Home Blog Page 107

Miratohet udhëzimi i ri shkollor: Tekste falas, celularët jashtë klasave dhe asnjë tolerancë për bullizmin!

0
Miratohet udhëzimi i ri shkollor: Tekste falas, celularët jashtë klasave dhe asnjë tolerancë për bullizmin!

Me nisjen e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit kanë miratuar një udhëzim të përbashkët që përcakton masat kryesore për mbarëvajtjen e vitit shkollor 2025–2026 në sistemin arsimor parauniversitar.

Udhëzimi, i botuar në Fletoren Zyrtare, përfshin një sërë detyrimesh që lidhen me regjistrimin e nxënësve, shpërndarjen e teksteve shkollore, ndalimin e përdorimit të celularëve në shkolla, si dhe parandalimin e dhunës dhe bullizmit në institucionet arsimore.

Fillimisht në udhëzim përcaktohet se regjistrimet e nxënësve në Institucionet Arsimore Parauniversitare (IAP) të bëhen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi që përcakton moshën dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Për shpërndarjen e testeve shkollore udhëzimi përcakton se drejtoritë e IAP-ve duhet të afishojnë në vend të dukshëm listën e teksteve shkollore, ku të shënohen titulli, shtëpia botuese, çmimi i tekstit për çdo klasë, vendi ku do të shpërndahen tekstet, si dhe periudha e shpërndarjes sipas një grafiku për çdo klasë.

Institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, drejtuesit e IAP-ve dhe mësuesit të ndjekin me përgjegjësi procesin e shpërndarjes dhe të shitjes së teksteve shkollore për të gjithë nxënësit para fillimit të procesit mësimor dhe të pajisjes me tekste shkollore në përdorim falas për klasat I–IX të arsimit bazë.

Po ashtu kërkohet që prej institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare të marrin masa për zbatimin e legjislacionit në fuqi për ndalimin e përdorimit të telefonit celular në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare.

Prioritet mbetet edhe masat kundër dhunës dhe bullizimit, ku u është kërkuar ZVAP-ve dhe drejtoritë e shkollave të zbatojnë me prioritet Planin Kombëtar të Veprimit “Për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të çdo forme dhune e bullizimi dhe rritjen e sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare”, miratuar me urdhrin nr. 32, datë 21.1.2025.

Ndër masat konkrete të kërkuara janë: zbatimi i Kodit të Etikës së mësuesit (gusht 2025), planifikimi i veprimtarive ndërgjegjësuese për parandalimin e dhunës, bullizmit dhe ekstremizmit, ngritja e këndit “Stop dhunës në shkollë” dhe ekipeve “antibulling” në çdo shkollë. Gjithashtu, theksohet nevoja për monitorimin e komisioneve të etikës dhe disiplinës, si dhe organizimi i veprimtarive sensibilizuese më 21 nëntor, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës në Shkollë./Monitor

Bizneset zëvendësojnë shqiptarët me indianë në ndërtim dhe filipinas në shërbim

0
Bizneset zëvendësojnë shqiptarët me indianë në ndërtim dhe filipinas në shërbim

Gati 22 mijë të huaj ishin të pajisur me leje qëndrimi nga autoritetet shqiptare përgjatë vitit të kaluar, duke pësuar një rritje me 2.2 për qind në krahasim me vitin 2023.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se shumica e të huajve pa pasaporta shqiptare vijnë nga Kosova, me 4592 në total, ndjekur më pas nga Italianët me 3763 leje qëndrimi.

62 për qind e tyre janë meshkuj, ndërsa 38 për qind femra. Grupmosha më e përfaqësuar është 30 deri në 39 vjeç, që zë një të katërtën e totalit, ndërsa sa u takon arsyeve të qëndrimit në Shqipëri, gati 11 mijë prej tyre deklarojnë punësimin, ndërsa të tjerë janë për bashkim familjar dhe studime.

