, por një ditë para nisjes së tyre shpërtheu konflikti në Lindjen e Mesme. Çifti nga Polonia, gjeti Shqipërinë si alternativën më të mirë, edhe për shkak të biletave më të lira në moment të fundit.

“Jemi të lumtur që mundëm të gjenim bileta në minutën e fundit për në Shqipëri. Nuk e kishim vizituar më parë dhe tani jo vetëm po eksplorojmë këtë vend, por edhe shtete të tjera si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Deri tani, Shqipëria është e preferuara jonë. E kishim në plan ta vizitonim, por jo tani. Ja që fati e deshi kështu.”

Joane Mellis nga Mbretëria e Bashkuar kishte në plan të vizitonte Dubain, por lufta bëri që të anuloheshin të gjitha fluturimet.

“Biletat e minutës së fundit nga Londra për në Shqipëri ishin shumë të lira. E di që nuk është Dubai, por mendoj se është më mirë këtu. Jemi të surprizuar se sa ndryshe është Shqipëria nga ç’na e kishin përshkruar. Njerëzit janë miqësorë, çmimet janë shumë të lira dhe kompensimi nga siguracioni i udhëtimit do të mbulojë të gjithë shpenzimin këtu në Shqipëri. Në një farë mënyre, po bëjmë një udhëtim falas nga e gjithë kjo situatë.

”Në janar, në vend hynë 552 mijë shtetas të huaj, me rënie prej 1.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është hera e parë që hyrjet e turistëve po vijnë me rënie në janar, që nga periudha e pandemisë. Për krahasim, në janar 2025, hyrjet e të huajve u rritën me 14.5%, ndërsa në 2024-n zgjerimi ishte gati 30%.

Gjithsesi operatorët turistikë presin që turizmi të regjistrojë edhe këtë vit një rritje në numrin e vizitorëve të huaj, edhe pse janari nisi dobët nën ndikimin e motit të pafavorshëm.

Pritshmëritë për vitin 2026 parashikojnë një rritje prej 5-10% të vizitorëve, një shifër që përputhet me trendin e kontratave të turizmit të organizuar dhe ofron një panoramë të qartë të asaj që mund të presim këtë vit.

Kjo rritje modeste shihet me optimizëm, por edhe me pasiguri, pasi ekziston frika se pritshmëritë e turistëve mund të mos përmbushen për shkak të problemeve më elementare e deri te shërbimi.

Kriza në Lindjen e Mesme po reflektohet menjëherë në industrinë globale të turizmit, duke sjellë një valë anulimesh dhe rishikimesh të planeve të udhëtimit. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe operatorëve turistikë, shumë udhëtarë po shmangin destinacionet pranë zonave të konfliktit, ndërsa linjat ajrore kanë reduktuar ose devijuar fluturimet për të shmangur hapësirat ajrore të rrezikuara. Kjo ka çuar në zgjatje të itinerareve, rritje të kostove dhe çmime më të larta të biletave.

Agjencitë turistike raportojnë se rezervimet drejt Lindjes së Mesme dhe disa destinacioneve të Azisë janë në rënie, ndërsa turistët po orientohen drejt alternativave më të sigurta në Europë dhe rajone të tjera.

Pasiguria gjeopolitike, e kombinuar me rritjen e çmimeve të karburanteve, po e bën turizmin më të kushtueshëm dhe më të paparashikueshëm, duke ndikuar jo vetëm në destinacionet e prekura drejtpërdrejt, por në gjithë tregun global të udhëtimeve.

Monitor.al

Fier, nis Festivali Teatror për të rinjtë

0
Fier, nis Festivali Teatror për të rinjtë

Ka nisur Festivali Teatror për të rinjtë, një iniciativë artistike që bashkon në një skenë trupat teatrore të gjimnazeve të Bashkisë Fier.

Ky aktivitet synon të promovojë talentin, pasionin dhe krijimtarinë e të rinjve, duke u dhënë atyre mundësinë të shprehen përmes artit skenik dhe të ndajnë emocionet me publikun.

Festivali do të zhvillohet gjatë periudhës mars–prill dhe do të kulmojë me një javë të plotë shfaqjesh në Teatrin “Bylis”, në fund të muajit prill.

Gjatë kësaj jave do të prezantohen produksionet më të mira, ndërsa në përfundim do të shpallen edhe fituesit.

