Home Blog Page 55

Kuzhinieri i njohur fierak bën rrëfimin e papritur, “Pse u largova nga Shqipëria”?

0
Kuzhinieri i njohur fierak bën rrëfimin e papritur, “Pse u largova nga Shqipëria”?

Renato Mekolli, një prej emrave më të njohur të gastronomisë shqiptare, ka zbuluar për herë të parë arsyet e largimit nga Shqipëria dhe “zhdukjes” së tij nga rrjetet sociale. Në një deklaratë të gjatë të publikuar në Facebook, Mekolli thotë se rrethanat e rënda me të cilat u përball e bënë që të largohej nga vendi dhe se nuk ka qenë dëshira e tij.

DEKLARATË PËR MEDIAT DHE PUBLIKUN– Renato Mekolli

Përtej Heshtjes: Një Rilindje

Kjo deklaratë vjen menjëherë pas hapjes së faqes sime zyrtare në Facebook,U mendova gjatë për ta rihapur Facebook-un (Instagram-in në një moment tjetër) dhe për t’u bërë përsëri pjesë e rrjeteve sociale. Të jem i sinqertë, nuk ishte aspak e lehtë. Përkundrazi, ishte shumë më qetë dhe më bukur larg kësaj zhurme të madhe që krijohet çdo ditë në botën virtuale.

Sot jetojmë në një realitet ku shumë gjëra bëhen vetëm për t’u dukur, ku një pjesë e madhe e njerëzve jetojnë një jetë fallco dhe ku imazhi virtual shpesh duket më i rëndësishëm se jeta reale. Por pavarësisht kësaj, jam një figurë publike dhe puna ime e kërkon këtë komunikim. Rihapja e Facebook-ut tim solli një reagim të jashtëzakonshëm – për mirë, sigurisht.

Mesazhet tuaja erdhën si një lumë pyetjesh që kërkonin përgjigje. Interesimi nga publiku, por edhe nga mediat, ishte i madh dhe i menjëhershëm.

E ndiej si detyrim ndaj njerëzve që më kanë ndjekur gjatë gjithë kohës dhe si detyrim ndaj mediave. Për këtë arsye vendosa të përgjigjem me këtë deklaratë publike, e cila përmbledh pak nga gjithçka. (Por që në fund doli goxha e gjatë.)NUK jam ende gati për një intervistë të plotë – dhe për këtë kërkoj mirëkuptimin e mediave.

Prandaj, vendosa të jap këtë përgjigje të parë për të gjithë ju, deri në një moment të dytë, që sigurisht do të vijë në kohën e duhur.

Nuk ishte e lehtë të largohesha nga dritat dhe nga Shqipëria, por ishte e domosdoshme.

Faleminderit të gjithë atyre që nuk më harruan kurrë dhe më qëndruan pranë.

Renato i parë u dogj në hirin e sfidave të tij. Por nga ai hir lindi një tjetër — më i fortë, më i vetëdijshëm dhe më i vendosur se kurrë. Kjo është jeta ime e dytë. Forcën e gjeta aty ku nuk kishte mbetur asnjë fije drite, aty ku fryma bëhej e rëndë dhe mendja kërkonte arratisje.

Në atë pikë, kur gjithçka më thoshte të heshtja dhe të dorëzohesha — unë zgjodha të jetoj.I thashë PO jetës në çastin më delikat, kur fijet e padukshme mes zemrës dhe mendjes rrezikonin të këputeshin.

Sot jetoj me zjarr në gjak, me sy që kanë parë ferrin, por kanë zgjedhur dritën. Kjo është fitorja ime: të dëgjosh zërin e shpirtit dhe t’i thuash vetes:

“Ngrihu. Ti mundesh.”Njeriu mban brenda një fuqi të shenjtë: mendjen — urtësinë hyjnore që na u dha si bekim që ditën kur kemi lindur, si armë dhe si dritë. Ai që e ndez këtë dritë, rilind. Dhe unë rilinda.