Nga 2023 në 2024, të dhënat tregojnë rënie me mbi 5 për qind të të huajve me origjinë nga një prej vendeve europiane, rritje me 23 për qind të të huajve me origjinë nga Afrika dhe me 20 për qind e atyre nga Azia.

Ndërkohë, në listën e pesë vendeve kryesore të origjinës së të huajve që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri në 2024 u shtua India dhe Filipinet, që pasojnë Kosovën, Italinë dhe Turqinë.

Të dhënat tregojnë prirjen e bizneseve shqiptare për të gjetur krah pune jashtë vendit. Tregut indian i është drejtuar kryesisht sektori i ndërtimit, ndërsa bizneset e shërbimit janë orientuar drejt Filipineve, Vietnami dhe Tajlandës.

Kryenin vjedhje në dhoma hoteli dhe vila luksoze në zonat turistike të Greqisë, arrestohen 4 shqiptarë

0
Kryenin vjedhje në dhoma hoteli dhe vila luksoze në zonat turistike të Greqisë, arrestohen 4 shqiptarë

Policia greke në Mykonos ka vënë në pranga katër shtetas shqiptarë, të dyshuar si autorë të një serie vjedhjesh në zona turistike dhe shtëpi private gjatë sezonit veror.

Sipas zyrës së Nëndrejtorit të Policisë së Mykonosit, identifikimi dhe arrestimi i tyre u bë falë pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat ndihmuan në zbardhjen e aktivitetit të grupit.

Anëtarët e grupit vepronin kryesisht gjatë natës, në zona turistike si Elias, Halarës, Agrari, Linos, Paraga dhe Skalados. Gjatë periudhës 6–20 gusht, ata dyshohet se kanë kryer:

10 vjedhje me thyerje

3 tentativa të dështuara për vjedhje

Sipas policisë, vlera totale e sendeve të grabitura arrinte në rreth 138,000 euro. Objektivat kryesore ishin dhoma hotelesh dhe vila të marra me qira nga turistët.

Hajdutët përdornin furgonë të marrë me qira dhe hynin në ambientet që synonin duke thyer dritare ose dyer ballkoni. Aty grabisnin para, bizhuteri, veshje dhe këpucë firmato, orë, dhe sende të tjera me vlerë.

Një pjesë e mallrave të vjedhura ishin fshehur në çarje shkëmbinjsh për t’u ruajtur përkohësisht. Policia ka sekuestruar:

3,395 euro, si dhe shuma në dollarë amerikanë dhe franga zvicerane
Ora dhe vathë të markave të njohura
Rrobat dhe dorezat që kishin përdorur gjatë grabitjeve
Katër telefona celularë
Veshje e aksesorë firmato
Disa nga sendet e vjedhura janë rikthyer tek pronarët legjitimë.

Katër të arrestuarit do të paraqiten nesër, më 26 gusht, para oficerit hetues për të dhënë dëshminë e tyre.

Policia greke ka theksuar se hetimet po vijojnë për të identifikuar edhe bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të grupit.

Nis shpërndarja e librave falas për 236 mijë nxënës, Manastirliu: Mbështetje direkte për familjet

0
Nis shpërndarja e librave falas për 236 mijë nxënës, Manastirliu: Mbështetje direkte për familjet

Shpërndarja e librave falas për nxënësit e arsimit bazë dhe për kategori në nevojë të nxënësve në shkollat e mesme ka nisur sot në gjithë vendin.

Programi i qeverisë parashikon mbështetje për rreth 236 mijë nxënës në të gjithë vendin, duke garantuar barazi në arsim dhe lehtësi në buxhetet e familjeve.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, nga shkolla 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë, ku ndoqi shpërndarjen e librave, tha se “për këtë program qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion 9 milionë euro, duke siguruar tekste falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, si dhe për kategori të veçanta në shkollat e mesme, të cilët janë në vështirësi ekonomike ose sociale”.