Detyrim i ri për baret, restorantet-hotelet: Për çdo karrige në trotuar do të mbillet një pemë

0
Detyrim i ri për baret, restorantet-hotelet: Për çdo karrige në trotuar do të mbillet një pemë

Baret, restorantet dhe hotelet mund të shfrytëzojnë deri në 25% të gjerësisë së trotuarit për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve për qëllimi biznesi.

Por tashmë, dhënia e çdo leje të re për shfrytëzimin deri në 25% të trotuarit, do të kushtëzohet nga zbatimi i bizneseve të një detyrimi të ri: për të mbjellë një pemë për çdo karrige të vendosur.

Detyrimi për mbjelljen e një pemë për çdo karrige të vendosur në trotuar do të jetë edhe për kioskat.

E paralajmëruar që në muajin shtator 2025, Këshilli i Ministrave tashmë nëpërmjet një projektvendimi ka propozuar rregullat e reja për shfrytëzimin e hapësirave publike.

Projektvendimin “Për miratimin e rregullores së shfrytëzimit të hapësirës publike” përbëhet nga 13 kapituj dhe përcakton një kuadër të ri dhe të detajuar për administrimin dhe shfrytëzimin e hapësirave publike në nivel kombëtar.

Rregullorja fillimisht dispozitat e përgjithshme dhe përcakton strukturat përgjegjëse për zbatimin dhe monitorimin, si dhe rregullon në mënyrë specifike përdorimin e hapësirave nga bizneset gastronomike (bare, restorante, hotele), ekspozimin e mallrave jashtë njësive tregtare, aktivitetet ambulante dhe tregjet.

Gjithashtu, trajton rregullat e reja për dhënien e lejeve për vendosjen e kioskave dhe strukturave reklamuese (si city light dhe tabela LED), përdorimin e fasadave për reklama, organizimin e panaireve, aktiviteteve promovuese, kulturore e politike, si dhe menaxhimin e hapësirave publike në plazhe dhe rregulla të reja për zënien e trotuareve me skela gjatë punimeve të ndërtimit.

Në fund, përfshin dispozitat përfundimtare që rregullojnë zbatimin e saj në praktikë.Për shfrytëzimin e hapësirave publike nga bizneset gastronomike (bare, restorante, hotele), specifikisht në rregullore përcaktohet se për rastet kur parashikohet vendosja e karrigeve, subjekti është i detyruar të mbjellë një pemë për çdo karrige të vendosur.

“Leja konsiderohet e vlefshme vetëm pas dokumentimit zyrtar të mbjelljes së pemëve dhe përmbushjes së plotë të detyrimeve tatimore dhe financiare përkatëse”, citohet në rregullore.

Por në mënyrë kategorike rregullorja ndalon për këto biznese vendosjen e strukturave erëpritëse, vazove apo tapeteve mbi hapësirë të gjelbër. Ndërsa zgarat pjekëse me qymyr apo elektrike ndalohen të vendosen në trotuar pa aspirator.

Aplikimet për lejet e shfrytëzimit të trotuareve do të kryhen pranë pushtetit vendor nëpërmjet platformës e-Albania.

Afati i lejes së dhënë do të jetë 2 vjeçar, ndërsa për lejet provizore për raste festash afati do të jetë 30 ditë.

Rregullorja gjithashtu vendos masa të ashpra për të gjitha kategoritë e bizneseve që shkelin kushtet e përcaktuara në leje.

Si fillim bizneseve u jepet paralajmërim për korrigjimin e shkeljeve me afat nga 2 deri 5 ditë. Nëse shkeljet nuk korrigjohen subjekti gjobitet jo më pak se 35.000 lekë për metër katror, në varësi të sipërfaqes së shfrytëzuar.

Prej muajsh në mbarë vendin nga institucionet përkatëse vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike.

Në muajin shtator 2025 kryeministri Edi Rama paralajmëroi rregulla të reja për shfrytëzimin e hapësirave publike, duke paralajmëruar se për çdo karrige të zënë do të mbillet një pemë.

Këmbimi valutor 26 mars/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro

0
Këmbimi valutor 26 mars/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 82.4 lekë dhe do shitet me 83.4 lekë.

Ndërkohë monedha evropiane euro do blihet me 95.6 lekë dhe do shitet me 96.3 lekë.