Ju falënderoj që më keni dhënë forcë dhe energji. Për ju kam vetëm një porosi: jetoni me thellësi. Bëni të mirën, e nëse nuk mundeni, të paktën mos bëni keq. Duajeni njeriun pranë jush. Njeriu nuk është për t’u shtyrë poshtë; njeriu është vlerë.

Mos gjykoni, mos godisni. Jepini dorën tjetrit — ndoshta është shansi i fundit para se ai të heqë dorë nga kjo jetë. Kur ai hap fatal të jetë bërë, lotët dhe pendesa do të jenë të vona. Le t’i japim dorën njëri-tjetrit në këtë univers ku qarkullon energjia e përbashkët.“Pse u largova nga Shqipëria?

”Nuk u largova sepse desha. Nuk ishte kurrë dëshira ime të largohesha nga vendi im. Është një plagë që ende dhemb — trauma e çdo emigranti që trupin e ka diku tjetër, por shpirtin në Shqipëri.

Asnjë njeri nuk dëshiron të largohet nga vendi ku ka lindur.

Zemra ime mbetet aty. Në vendin tim të vogël, të bukur, të dhimbshëm. Askush nuk largohet lehtë nga rrënjët. Askush nuk ëndërron të jetë emigrant — dhe kjo është plaga e çdo emigranti.

U largova për të shpëtuar veten. Jeta ime u kërcënua nga segmente të politikës shqiptare dhe nga rrethana të tjera të rënda. Përjetova skllavërinë moderne dhe mësova çfarë do të thotë të jetosh në një demokraci që është më keq se komunizmi që kanë përjetuar prindërit apo gjyshërit tanë. M’u ndalua liria e çdo gjëje dhe, çuditërisht, çdo denoncim i imi zhdukej nga Policia jonë pa asnjë arsyetim. Jeta ime u dhunua fizikisht dhe psikologjikisht.

Luftova deri në pikën e fundit, deri në atë pikë kur mendja më shkonte në vendimin më të errët që mund të ekzistojë, në atë pikë fatale për jetën që nuk dua as t’ia përmend emrin. Por nuk mund të qëndroja më. Në fund, zgjodha jetën.

Jam i sigurt se edhe Nëna Shqipëri do të më thoshte:“Biri im, largohu. Misionin tënd e përmbushe, bëre të pamundurën për të jetuar këtu. Por ky vend nuk i do njerëzit si ty, i do larg. Shko dhe më bëj krenare kudo që të jesh.

”Dhe këtë gjë bëra.Duhej ta ringrija Renaton me çdo kusht. Duhej të vazhdoja misionin dhe ëndrrën time. Tani po e rishkruaj historinë time nga e para, ashtu siç duhet të ishte, jo siç donin të tjerët.

Që 6 vjeç, kuzhina ka qenë thirrja ime hyjnore. Kam lindur t’u shërbej njerëzve përmes asaj që di të bëj më mirë — përmes artit të gatimit.

Ju më bëtë “Chef-in e zemrave tuaja” dhe kjo fitore nuk blihet, nuk fabrikohet, nuk imitohet, nuk manipulohet, nuk zëvendësohet. Kjo lloj fitoreje nuk blihet në treg; ajo gatuhet me vite përkushtim dhe me shumë dashuri.

Faleminderit që më lejuat të jem pjesë e juaja dhe e zemrave tuaja. Faleminderit që më lejuat të hyj në shtëpitë e çdo shqiptari në Kosovë, në Shqipëri e kudo në botë.

Dua të falënderoj me zemër me përulësi dhe mirënjohje të thellë kanalin tim që më besoj,Top Channel për besimin që më dha, duke më besuar kohën më të çmuar televizive në Prime time me Hell’s Kitchen Albania dhe MasterChef Albania.

Këto janë dy prodhime me shtrirje dhe jehonë botërore, formatet më të mëdha televizive në botë, që u shndërruan në udhëtime të jashtëzakonshme emocionesh, pasioni dhe përkushtimi profesional. Së bashku arritëm rekorde të papërsëritshme audiencash për një reality show gatimi dhe krijuam momente që do të mbeten gjatë në historinë e televizionit shqiptar.