“Program i qeverisë për shpërndarjen e teksteve shkollore falas për 236 mijë nxënës në të gjithë vendin në arsimin parauniversitar ka nisur ditën e sotme dhe është një program mbështetje për të garantuar jo vetëm barazi në arsim, por gjithashtu edhe një lehtësi për familjet. Është një program i cili financohet nga qeveria shqiptare përmes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Janë rreth 9 milion euro të cilat vihen ne dispozicion për të garantuar që nxënësit të kenë librat shkollor falas nga klasa e parë deri në klasën e 9 dhe gjithashtu edhe në gjimnaze për kategoritë specifike, të cilët kanë pamundësi sociale dhe ekonomike”, bëri me dije Manastirliu.

Duke folur për nisjen e vitit të ri shkollor më 8 shtator, Manastirliu u shpreh se përveç shpërndarjes së librave, po finalizohen edhe punimet për rehabilitimin dhe rindërtimin e disa shkollave që do të hapin dyert për vitin e ri shkollor.

Ministrja Manastirliu nënvizoi zgjerimin e programeve digjitale në laboratorët inteligjentë në shkolla, përfshirë kodimin dhe mësimet e para të inteligjencës artificiale në kurrikulën e klasës së katërt.

“Janë më shumë se 340 laboratorë smart në të cilët në do të shtrijmë kurrikulën e teknologjisë dhe informacionit, përmes programit të kodimit codmonkey. E zgjerojmë për klasën e katërt këtë vit për të gjithë nxënësit që janë pjesë e shkollave ku sot smartlab-et janë funksionalë, ku do të kemi një kurrikul të re, duke filluar me mësimet e para të inteligjencës artificiale në librin e klasës së katërt dhe duke i zhvilluar në kurrikulën që jemi duke hartuar si pjesë e modernizimit të kornizës kurrikulare në arsimin parauniversitar”, tha Manastirliu.

Duke folur për masat për vitin e ri shkollor, Manastirliu tha se Programi Kombëtar i Trajnimit dhe Zhvillimit Profesional të Mësuesve do të vijojë.

“Më shumë se 2200 mësues do të trajnohen në bashkëpunim me universitetet publike, me fokus tek metodat inovative të mësimdhënies, tek teknologjia, shkencat e natyrës, TIK-u dhe gjuha”, shtoi ministrja.

Një tjetër prioritet i vitit të ri është plani i sigurisë në shkolla, i cili parashikon trajnimin dhe rritjen e numrit të punonjësve socialë, psikologëve dhe oficerëve të sigurisë, për të garantuar një mjedis sa më të sigurt dhe gjithëpërfshirës për nxënësit.

“Plani i sigurisë në shkolla është një prej komponentëve më të rëndësishëm në të gjithë sistemit tonë arsimor dhe ne do të vijojmë të mbështesim, qoftë me zhvillimin profesional të punonjësit social dhe psikologut në shkolla, por edhe me rritjen e numrit të oficerëve të sigurisë në shkolla, ku parashikojmë jo vetëm të zgjerojmë shkolla të cilat kanë oficerë sigurie, por gjithashtu edhe të rrisim numrin e oficerëve të sigurisë në shkolla të tjera”, theksoi Manastirliu.

Ndër risitë e vitit të ri shkollor 2025-2026, Ministrja Manastirliu përmendi edhe Konkursin Kombëtar të Teatrove për nxënësit e klasave të teta dhe të nënta; Festivalin Kombëtar të Shkencës për gjimnazet, si dhe vijimin e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta.

“Nuk janë më sëmundje të moshës së tretë” – kardiologu Novruz Caushaj (Nokja) tregon pse po shtohen problemet e zemrës tek të rinjtë

0
“Nuk janë më sëmundje të moshës së tretë” – kardiologu Novruz Caushaj (Nokja) tregon pse po shtohen problemet e zemrës tek të rinjtë

Për dekada me radhë, sëmundjet e zemrës janë konsideruar si probleme të moshave të mëdha, apo pasojë e jetës së ç’rregullt, përdorimit të duhanit për një kohë të gjatë, kequshqyerjes, apo tensionit të lartë të gjakut. Megjithat, vitet e fundit, kardiologët kanë vërejtur një ndryshim shqetësues, teksa mosha gjithnjë e me të reja përfundojnë në pavionet e spitaleve me problem serioze të shëndetit të zemrës.