Franga zvicerane sot në tregun shqiptar do blihet me 104.1 lekë dhe do shitet me 105.1 lekë.

Ndërsa paundi britanik do blihet me 110.1 lekë dhe do shitet me 111.1 lekë.

“Kurrë nuk do luaja për Greqinë”, Strakosha rrëfen lidhjen e veçantë me Shqipërinë

0
“Kurrë nuk do luaja për Greqinë”, Strakosha rrëfen lidhjen e veçantë me Shqipërinë

Thomas Strakosha ka folur para ndeshjes së Shqipërisë me Poloninë, që do të vendosë nesër se cila prej skuadrave shkon në finalen e “play off” për Botërorin. Ky takim do të nisë prej orës 20:45.

Në intervistën me “FIFA”-n, Strakosha u shpreh se asnjë nuk ka menduar të luajë për një përfaqësuese tjetër. Kujtojmë se lindi në Athinë, ndërsa mbajti veshur vetëm fanellën kuqezi që nga moshat.

Kjo gjysmëfinale kundër Polonisë mund të jetë hapi i parë drejt përmbushjes së ëndrrës suaj. Çfarë po ju kalon nëpër mendje tani?

Të them të drejtën, isha në humor edhe para se të fillonte kjo ndeshje. Nuk është vetëm një gjysmëfinale për ne, është një finale. Është një ndeshje e madhe, pasi kemi mundësinë të bëjmë histori për Shqipërinë dhe kombin në tërësi. Të luajmë për vendin tonë në një Kupë Bote, veçanërisht në Amerikë ku jetojnë kaq shumë shqiptarë, do të ishte një ëndërr jo vetëm për mua, por për të gjithë të përfshirët.

Midis Polonisë, Suedisë dhe Ukrainës, ju jeni e vetmja skuadër në rrugën tuaj që nuk ka marrë pjesë kurrë më parë në një Kupë Bote. A do ta bëjë më të lehtë mendërisht për ju hyrja si të dobët?

Të jem i sinqertë, po, ne jemi të jofavoritët dhe historia e vërteton këtë. Por ne besojmë se kemi atë që duhet. Nuk është rastësi që kemi arritur deri këtu. Ne meritojmë të jemi këtu. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se Polonia, në krahasim, renditet më lart në renditje se ne, por premton të jetë një ndeshje konkurruese. Për sa na përket neve, është një finale, ashtu siç është edhe për ta.

Polonia krenohet me një sulmues cilësor si Robert Levandovski dhe një skuadër plot talent. Si planifikoni t’u vini një pengesë atyre?

Ata janë një nga ekipet më të organizuara që kam përballur vitet e fundit. Ata kanë lojtarë të cilësisë së lartë. Levandovski është emri i parë që më vjen ndërmend, dhe Piotr Zielinski gjithashtu, të cilin e pëlqej shumë. Sipas mendimit tim, ata janë një nga ekipet më të mira kombëtare të nivelit të dytë, jo shumë larg ekipeve kryesore si Franca, Italia dhe Spanja. Jemi me fat që kemi një sulmues me potencial të madh si Armando Broja. Nëse ai arrin të marrë kohë të rregullt loje, rreth 30-40 ndeshje në sezon, ai mund të bëjë një kërcim në nivelin tjetër. Ne kemi vërtet nevojë për lojtarë të kalibrit të tij, të cilët mund ta kthejnë një ndeshje në favor.

Fushata juaj në Euro 2024 tregoi se mund t’i rezistoni kujtdo. Çfarë keni mësuar nga ajo përvojë?

Isha ​​shumë i lumtur që pata mundësinë të luaja kundër skuadrave kaq të forta. Doja të shihja se ku ishim. Mendonim se do të ishim jashtë fuqisë sonë, por në fund, dhamë maksimumin. Mund të kishim rrëmbyer lehtësisht një fitore kundër Kroacisë. Ishte një përvojë e mrekullueshme, me atmosferat më emocionuese që kam përjetuar ndonjëherë në karrierën time.

Silvinjo ka qenë në krye të ekipit që nga viti 2023. Si do t’i përmblidhnit pikat e tij kryesore të forta dhe në cilat fusha jeni përmirësuar si ekip?