Ishte një përvojë e paçmueshme, plot sfida, krenari dhe realizime të mëdha. Falënderoj nga zemra çdo person që kontribuoi në këtë rrugëtim të mrekullueshëm.

Mirënjohje e thellë për sponsorin tim besnik, ELKA, që më qëndroi pranë me respekt në çdo hap.

Dua të falënderoj edhe mediat, që më dhanë zë, që respektuan punën time dhe atë që unë jam, që më vendosën në faqe gazetash, në kopertina revistash, në intervista me shpirt dhe nuk kursyen asnjëherë shkrimet e tyre plot dashuri dhe respekt.

Dhe ajo që më preku më shumë: shumë prej tyre e dinin çfarë po përjetoja, por nuk folën. Nuk publikuan. Nuk shfrytëzuan dhimbjen time. Më dhanë qetësi dhe kohë. Dhe më lanë të flisja vetëm kur unë të isha gati. Ky është respekt i vërtetë.

Dhe unë ua mbaj në zemër.Jam nga ata njerëz që kurrë nuk kam kërkuar favore, kurrë nuk kam shfrytëzuar famën për të përfituar diçka dhe kurrë nuk kam mbajtur pranë vetes njerëz vetëm sepse kishin pushtet apo para. Gjithmonë kam dashur të luftoj vetë, t’i arrij vetë të gjitha, pa ndihmën e askujt.

Asgjë nuk më është dhuruar në jetë. Çdo hap, çdo arritje dhe çdo sukses e kam ndërtuar me punë, sakrificë dhe përpjekje personale, pa pasur pas meje një familje me para apo miqësi të ndërtuara mbi interesa dhe para të pista.Prandaj kam forcën ta ngre zërin me krenari, sepse jeta dhe karriera ime janë ndërtuar mbi themele të forta dhe të palëkundshme.

Askush nuk guxon të hedhë baltë mbi emrin tim, sepse unë kam ecur gjithmonë me dinjitet, ndershmëri dhe karakter të pastër.The Chef – My Last Chance at Life(Titulli nuk është final)Në fund të vitit 2026 do të jetë gati autobiografia ime për tregun amerikan — një libër që nuk u shkrua për të kënaqur. Kjo nuk është një histori e zakonshme suksesi.

Është një kronikë e ashpër, e errët dhe tronditëse.Më vjen keq që Shqipëria nuk do të dalë me një imazh të bukur, por kjo është historia ime dhe historia shkruhet ashtu siç është jetuar: një jetë e ndërtuar mbi dhimbje, heshtje dhe një durim të dhunuar përtej limiteve njerëzore.Nga hijet e fëmijërisë sime në vitet e fundit të komunizmit, deri tek plagët e racizmit dhe realiteti brutal i emigrimit në Greqi; nga maja e suksesit në gastronomi, media dhe televizion, deri tek sakrificat që shkatërruan trupin dhe shpirtin tim.

Nga izolimi i karantinës në Shqipëri dhe kolapsi financiar, deri tek lufta ime personale me krizat e atak panikut, ku fryma më ndërpritej; dhe beteja psikologjike që më çoi drejt psikoterapistëve dhe trajnerit të jetës (Life Coach), përballja me demonët që më mohonin të drejtën për të jetuar.Rruga drejt majës nuk ishte e lehtë — ishte e përgjakur.

E zhvesh pa mëshirë fasadën e gastronomisë dhe iluzionin e pluhurit të artë të showbiz-it në Shqipëri, duke zbuluar të vërtetën pas shkëlqimit fallco,disiplinë që lë plagë, vetmi dhe frikë, një çmim pothuajse i padurueshëm për suksesin.

Ky është një rrëfim tronditës, rrëqethës, i gdhëndur me plagë, të vërteta të pamëshirshme dhe koston shkatërruese të ndjekjes së majës.

Historia ime nuk lexohet thjesht,kjo histori është një film dhe dokumentar— ajo përmbyt. Trondit dhe prek thellë. Por nga rrënojat, me plagë dhe heshtje, gjeta forcën të ngrihem sërish, të sfidoj fundin dhe të zgjedh jetën. Kundër çdo rryme, me besim dhe shpresë, i thashë vetes: “TI MUNDESH.”Dhe sot jam këtu, në Miami, nën dritat e një prej hoteleve më luksoz të botës,me drita të vërteta dhe një shkëlqim që të verbon,në hotelin The Ritz-Carlton.

Jam këtu, në vendin ku vlerësohesh për atë që je dhe ku merr atë që me të vërtetë meriton; këtu ku Chef-i trajtohet si artist, si superstar, dhe ku ëndrrat guxojnë të bëhen realitet nëse punon fort dhe me shpirt.Ky është fundi i librit tim, por fillimi i vërtetë i jetës sime.

Një mbyllje si në përralla — ashtu siç i ka hije çdo njeriu që ka prekur fundin, por ka gjetur guximin të ngrihet përsëri. Ky është versioni im i Ëndrrës Amerikane: rilindja pas stuhisë, drita pas errësirës dhe fitorja e madhe mbi dhimbjen. Unë nuk u dorëzova kurrë.

Po ti?Me respekt të thellë,ju përulem të gjithëve për dashurinë e jashtëzakonshme që më keni dhuruar ndër vite.Mbështetja, besimi dhe vlerësimi juaj kanë qenë forca ime më e madhe dhe motivimi për të vazhduar përpara me pasion e përkushtim.

Ndjehem i bekuar.Për të gjithë ju që u rrëzuat, u lodhët dhe për një çast humbët shpresën — mos u dorëzoni.

Edhe nga errësira më e thellë, njeriu mund të ngrihet. Besoni në veten tuaj. Besoni në jetë. Unë ia dola. Edhe ju mundeni.

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!I juaj,

Chef Renato Mekolli

Miami, Florida11/02/2026

Bashkia e Roskovecit rikthen traditën e vjetër të garës me qerre

0
Bashkia e Roskovecit rikthen traditën e vjetër të garës me qerre

Bashkia Roskovec ka ndërmarrë nismën për rikthimin e një prej traditave më të hershme të zonës, garën tradicionale me qe/qerre, si pjesë e përpjekjeve për ruajtjen e identitetit kulturor dhe trashëgimisë lokale.

Ja postimi i plotë i Bashkisë Roskovec

🔊Rikthimi i traditës së vjetër të zonës – Gara me qe/qerre.🐃🧩

📍Rikthimi i kësaj traditë të vjetër jo vetëm që ruan identitetin kulturor të zonës, por edhe forcon lidhjet mes banorëve dhe promovon vlerat e trashëgimisë sonë.

📍 Sot u zhvillua një takim i radhës për të diskutuar detajet e organizimit të eventit, ku vetë anëtar të komunitetit dhanë ide dhe sugjerime të vlefshme. Bashkëpunimi i ngushtë me banorët është kyç për të siguruar që kjo iniciativë të jetë e suksesshme.

📍 Ne besojmë se rikthimi i kësaj gare historike do të sjellë jo vetëm argëtim, por edhe një ndjesi krenarie dhe përkatësie për zonën tonë.

#Tradita #Komuniteti #GaraMeQerre #TrashëgimiaKulturore

Vajzat e Gjimnazit “Janaq Kilica” marrin vendin e dytë në garën për sigurinë kibernetike

0
Vajzat e Gjimnazit “Janaq Kilica” marrin vendin e dytë në garën për sigurinë kibernetike

Me një prezantim dinjitoz, energji pozitive dhe shpirt luftarak, vajzat e klasave X – XI të gjimnazit “Janaq Kilica” dëshmuan se përkushtimi, puna në grup dhe pasioni për dijen sjellin rezultate të shkëlqyera.

Falë prezencës dhe angazhimit të tyre serioz, në garën e njohurive mbi Sigurinë Kibernetike dhe aftësive rrëmbyem vendin e dytë, mes 34 grupeve, në një konkurrim mes 10 gjimnazeve nga e gjithë Shqipëria.

🏆Sfida e radhës është edhe më e madhe: të përfaqësojnë gjimnazin tonë përtej kufijve, me besimin se suksesi do të jetë në duart e këtyre vajzave fantastike, të cilat janë shembull i fuqizimit, guximit dhe vizionit për të ardhmen dhe si një profesion i ri .

👏🚀 Krenarë për ju dhe për çdo hap që po ndërtoni Drejt Sigurisë Kibernetike dhe barazisë në teknologji!

Aksident i frikshëm në Bypass-in e Vlorës/ Makinat përplasen me njëra-tjetrën, dy të plagosur

0
Aksident i frikshëm në Bypass-in e Vlorës/ Makinat përplasen me njëra-tjetrën, dy të plagosur

Një aksident rrugor është regjistruar këtë mëngjes në Bypass-in e fshatit Babicë, ku janë përplasur dy automjete.

Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të plagosur një vajzë dhe një djalë.

E lënduara është një vajzë e cila ka marrë dëmtime në pjesën e kokës dhe është transportuar me urgjencë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po merr trajtimin e nevojshëm, ndërsa personi tjetër ka marrë dëmtime në pjesën e kraharorit.

Vajza ndodhet në gjendje më të rëndë, ndërsa djali ka vetëm dëmtime në kraharor nga goditjet e përplasjes së dy makinave.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat po punojnë për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Avokati Kujtim Cakrani flet pas dhunës: “Më provokuan dhe më goditën pas koke me mjet prerës”

0
Avokati Kujtim Cakrani flet pas dhunës: “Më provokuan dhe më goditën pas koke me mjet prerës”

Kujtim Cakrani, avokati i njohur dhe mbrojtësi ligjor i ish-presidentit Ilir Meta, është dhunuar ditën e sotme rreth orës 13:30 në ambientet e një karburanti në qytetin e Vlorës.

Sipas vetë avokatit Cakrani, dy persona të panjohur për të e kanë sulmuar në momentin që ai po furnizohej me karburant. Fillimisht, ata e kanë ofenduar dhe sharë, ndërsa dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të një parkimi , edhe pse avokati shprehet se nuk beson se ky ka qenë shkaku i vërtetë.

Më pas, dy personat kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, duke e goditur me një mjet prerës në pjesën e pasme të kokës. Si pasojë, Cakrani ka pësuar një frakturë të rëndë në pjesën e pasme të kokës dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në reanimacion.

Burime spitalore bëjnë me dije se avokati ka dëmtime serioze në kokë,  dhe aktualisht nuk arrin të qëndrojë në këmbë.Ndërkohë, në spital pritet mbërritja e ekspertëve mjeko-ligjorë, si edhe e përfaqësuesve të policisë, të cilët do të marrin dëshminë e avokatit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Ishin dy çuna me një makinë, të cilët pasi më provokuan, më dhunuan fizikisht. Nuk i njoh ata. Me njërin po bisedoja, tjetri më goditi pas koke. Ka ndodhur në hyrje të Vlorës, në një pikë karburanti. Nuk e kam idenë. Erdhën aty provokuan dhe më pas filluan me fjalë fyese. Ata dolën nga makina, më dhunuan.Ka qenë me mjet prerës. Më goditën pas koke. Unë isha ulur në makinë. Njëri nga dritarja po më ofendonte, kurse tjetri hyri nga dera e pasagjerit dhe më goditi.

Më thanë: ‘Pse ke parkuar keq makinën. Ke zënë gjithë karburantin’. Pra ishte një mënyrë, një formë provokimi. Nuk i njoh të dy. Ishin moshë e re”, tha Cakrani për Top Channel.

Vlorë/ Sherr në një pikë karburanti, dhunohet avokati Kujtim Cakrani

0
Vlorë/ Sherr në një pikë karburanti, dhunohet avokati Kujtim Cakrani

Një sherr ka ndodhur mesditën e së dielës në Vlorë, nga ku mësohet se ka mbetur i dhunuar avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani.

Mësohet se Cakrani është goditur me derën e automjetit në fytyrë dhe është dërguar në spital për mjekim.