Në episodin e radhës të “Apostrof Podcast, bisedojmë me mjekun kardiolog Novruz Caushaj në lidhje me këtë shqetësim në rritje të jetës moderne, si edhe arsyet përse të rinjtë sot janë më vulnerabël se kurrë më parë.

Dr. Caushaj shprehet se rritja e rasteve të problemeve kardiologjike tek të rinjtë lidhet me jetën sedentare, stresin, kequshqyerjen dhe ushqimet e procesuara, ndërsa thekson se nuk duhen anashkaluar faktorët gjenetikë.

Një nga shembujt e frikshëm që ai përmend, janë edhe “pijet e energjike. “Një kanaçe e vetme e një pijeje energjike çfarëdo, përmban kafeinë sa 20 filxhanë kafeje ekspres.” Ai thotë se furnizimi i organizmit papritur me një sasi kaq të lartë kafeine, aktivizon sistemtin nervor simpatik, rrit hormonet e stresit dhe shton rrahjet e zemrës, ndërsa ul ndjeshëm kohën e relaksimit të zemrës midis kontraktimeve. Me kalimin e kohës, diçka e tillë mund të çojë në lodhje dhe problema afatgjata të zemrës.

Por, ai thkeson se shëndeti i zemrës nuk lidhet vetëm me zgjedhje individuale, ndërsa shton se stresi mbetet një nga faktorët e rëndësishëm të “problemeve kardiovaskulare. Orët e gjata në punë, pasiguria ekonomike dhe presioni i vazhdueshëm social për të qëndruar në “krye të punëve,” shpesh në shoqëritë tona shpërblehet dhe normalizohet, edhe pse nga ana tjetër ndikon tërthorazi në shkurtimin e jetës. Në këtë aspekt, sëmundjet e zemër kthehen po aq “çështje politike dhe sociale, sa ç’janë edhe problema mjekësore.

Dilema që ngrihet në lidhje me brezat e ardhshëm, është e frikshme: A do t’iu duhet të rinjve të mësohen të jetojnë me më tepër probleme kronike të zemrës se sa prindërit e tyre, apo jemi ende në kohë për ta ndryshuar këtë trajektore? Për Dr. Caushaj, ndërgjegjësimi përbën hapin e parë dhe thelbësor drejt mbajtjes nën kontroll të problemeve kardiologjike, veçanërisht tek të rinjtë, në të ardhmen. Nëse arrijmë të kuptojmë ndikimin që ka mënyra e jetesës dhe stimulantët e jashtëm në organizmin tonë, do të mund të hapim rrugën drejt parandalimit. Por,  nga ana tjetër, kjo kërkon edhe ndryshime kolektive, nga mjedise pune më të shëndetshme, tek vendosja e rregullave më strikte ndaj shitjes së produkteve që shpesh bëjnë më tepër dëm se sa na ndihmojnë në jetët tona të përditshme.

Përleshje dhe dhunë fizike mes dy familjeve shqiptare në Itali, pesë persona përfundojnë në spital

0
Përleshje dhe dhunë fizike mes dy familjeve shqiptare në Itali, pesë persona përfundojnë në spital

Gjashtë persona me origjinë shqiptare, pjesëtarë të dy familjeve, janë arrestuar në Cassano delle Murge, në Bari, pas një sherri të dhunshëm që ndodhi për motive të dobëta.

Sipas hetimeve të karabinierëve, konflikti ka degjeneruar në përleshje fizike në qendër të qytetit.