Ai na ka mësuar të besojmë më shumë në vetvete, ndërkohë që i mbajmë këmbët në tokë. E dimë që mund të kishim bërë më mirë në disa ndeshje, por ai na dha shumë besim dhe na dha një shtysë të vërtetë përpara kualifikueseve të Kupës së Botës. Kemi bërë hapa të mëdhenj që kur ai ka qenë në krye. Ai i ka sjellë skuadrës stabilitet të vërtetë. Nuk kalon shumë kohë së bashku me ekipin kombëtar gjatë vitit, kështu që është thelbësore të kesh një themel të fortë. Këto ditë, ne jemi një njësi më e lidhur dhe e dimë se çfarë jemi të aftë të bëjmë.

Si shumë nga shokët e tu të ekipit, edhe ti ke lindur jashtë vendit. A mund të shpjegosh se çfarë do të thotë të përfaqësosh vendin tënd?

Është një burim i madh krenarie. Ne u rritëm duke respektuar dhe dashuruar rrënjët dhe trashëgiminë tonë. Edhe nëse je lindur ose rritur jashtë vendit, prapë ndjen një lidhje të fortë. Është një nder i vërtetë të luash për Shqipërinë. Nuk kam pasur kurrë dyshime, edhe pse mund të kisha luajtur për Greqinë. Prindërit e mi më kanë mësuar gjithmonë të respektoj të gjithë, por edhe të kem një dashuri të thellë për vendin tim. Jam mirënjohës ndaj Shqipërisë për përvojat që më kanë dhënë dhe nuk më ka shkuar kurrë ndërmend të luaj për dikë tjetër.

A mund t’i imagjinoni skenat në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë nëse arrini në Kupën e Botës 2026?

Nuk mund të filloj as ta imagjinoj se si do të ishte. Kampionati Evropian ishte i mrekullueshëm, por një Kupë Bote, veçanërisht në Amerikën e Veriut, do të ishte diçka tjetër. Do të ishte një festë për shqiptarët në të gjithë botën. As nuk dua ta mendoj ende, as fazën e grupeve. Tani për tani, duhet të përqendrohemi në ndeshjen tonë kundër Polonisë.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

A do të luftonit për vendin tuaj? Shqipëria ndër shtetet me nivelin më të lartë të gatishmërisë

0
A do të luftonit për vendin tuaj? Shqipëria ndër shtetet me nivelin më të lartë të gatishmërisë

Gjatë viteve të fundit, gatishmëria për të luftuar ka tërhequr vëmendje më të madhe, veçanërisht që nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Kjo luftë nënvizoi rëndësinë e moralit të qytetarëve në rezistimin ndaj një pushtuesi.

Po çfarë mund të thuhet për gatishmërinë për të luftuar për shtetet anëtare të NATO-s?

Universiteti Riga Stradins, në bashkëpunim me Qendrën për Studime Gjeopolitike të Rigës ka kryer një sondazh me më shumë se 31,000 të anketuar në shtator dhe tetor 2025.

Sipas sondazhit, pesë vendet me përqindjen më të lartë të qytetarëve të gatshëm të luftojnë për vendin e tyre janë Turqia (88 përqind), Shqipëria (69 përqind), Suedia (66 përqind), Finlanda (64 përqind) dhe Mali i Zi (63 përqind). 10 vendet e para plotësohen nga Greqia (gjithashtu 63 përqind), Norvegjia (61 përqind), Lituania (52 përqind), Polonia dhe Sllovenia (të dyja nga 49 përqind).

Ndërsa Lituania, me 52 përqind, renditet midis 10 vendeve të para në NATO, Estonia dhe Letonia renditen më poshtë me përkatësisht 45 përqind dhe 37 përqind. Në të dyja rastet, pikëpamjet midis rusishtfolësve të tyre tradicionalisht e kanë ulur gatishmërinë mesatare kombëtare për të luftuar. Dy aleatët e vetëm të Amerikës së Veriut në NATO renditen pak më poshtë pikës së mesit. Në Kanada, 39 përqind e të anketuarve thanë se ishin të gatshëm të luftonin për vendin e tyre, dhe një përqindje e ngjashme në Shtetet e Bashkuara (37 përqind) thanë të njëjtën gjë.