Gjithashtu bëhet me dije se sherri ka nisur për shkak të një dere të lënë hapur në pikën e karburantit.

90 vjet teatër – Nga Ilirjan Gjika

0
90 vjet teatër – Nga Ilirjan Gjika

90 vjet më parë, më 8 shkurt 1936, do të shfaqej në qytetin e Fierit pjesa e parë teatrale. Do të ishin një grup të rinjsh të apasionuar pas teatrit që do të vinin në skenë dramën ‘’Fe e kombësi’’ të autorit Kristo Floqi.

Trupa teatrale përbëhej nga aktorët amatorë Avdulla Rama, Mina Veshi, Llaqi Kola, Hysen Xheka, Jorgji Koshovari, Jorgji Panda, Jorgji Andrea, Sotir Argjendari, Stavri Poro, Andon Poro, Zoi Gjerazi, Nasi Bogo dhe Paskal Pogaçe.

Regjizori i saj ishte mësuesi Llaqi Kola, i diplomuar në Shkollën Normale të Elbasanit, që ishte marrë me teatër qysh gjatë viteve të studimeve. Me këtë dramë do të zhvillohej edhe turneu i parë artistik i kësaj trupe në qytetet fqinje të Lushnjes dhe Beratit.

Ndërsa gjatë viteve 1937-1938, do të viheshin në skenë edhe dy vepra të tjera teatrore. Të tilla ishin komedia e Molierit “Doktor pa dorashka” dhe drama “Lulja e kujtimit” e Foqion Postolit.

Në vitin 1938, trupa teatrore do ta ndërpriste aktivitetin e saj, duke mbyllur në etapën e parë të lindjes dhe fillimit të teatrit në Fier.

Ndërkohë pas Çlirimit do të regjistroheshin të tjera zhvillime në këtë fushë. Do të ishte viti 1945 që do të shënonte rinisjen e aktiviteteve teatrore në Fier, të cilat do të organizoheshin në mënyrë të rregullt mbi baza amatore.

Ato do të intensifikoheshin në vitin 1947 me krijimin Teatrit Dramatik, pranë Shtëpisë së Kulturës. Tradita e krijuar tashmë do ta ngrinte zhvillimin e dramaturgjisë në një stad më të lartë duke i hapur rrugën ngritjes së trupave profesioniste.

Të tilla do të ishin krijimi i Estradës në vitin 1957 dhe i Teatrit Bylis në vitin 1971. Po kështu, më 1971 do të krijohej edhe Teatri i Kukullave i cili do të merrte më vonë edhe emrin e regjizorit të parë të trupës së tij dhe asaj të Estradës: Llazar Verria.

Apolonia ndalet nga penalltia në fund, barazon 2-2 me Pogradecin, Umejiego rikthehet me një dygolësh

0
Apolonia ndalet nga penalltia në fund, barazon 2-2 me Pogradecin, Umejiego rikthehet me një dygolësh

Sot u zhvilluan katër ndeshje të vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë së Parë, ku vëmendja e tifozerise fierake ishte përqendruar te përballja mes Apolonisë dhe Pogradecit, një prej ekipeve pretendente për ngjitjen në Superligë.

Sfida e luajtur në Fier u mbyll me rezultatin 2-2, pas një fundi dramatik dhe të shoqëruar me polemika.

Apolonia më në fund gjeti rrugën e rrjetës, falë rikthimit nga një pezullim i gjatë të sulmuesit Umejiego, i cili festoi kthimin në fushë me një dygolësh spektakolar. Pas golit te pare te shenuar nga miqtë fierakët kaluan në avantazh dhe e udhëhoqën ndeshjen deri në minutat e fundit, duke qenë shumë pranë një fitoreje me peshë.

Megjithatë, në minutën e 88-të të takimit, arbitri akordoi një penallti të diskutueshme për Pogradecin, e cila u shndërrua në gol nga Zguro në minutën 90+7’, duke barazuar rezultatin. Pas vendimit për penalltinë, futbollistët e Apolonisë u tërhoqën për disa minuta nga fusha e lojës në shenjë proteste.

Golat e takimit u shënuan nga Umejiego në minutat 30’ dhe 48’ për Apoloninë, ndërsa për Pogradecin realizuan Danladi në minutën 11’ dhe Zguro nga pika e bardhë në fundin e ndeshjes.

Një barazim që lë shije të hidhur për Apoloninë, e cila ishte shumë pranë tre pikëve, por që njëkohësisht konfirmon rikthimin e fuqishëm të Umejiegos dhe një paraqitje pozitive të fierakëve ndaj një kundërshtari të fortë.

19 vite pa kolosin e skenës dhe ekranit, aktorin Kadri Roshi

0
19 vite pa kolosin e skenës dhe ekranit, aktorin Kadri Roshi

19 vjet më parë, më 6 shkurt të vitit 2007, ndërroi jetë aktori i madh dhe “Nderi i Kombit”, Kadri Roshi.

Kolosi i skenës dhe ekranit shqiptar, prej moshës 21-vjeçare e përgjatë gjithë karrierës së tij, përjetësoi mbi 180 role dhe figura që nuk do të harrohen kurrë, duke lënë pas një trashëgimi artistike që sfidon kohën.

Kadri Roshi eshte në piedestalin e legjendave të pavdekshme të teatrit dhe filmit shqiptar. Ai lindi më 4 janar të vitit 1924 në Ballsh, në një familje me prejardhje nga Libohova. Aktori përjetoi një vegjëli të trazuar, pasi humbi të emën teksa ishte 2 vjeç dhe mbeti jetim dhjetë vjet më vonë, kur vdiq edhe i ati.

Karriera e tij si aktor nisi në moshën 21-vjeçare në skenën e Teatrit Popullor. Në vitin 1951 u diplomua në Pragë. Me t’u kthyer në vendin e tij të origjinës, Roshi rimori ekzekutimin e roleve të para në logun e jetës artistike të vendit, Teatrin Kombëtar.

Rolet e tij variojnë nga skllavi Ezop, te kujdestari tek “Lulëkuqe mbi mure”, si edhe nga mbrojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në Rilindje, deri te plaku Mere te “Njeriu me top”.

Për kontributin e dhënë në artin shqiptar, Kadri Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik të vitit 1995, me titullin “Artist i Populli”, me Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997 dhe iu akordua urdhri “Nderi i Kombit” në vitin 1999.

Miratohet amnistia penale, Lamallari: 447 persona lirohen menjëherë nga burgu, ulje dënimi për 853 të dënuar

0
Miratohet amnistia penale, Lamallari: 447 persona lirohen menjëherë nga burgu, ulje dënimi për 853 të dënuar

Qeveria miratoi sot Amnistinë Penale. Lajmin e konfirmon Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një deklarate pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Ai thotë se 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu dhe 853 të tjerë ulje dënimi.

Mes tyre ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj. Numri real i përfituesve nga pushimi i ndjekjes penale është shumë më i lartë.

“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam Amnistinë Penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative.

Për më tepër, duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta.

Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe ri-integrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real.

Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane”, shprehet ministri Lamallari.

Ministri i Drejtësisë thotë më tej në deklaratën e tij se pret që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa në mënyrë që amnistia të fillojë efektet e saj.

“Objektivi ynë ambicioz është të kemi një sistem që di të ndëshkojë fort kur duhet, por edhe të japë një shans për t’u rikthyer në shoqëri. Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe një mundësi e dytë e drejtuar nga humanizmi dhe rehabilitimi. 

Falënderoj të gjitha institucionet që kontribuuan në këtë proces dhe pres që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin sa më parë, në mënyrë që efektet pozitive të amnistisë të ndihen nga mijëra familje shqiptare”, deklaron Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Nga kjo amnisi nuk përfitojnë subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posacme për Korrupsionit dhe Krimit e Organizuar.

Projektligji i amnistisë do të depozitohet në Kuvend, ku do të nisë shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe më pas kalon për miratim në seancë plenare.