Pesë nga të arrestuarit, të moshës nga 27 deri në 66 vjeç, përfunduan në spital: tre prej tyre kanë pësuar plagë më të rënda, ndërsa dy të tjerë kanë plagë të lehta, të shërueshme brenda një jave.

Për të gjashtë personat e përfshirë në ngjarje është  caktuar arrest shtëpie.

Dy të rinj grabisin karburantin me automjet të vjedhur, hapin zjarr ndaj policisë, uniformat blu i kundërpërgjigjen, një i plagosur

0
Dy të rinj grabisin karburantin me automjet të vjedhur, hapin zjarr ndaj policisë, uniformat blu i kundërpërgjigjen, një i plagosur

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm (24 gusht) në autostradën Durrës–Tiranë, në zonën e Sukthit, ku dy persona u përfshinë në një përplasje të armatosur me Policinë.

Dy autorët kishin vjedhur një automjet më datë 20 gusht 2025, në zonën e Sektorit Rinia, Durrës, dhe e përdorën për të kryer një grabitje me dhunë në një karburant në Sukth, më 21 gusht, rreth orës 03:40.

Policia identifikoi automjetin e vjedhur dhe u vu në ndjekje të tij në orët e natës, rreth orës 01:00.

Gjatë ndjekjes, automjeti me shpejtësi të lartë doli nga rruga pranë rrethrrotullimit të mbikalimit në Vorë, në drejtim të Shijakut.

Në këtë moment, nga brenda mjetit u qëllua me armë zjarri ndaj efektivëve të Policisë.Forcat e rendit u kundërpërgjigjën në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ku si pasojë mbeti i plagosur A. D., 28 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, personi tjetër, L. Ç., 27 vjeç, po ashtu banues në Bilalas, që rezistoi me armë ndaj Policisë, u neutralizua dhe u arrestua.

Nga vendi i ngjarjes Policia sekuestroi një armë zjarri kallashnikov me dy krehra fishekësh.

Njoftimi:

Vodhën një automjet dhe e përdorën për të kryer vjedhje me dhunë në një karburant në Sukth, por u identifikuan nga Policia.

Gjatë ndjekjes, dy autorët hapën zjarr ndaj shërbimeve të Policisë dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, njëri prej tyre mbeti i plagosur.

Autori tjetër, pas rezistencës me armë ndaj shërbimeve të Policisë, u neutralizua dhe u vu në pranga.Shërbimet e Policisë sekuestruan një armë zjarri kallashnikov dhe dy krehra fishekësh.

Rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm, në autostradën Durrës-Tiranë, te “Çifligu” në Sukth, shërbimet e Policisë konstatuan automjetin e vjedhur më datë 20.08.2025, në orën 20:30, në Sektor Rinia, Durrës, me të cilin, më datë 21.08.2025, rreth orës 03:40, sipas njoftimit të një shtetasi të punësuar në një karburant në Sukth, ishte grabitur me dhunë shuma e lekëve të xhiros.

Shërbimet e Policisë së Durrësit u vunë në ndjekje të automjetit, i cili po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Tiranës, dhe u njoftua edhe DVP Tiranë për ndihmë.

Si pasojë e shpejtësisë së madhe, pa shkuar në Vorë, tek rrethrrotullimi i mbikalimit në rrugën dytësore që shkon për Shijak, automjeti doli nga rruga dhe, gjatë kësaj kohe, nga brenda tij u hap zjarr ndaj punonjësve të Policisë, të cilët, të gjendur përballë kësaj situate, u përgjigjën me zjarr, në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.

Si pasojë, u plagos njëri nga autorët, shtetasi A. D., 28 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Personi tjetër, shtetasi L. Ç., 27 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, pasi bëri rezistencë me armë ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar jetën e tyre, u neutralizua dhe u kap nga shërbimet e Policisë Durrës.