Vendet me përqindjen më të ulët të qytetarëve të gatshëm për të luftuar për vendin e tyre në NATO janë Italia, Sllovakia (të dyja 25 përqind), Gjermania (27 përqind), Holanda (30 përqind), Hungaria dhe Republika Çeke (të dyja 33 përqind).

Luajti te “Taulanti kërkon një motër”, rrëfehet pas 40 vitesh “Ola”. Kujtimet nga filmi ikonë

0
Luajti te “Taulanti kërkon një motër”, rrëfehet pas 40 vitesh “Ola”. Kujtimet nga filmi ikonë

41 vite pas filmit të paharruar “Taulanti kërkon një motër”, rikthehet në kujtesë një nga figurat më të dashura të kinemasë për fëmijë: Sabiela Agushi, vajza që i dha jetë personazhit të Olës.

Një rol i vetëm, por i mjaftueshëm për të mbetur gjatë në zemrat e shqiptarëve.

Historia e saj nis krejt rastësisht, në kopshtin nr. 54 në Tiranë, kur ekipi i filmit kërkonte një djalë për rolin kryesor. Mes lotëve të fëmijëve të tjerë, Sabiela ishte e vetmja që shikonte me kureshtje dhe guxoi të kërkonte një provë.

Me një improvizim spontan për një laps “të kafshuar”, ajo tërhoqi menjëherë vëmendjen e regjisores Xhanfize Keko, e cila pa tek ajo pikërisht natyrshmërinë që kërkonte.

Pas përzgjedhjes në Pallatin e Pionierëve, Sabiela fitoi rolin përballë shumë fëmijëve të tjerë, duke u bërë Ola, vajza me fustanet e bukura dhe faqet e mbushura që publiku e adhuron ende sot. Xhirimet ishin plot energji, disiplinë dhe lojë. Batutat mësoheshin përmendësh me ndihmën e edukatores, ndërsa Xhanfizeja u mësonte intonacionin dhe ndjeshmërinë e rolit.

Një nga kujtimet më të gjalla mbetet skena e akullores me Donald Kokona, ku “gabimet” e qëllimshme bëheshin për të shijuar më shumë akullore, deri sa ekipi i kuptoi “hilet” e fëmijëve.

Pas filmit, rrugët e jetës e çuan larg Shqipërisë. Sabiela u largua në vitin 1999, u formua si juriste, punoi si avokate dhe u angazhua në çështje të rëndësishme për mbrojtjen e familjes.

Sot ajo jeton në Gjermani dhe ushtron profesionin si juriste në Bashkinë e Mynihut.

E martuar prej tre vitesh me partnerin e saj, me të cilin njihet prej 15 vitesh, Sabiela ka ndërtuar një jetë të re, larg skenës, por jo larg kujtimeve.

Flet vëllai i gruas që u vra nga burri: Ishte dhunues, le të varroset si qen (Video)

0
Flet vëllai i gruas që u vra nga burri: Ishte dhunues, le të varroset si qen (Video)

Familja Rrapaj në Kuman të Roskovecit ka hapur dyert e mortit pas tragjedisë së ndodhur mesditën e djeshme ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj vrau me pushkë bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj 75 vjeçe, e më pas u vetëvra.

Varrimi i dy viktimave do të bëhet i ndarë. Dashuri Rrapaj do të përcillet për në banesën e fundit në fshatin e lindjes.

Ndërkohë që Shefit Rrapaj ndodhet ende në morgun e Fierit dhe trupi i tij ende nuk po tërhiqet nga familjarët.

“Shefitin e kanë lënë djemtë në morg, sa të qetësohet mbase dhe e marrin. Ata fisi i Shefitit nuk kanë ardhur fare këtu, vetëm njerëzit e Dashurisë”, tha një nga fqinjët.

Të tronditur dhe në gjendje të rëndë emocionale 9 fëmijët e nuk familjes Rrapaj nuk kanë pranuar të flasin, por vëllai i viktimës dhe fqinjët e tyre konfirmojnë konfliktet e vazhdueshme në këtë familje.

“50 vjet motra jonë gjithmonë për atë ka qenë mbulesë, 50 vite. Për shembull kishte hije prindi të rëndë, jo një baba. Të vijë fëmija ta përqafojë, të vijë gruaja hidhja dorën në qafë, u lodhe. Gjendja e fëmijëve është skandal, për babain se u vrau nënën. Je prind, mos o Zot të ndodhi. Para 10 ditësh i denoncoi në polici. Erdhi policia këtu, merr motrën dhe nipin.