Gjatë veprimeve të Policisë së Durrësit, kanë ardhur në mbështetje edhe forcat e Policisë së DVP Tiranë.Në vendin e ngjarjes u gjet një armë zjarri automatik me 2 krehra, e përdorur nga dy personat e sipërpërmendur.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna nga Sektori për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Durrës, për dokumentimin e ngjarjes së ndodhur.

“Habiten si i bëjmë burrë e grua 2 tonë e gjysmë!” Kultivuesi i duhanit në Kurjan: Të kemi markën tonë të cigareve si dikur (Video)

0
“Habiten si i bëjmë burrë e grua 2 tonë e gjysmë!” Kultivuesi i duhanit në Kurjan: Të kemi markën tonë të cigareve si dikur (Video)

Nga Marsela Topi

Në Kurjan të Roskovecit, duhani dikur ishte kultura më e rëndësishme bujqësore. Parcelat mbulonin mbi 200 hektarë dhe prodhimi vjetor shkonte ne 3000 kv. Pas viteve ’90, gradualisht sipërfaqja u tkurr dhe sot traditën e ruan vetëm Novruz Kuka.

Fermerin e gjejmë duke tharë duhanin e sapovjelë, teksa na tregon se ky është viti me prodhimin më të dobët, në më shumë se tre dekada. Prodhimi i sivjetshëm arrin në 2 tonë e gjysmë krahasuar me 4 tonë qe mori sezonin e kaluar.

“Në realitet, ka ardhur në rënie nga viti në vit kultivimi i duhanit. Nga vitet që prodhim nga 200-300 kv, kam arritur 20-3 ton. Sivjet është viti më i dobët, vetëm burrë e grua nuk ka më fuqi punëtore. Edhe çmimi deri diku nuk ka qenë keq, 5-6 mijë, por duhet të jetë më i lartë, se ka shumë punë duhani”, thotë Kuka.

Shkaqet e rënies se prodhimit janë të shumta, si mungesa e politikave mbështetëse nga shteti, mungesa e kontratave të sigurta me kompani grumbulluese, vështirësia për të gjetur punëtorë por edhe kostot e larta të prodhimit.

“Procesi është i vështirë që nga rritja e farishtes, mbjellja prashitja, vjelja tharja. Por nuk ka punëtorë. Tani nuk ka fuqi punëtore, Habiten kur themi që bëjmë 2 ton e gjysmë burrë e grua, thonë si ja dilni”, shprehet fermeri.

Çmimi i shitjes me shumice është 5-6 euro për kilogram, sipas cilësisë, dhe shkon kryesisht për eksport ne Greqi.
Edhe pse disa fermerë të tjerë shfaqën interes për ta rikthyer kultivimin e duhanit, pasiguria i ka detyruar të tërhiqen.

“Këtu duhet një ndërhyrje nga shteti. Pse të mos kemi markën tonë të cigares si në kohën e monizmit, kishte Shkëlzeni, Partizani, DS”, thekson ai.

Nga një industri që siguronte qindra vende pune, sot duhani është lënë në harresë dhe vendi ynë ende nuk ka një markë të vetën.

Nga kafeja tek rrjetet sociale: 9 veprimet e përditshme që mund të nxisin ankthin

0
Nga kafeja tek rrjetet sociale: 9 veprimet e përditshme që mund të nxisin ankthin

Në ditët e sotme çrregullimet e ankthit janë bërë mjaft të zakonshme. Edhe nëse nuk keni një çrregullim ankthi, padyshim që keni shqetësime për rrethana të caktuara si për shembull një prezantim i rëndësishëm në punë etj.

Por nëse jeni duke përjetuar ndjenja nervozizmi ose shqetësimi pa ndonjë arsye të dukshme, një nga këta shkaktarë mund të jenë fajtori.

AgroWeb.org ju njeh me disa nga veprimet e zakonshme mund të shkaktojnë ankth.

Keni pirë shumë kafe


Sipas një studimi ku AgroWeb.org mbëtetet, tejkalimi i konsumit të kafesë ka treguar se shkakton simptoma që vështirë të dallohen nga një çrregullim ankthi.