Më merr nipi në telefon nga Greqia, më thotë shko daja se ka marrë policia mamin dhe Arturin. Krimineli, ka qenë problematik. Ka qenë një burrë i dhunshëm. Para 10 vitesh ka tentuar të vrasë veten. Ne e kemi marrë motrën tonë, do ta varrosim aty ku kemi nënën dhe babanë, të jetë në mes të luleve. Nuk më interesojnë fare familjarët e tij, e kam dhënë me shkrim, ta varrosin në gropën më të thellë si qen”, u shpreh vëllai i viktimës.

Katër ditë para krimit të rëndë, në banesën e tyre kishte ndërhyrë edhe policia për të sqaruar mosmarrëveshjet mes tyre. Ndërkohë që shefit Rrapaj kishte tentuar t’i jepte fund jetës edhe 20 vite më parë.

Top Channel

Rikthehet “ëndrra amerikane”, ja kriteret që duhet të plotësohen!

0
Rikthehet “ëndrra amerikane”, ja kriteret që duhet të plotësohen!

Pas një ndërprerje njëvjeçare, shqiptarët do të kenë sërish mundësi të aplikojnë për programin e lotarisë amerikane, i njohur si Diversity Visa Lottery. 

Sipas njoftimeve zyrtare nga U.S. Department of State, këtë vit janë parashikuar disa ndryshime në proceduarat e aplikimit, me qëllim rritjen e sigurisë dhe shmangien e abuzimeve me aplikime të shumëfishta apo fiktive.

Ndër ndryshimet kryesore, përfshihet vendosja e një tarife simbolike aplikimi prej rreth 1 euro, detyrimi për të pasur një pasaportë të vlefshme në momentin e aplikimit, dorëzimi i një fotografie të kohëve të fundit, si dhe kërkesa për identifikim më të saktë të aplikantit.

Po ashtu, janë bërë disa ndryshime teknike në formularin e aplikimit, si zëvendësimi i termit “Gender” me “Sex” dhe përdorimi i “Date of Birth” në vend të “Age”.

Këto masa synojnë të garantojnë që aplikimet të jenë autentike dhe të verifikueshme, duke kufizuar aplikimet e pasakta ose të shumëfishta.

Konkretisht, aplikimet për lotarinë amerikane 2027 pritet të hapen gjatë periudhës shtator–tetor 2026, ndërsa numri i përfituesve do të mbetet i pandryshuar.

Publikuan video me ngjyrat kuqezi, katër shqiptarë arrestohen në Serbi

0
Publikuan video me ngjyrat kuqezi, katër shqiptarë arrestohen në Serbi

Katër shtetas të Republikës së Shqipërisë janë arrestuar në Serbi.

Ngjarja ka ndodhur të martën dhe është konfirmuar nga ministria e brendshme e Serbisë nëpërmjet një komunikate për shtyp.

Shtetasit shqiptarë janë arrestuar pasi kanë shfaqur simbole kombëtare shqiptare gjatë qëndrimit të tyre në territorin e Serbisë.

Autoritetet vendase bëjnë me dije se ndaj tyre rëndon akuza për “nxitje të urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”, një vepër penale e parashikuar në legjislacionin serb.

Në komunikatën e ministrisë së brendshme thuhet gjithashtu se një prej të ndaluarve kishte publikuar një video të publikuar në rrjetet sociale ku shfaqet shfaqet duke udhëtuar me një automjet tip “Audi” së bashku me tre personat e tjerë.

Në pamjet e shpërndara në Facebook, ata lëvizin në një autostradë në Serbi, ndërsa mbajnë veshur bluza me simbole kombëtare shqiptare dhe referenca ndaj asaj që njihet si “Shqipëria Etnike”.

Sipas disa mediave në Serbi, arrestimi është kryer menjëherë pas identifikimit të tyre dhe ndalimit të automjetit nga patrullat policore.

Po ashtu, raportohet se ndaj tyre është urdhëruar ndalimi policor për 48 orë, ndërsa çështja pritet t’i kalojë prokurorisë në Beograd për procedura të mëtejshme.Top Channel