Megjithatë në këtë rast ai nuk konsiderohet të jetë çrregullim i mirfilltë ankthi.

Konsumi i tepërt i alkoolit


Alkooli i tepërt është një nga shkaktarët kryesorë të ankthit, pasi mund të ndikojë në tru dhe t’ju bëjë më të ndjeshëm ndaj këtyre çrregullimeve.

Përdorimi i tepruar i alkoolit me kalimin e kohës mund të dëmtojë trurin, duke shkaktuar probleme me humorin dhe aftësinë njohëse.

Ndërsa në afat të shkurtër, përdorimi i tepërt i alkoolit mund të shkaktojë rikthim të ankthit.

Jeni duke marrë ilaçe të caktuara


Nëse jeni të sëmurë dhe pyesni veten: “Pse ndihem i shqetësuar?” mos kërkoni më larg se ilaçet pa recetë në komodinën tuaj.

Jeni të etur


Sipas disa hulumtimeve ku AgroWeb.org bazohet edhe një dehidrimi i lehtë mund të shkaktojë shqetësime në humor.

Prandaj është e rëndësishme të qëndroni të hidratuar gjatë gjithë ditës.

Sheqeri në gjak është i ulët


Njerëzit që janë nën stres dhe kanë ankth shpesh shprehen se oreksi i tyre ndërpritet.

Anashkalimi i vakteve çon në një rënie të sheqerit në gjak, gjë që shton më tepër ndjenjën e ankthit duke krijuar një rreth vicioz.

Regjimi juaj ushqimor është i pabalancuar


Studimet kanë treguar se regjimet ushqimore me mungesë të mishit të viçit, derrit, pulës, zarzavateve, frutave, arrorëve dhe vezëve mund të çojnë në depresion.

Dhe njerëzit që papritmas nuk i konsumojnë më këto ushqime mund të ndihen të shqetësuar dhe të irrituar.

Nuk ndaheni prej rrjeteve sociale


Facebook dhe Instagram mund të jenë argëtues, por qëndrimi për një kohë të gjatë në rrjetet sociale mund të bëhet një burim i ankthit.

Nga studimet e kryera rezulton se shumica e përdoruesve të rrjeteve sociale e krahasojnë vetën me të tjerët dhe kjo krijon pakënaqëesi dhe mund të çojë edhe në depresion.

Po kaloni shumë kohë të mbyllur në shtëpi


Të kaloni pak kohë në natyrë mund të rrisë energjinë tuaj fizike dhe mendore, ndërsa kalimi i kohës brenda ka efektin e kundërt.

Plus, rrezet e diellit ju japin vitaminë D, e cila në bazë të studimeve ju mbron nga depresioni.

Nuk flini mjaftueshëm


Stresi dhe ankthi mund të shkaktojnë probleme me gjumin, por mungesa e gjumit mund të shkaktojë gjithashtu ankth.

Nëse pagjumësia bëhet kronike, kjo mund të rrisë rrezikun e një personi për të zhvilluar depresion ose çrregullime ankthi./AgroWeb.org

Përplasen dy automjete në Fier, lëndohet një fëmijë! Shoferët konfliktohen fizikisht me njëri-tjetrin

0
Përplasen dy automjete në Fier, lëndohet një fëmijë! Shoferët konfliktohen fizikisht me njëri-tjetrin

Rreth orës 14:20 të ditës së sotme, një aksident rrugor është regjistruar në qendër të Fierit, pranë semaforit kryesor. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, duke shkaktuar panik dhe trafik.

Sipas informacioneve të para nga vendngjarja, nga përplasja ka mbetur i lënduar edhe një fëmijë, i cili është transportuar menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja është shoqëruar edhe me tensione, pasi drejtuesit e mjeteve janë konfliktuar fizikisht pas aksidentit. Dyshohet se një prej shoferëve ka qenë në gjendje të dehur, ndërkohë që policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave.