Home Blog Page 110

Ndezën zjarre në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë, arrestohen dy autorët

0
Ndezën zjarre në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë, arrestohen dy autorët

Dy persona që ndezën zjarre në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit.

Autori i zjarrvënies në Lushnjë gjithashtu pengoi zjarrfikësit, gjatë punës për shuarjen e zjarrit.

•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. B., 61 vjeç, banues në fshatin Cakran, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në luginën e lumit Vjosa, konkretisht në vendin e quajtur “Mezarak”, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke (arë), 300 pemë ulliri dhe bimësi e llojeve të ndryshme e parkut kombëtar.

•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 58 vjeç, banues në fshatin Dushk, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke.
Gjithashtu, 58-vjeçari ka penguar zjarrfikësit për të shuar flakët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Kujdes nga temperaturat e larta! Mjekët në Fier vërejnë çrregullime të shëndetit mendor

0
Kujdes nga temperaturat e larta! Mjekët në Fier vërejnë çrregullime të shëndetit mendor

Temperaturat e larta të këtyre ditëve po ndikojnë jo vetëm trupin, por edhe mendjen.

Në Poliklinikën e Fierit, mjekët kanë vënë re një rritje të ndjeshme të vizitave për probleme të shëndetit mendor.

Psikiatri me 37 vite përvojë, Dr. Agim Sulaj, thotë se valët e të nxehtit po përkeqësojnë gjendjen e pacientëve, veçanërisht tek të rinjtë dhe të miturit.

Temperaturat e larta janë problem sidomos për ata me probleme të shëndetit mendor apo siç e quajmë, me çrregullime të humorit,” thotë Dr. Sulaj.

Doktori veçon faktin e problemeve të shëndetit mendor në grupmosha të reja dhe të vogla, nga adoleshentët tek të miturit si pasojë edhe e problemeve familjare socialo-ekonomike, divorci i prindërve apo përdorimi i narkotikëve.

Kjo vjen së pari nga problemet familjare, nga traumat që pësojnë në familje si rezultat i divorceve, i ndryshimit të mënyrës së jetesës, si rezultat i keqpërdorimit të mjeteve të teknologjisë,” tregon mjeku psikiatër.

Mungesa e qendrave rehabilituese vazhdon të jetë problem në Shqipëri prej 30 vitesh.

/rtsh.al/

Historia e gruas që po sjell amerikanët të jetojnë në Shqipëri: Harrojeni Spanjën e Portugalinë…

0
Historia e gruas që po sjell amerikanët të jetojnë në Shqipëri: Harrojeni Spanjën e Portugalinë…

Nga Cepee Tabibian

Si shumë amerikanë, edhe unë gjithmonë kam ëndërruar të zhvendosem në Evropë. Në vitin 2015, në moshën 35-vjeçare, vendosa të largohesha nga Teksasi dhe të shkoja në Spanjë.

Dy vjet më pas, themelova “She Hit Refresh”, një komunitet që ndihmon gratë mbi 30 vjeç të bëjnë hapin e madh drejt jetës jashtë vendit. Që atëherë, kam ndihmuar qindra gra të ndërtojnë jetë të reja në vende si Portugalia, Spanja, Franca, Italia dhe Holanda.

Destinacionet më të preferuara nga gratë me të cilat punoj janë zakonisht ato me mot të ngrohtë dhe opsione fleksibile vizash. Spanja dhe Portugalia janë në krye të listës sepse janë relativisht të përballueshme për Evropën Perëndimore, kanë një ritëm të qetë jetese dhe rrugë për qëndrim që nuk kërkojnë pasuri të madhe apo pension.

Një vend që pak amerikanë do të mund ta gjenin në hartë, e lëre më ta konsideronin për të jetuar, është Shqipëria. Por kjo po ndryshon.

Vitet e fundit, kam dëgjuar shpesh për Shqipërinë nga anëtarët e komunitetit tim. Disa prej tyre u zhvendosën atje dhe nuk ndalonin së lavdëruari vendin. E intriguar, kalova një muaj në Shqipëri në vitin 2024, kryesisht në kryeqytetin Tiranë dhe përgjatë bregdetit. Desha të kuptoja pse gjithë ky entuziazëm dhe ajo që gjeta më surprizoi vërtet.

Shqipëria mund të mos jetë për të gjithë, asnjë vend nuk është, por për shumë amerikanë që kërkojnë një nisje të lehtë, ajo plotëson shumë kritere. Ja pse e konsideroj vendin më të nënvlerësuar në Evropë për ata që duan të zhvendosen nga SHBA-ja:

Është e përballueshme

Shqipëria është një nga pak vendet në Evropë ku mund të marrësh me qira një apartament komod për më pak se 500 dollarë në muaj, thonë gratë në rrjetin tim. Ky kosto e ulët jetese është një nga arsyet kryesore pse amerikanët po zgjedhin Shqipërinë, përcjell dritare.net

Merrni shembullin e Cheryl Orlov, e cila u zhvendos nga Redondo Beach, Kaliforni, në Tiranë. “Edhe pse kostoja e jetesës në Tiranë po rritet, ajo është ende shumë më e ulët sesa ajo që paguaja në Kaliforni,” më tha ajo. Qiraja e saj për një apartament me dy dhoma në Tiranë është më pak se një e gjashta e asaj që paguante për një shtëpi me dy dhoma në Redondo Beach para se të largohej në 2023.

Blerjet e ushqimeve, restorantet dhe shërbimet shëndetësore janë gjithashtu shumë më të përballueshme. Për nomadët digjitalë dhe pensionistët, Shqipëria ofron një cilësi jetese që po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u gjetur në shumë qytete të SHBA-së.

Mund të qëndrosh deri në një vit pa vizë

Një nga avantazhet më të mëdha të Shqipërisë është se amerikanët mund të jetojnë atje deri në 12 muaj pa pasur nevojë për vizë, një përparësi e rrallë në Evropë.

Mund të hipni në një avion sonte dhe nesër të nisni jetën e re në Shqipëri, pa asnjë dokumentacion të komplikuar. Kjo e bën ideale për ata që duan të “testojnë” jetën jashtë vendit pa u ngatërruar me sistemet komplekse të vizave.

Gjatë qëndrimit tim në Tiranë, takova Denisa Kaca Bradley, themeluese e “Expats in Albania”, për të mësuar më shumë rreth opsioneve të emigracionit. Ajo më shpjegoi se qëndrimi përtej një viti kërkon dokumentacion, por kjo është e mundur dhe organizata e saj ndihmon të sapoardhurit me këtë proces.

Në takimet e saj javore, takova dhjetëra amerikanë: gra solo, çifte dhe familje. Shumë prej tyre përdorin Shqipërinë si një pikënisje, duke qëndruar për një ose dy vjet para se të zhvendosen në një vend tjetër të Evropës pasi kanë rregulluar vizat aty. Të tjerë zgjedhin të qëndrojnë për kohë të gjatë.

Është bukur

Nga Alpet e egra shqiptare në veri, tek ujerat turkiz të Detit Adriatik në perëndim dhe Jonit në jug, peizazhi i vendit është mahnitës.

Gjatë udhëtimit tim, vozita përgjatë Rivierës Shqiptare dhe vizitova Sarandën, një qytet buzë detit me një shëtitore të bukur. Ishte shtator dhe moti ishte ende mjaft i ngrohtë për të notuar dhe marrë diell, por plazhet ishin pothuajse bosh — një privilegj i rrallë në krahasim me vende si Spanja apo Italia. Në ditë të kthjellë mund të shohësh Greqinë në largësi! Ishulli i Korçës është vetëm 30 minuta me traget.

Nuk arrita të vizitoj malet veriore, por ato janë në krye të listës sime për herën tjetër. Fshatrat e largëta, shtigjet për ecje dhe peizazhet e bukura e bëjnë Shqipërinë një parajsë për adhuruesit e natyrës.

Ndihet lokale, por ka një komunitet në rritje të të huajve

Deri në fillim të viteve 1990, Shqipëria ishte kryesisht e mbyllur për botën nën regjimin komunist, turizmi ka nisur të zhvillohet vetëm dekadën e fundit. Si rezultat, Shqipëria ende ndihet autentikisht shqiptare.

Në të njëjtën kohë, shqiptarët janë shumë mikpritës ndaj amerikanëve, diçka që surprizoi shumë prej të huajve që takova. Sentimenti pro-amerikan dhe mikpritja ndaj të huajve e bëjnë më të lehtë për të sapoardhurit të ndihen si në shtëpi dhe të krijojnë lidhje me komunitetin lokal.

Në qytete si Tirana dhe qytetet bregdetare si Vlorë, ka gjithashtu një numër në rritje të të huajve që po vendosin rrënjë. Si Monica Miranda, një amerikane që u zhvendos nga Jersey City, New Jersey në Vlorë në moshën 43 vjeç, së bashku me qenushin e saj. “Nuk dija shumë për Shqipërinë,” më tha ajo. “Por sapo mbërrita, ndodhi diçka. Një muaj u bë dy.” Monica jeton në Shqipëri prej gati dy vjetësh dhe së fundmi mori kartën e qëndrimit për pesë vite.

“Kam krijuar një komunitet mbështetës me të huaj nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Amerika Latine,” tha ajo. “Takojmë disa herë në javë dhe ka qenë një eksperiencë shumë pozitive.”

Ndoshta nuk është vendi i parë që ju vjen në mendje, por për shumë amerikanë që kam takuar, Shqipëria është bërë vendi i duhur në kohën e duhur.

Shëmtia që vret bukurinë / Ja kush është vrasësi i kuajve në Llogara, Selfo Merkohitoj

0
Shëmtia që vret bukurinë / Ja kush është vrasësi i kuajve në Llogara, Selfo Merkohitoj

Nga Adriatik Doçi:

Prej disa ditësh opinioni publik u acarua me një ngjarje të pazakontë që ndodhi në Malin e Llogarasë. Një tufë e egër kuajsh që shëtisin në liri në mal, rreth 22, u qëlluan me çifte nga një i panjohur për arsye që i dinte vetëm ai. Disa kuaj u gjetën me saçme në trup të plagosur. 4 ngordhën dhe u larguan për t’u varrosur nëpër male, ndërsa tufa e mbetur u fsheh në kreshtat e Karaburunit, larg syve të njerëzve.

Kuajt i vrau Selfo Merkohitoj, një fshatar nga Dukati, fshat në rrëzë të Llogarasë. Policia dhe prokuroria e identifikuan këtë personazh të shëmtuar në fytyrë e shpirt, i cili nuk ishte herë e parë që bënte të tilla krime. Dyshohet që Selfo “dukaqoti” është edhe zjarrvënës i pyjeve edhe hajdut i tyre.

Selfo, sipas fshatarëve të zonës, ka një jetë që “livadhis” nëpër pyjet e Llogarasë. I ka vjedhur ç’të mundi pyllit e në kurriz të tij ka ndërtuar familje, të cilën e ka ushqyer me ‘haram’. Në fund vrau kuajt e bukur të Llogarasë. Ata që nuk flasin por vetëm vrapojnë, si pak gjëra që kanë mbetur pa vargoj në këtë vend.

Selfo, sipas informacionit, nuk ishte i vetëm kur bëri masakrën, me vete kishte edhe djalin, K. Merkohitoj. Dardha bie mbi dardhë, ashtu si Kadriu urren kuajt si babai i tij Selfo.

Familja Merkohitoj shquhet si familja më hajdute e zonës së Dukatit, e cila ka shkatërruar Llogaranë për hesap të bizneseve të zonës. Njëri prej tyre është Kompleksi “Alpin” i Gëzim Capojit, me vileta dhe turizëm për kafshët e egra.

Prokuroria dhe qeveria mund ta fusë në burg Selfon nga Dukati për krimin “kafshëror” ndaj kuajve të Llogarasë, por ajo që mbetet është se, natyra e egër dhe e paçmuar e Shqipërisë, ka mbetur në duar të kafshëve njerëz, të atyre që i urrejnë kuajt e bukur kur shohin shëmtinë e tyre, pasqyruar në lërat e maleve./ Prapaskena

“Mi vranë vetëm se pinë ujë”, shpërthen në lot pronari i tufës me kuaj që u qëllua me çifte në Llogara: Mbaja familjen me to

0
“Mi vranë vetëm se pinë ujë”, shpërthen në lot pronari i tufës me kuaj që u qëllua me çifte në Llogara: Mbaja familjen me to

Ksenofon Konomi, pronari i tufës me kuaj të qëlluar disa ditë më parë në malin e Llogarasë, ka folur lidhur me këtë ngjarje teksa tha se policia nuk ka mbërritur në vendngjarje, pavarësisht denoncimit të tij.

Ai apelon që ngjarja të hetohet me urgjencë dhe autorët të vihen para drejtësisë.

“Siç kam thënë dhe para dy javësh, nga 22 kuaj që ishin atje në malin e Llogarasë, janë goditur me armë gjahu, me çifte. Janë gjetur plumbat në trupin dhe kurrizin e kafshëve. Me veterinerin kemi shkuar, përveç policisë që nuk ka ardhur në vendngjarje”, thotë ai.

Ai tregon se fillimisht mendoi se bëhej fjalë për sulm nga kafshë të egra, por tronditja ishte e madhe kur pa plumbat në shpinën e kafshëve.

“Më kanë prekur thellë. Me ata kuaj mbaja familjen dhe punën time, transportoja turistët. M’i vranë vetëm se pinin ujë te lerat. Dua që autorët të ndëshkohen,” është shprehur Konomi.

Përderisa gjen kafshët me plumba në kurriz, ku nuk të shkon mendja. Fillimisht mund të ishin dyshime se i kanë ngrënë kafshët e egra, po ku ka kafshë të egër me plumb në gojë? Kam shumë për të thënë, po nuk flas dot, jam në gjendje shumë të keqe.

Ata kishin tetë vjet atje dhe s’i kishte ngacmuar njeri. Nga na doli kjo kafshë me pushkë në gojë? Zoti qoftë dëshmitar. Çfarë konkurrence?! I qëlluan për 5 kuintal ujë… M’i vranë vetëm se pinë ujë te lerat,” tha ai për Euronews Albania.

Sipas pronarit të tufës, 22 kuaj janë qëlluar me armë gjahu. Katër prej tyre kanë ngordhur menjëherë, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në zonë, disa të lënduar dhe disa drejt ngordhjes për shkak të plagëve.

Konomi ka gjetur mbetje të kuajve pranë lerës dhe në periferi të stanit, me gjak të mpiksur, që tregojnë se ngjarja ka ndodhur së fundmi.

Sipas tij, pavarësisht se autoritetet janë njoftuar menjëherë, policia nuk ka shkuar në vendngjarje për të kryer verifikimet.

Në komunikatën zyrtare, policia ka raportuar vetëm për një kalë të plagosur, ndërsa autori i dyshuar është proceduar në gjendje të lirë.

Pronari thekson se ka qenë gjithmonë në dispozicion të policisë dhe se këta kuaj janë përdorur për transport dhe ndihmë gjatë zjarreve të verës së kaluar.

Ndërron jetë 15-vjeçari i shpëtuar nga efektivi Mustaj në aksidentin e Fierit

0
Ndërron jetë 15-vjeçari i shpëtuar nga efektivi Mustaj në aksidentin e Fierit

I mituri 15-vjeçar që i kishte mbijetuar aksidentit rrugor në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës” ka humbur jetën në spitalin e Traumës.

Djali ishte shpëtuar vetëm pak ditë më parë falë ndërhyrjes heroike të efektivit 26-vjeçar, Klajdi Mustaj, i cili rrezikoi jetën duke nxjerrë nga automjeti të dëmtuar personat që ishin në bord. Sipas informacioneve automjeti rrezikonte të shpërthente në flakë.

Një automjet kishte humbur kontrollin, ishte përmbysur dhe kishte mbetur i bllokuar në anë të rrugës, me katër persona të plagosur brenda.

Situata u bë edhe më e rrezikshme kur nga mjeti filloi të dilte tym i dendur, duke rrezikuar shpërthim.

Aksidenti ndodhi mbrëmjen e të premtes rreth orës 20:00.

“Hapësira ime Publike”, hapet portali ku qytetarët mund të denoncojnë zaptimin e hapësirave publike

0
“Hapësira ime Publike”, hapet portali ku qytetarët mund të denoncojnë zaptimin e hapësirave publike

Aksioni për lirimin e hapësirave publike vazhdon në të gjithë vendin, ndërsa tashmë qytetarët do të kenë tashmë mundësi të denoncojnë abuzuesit në portalin “Hapësira ime Publike”.

Hapja e këtij portali u bë me dije nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa e konsideron atë një “dritare  të re komunikimi në mbrojtje të hapësirës publike”.

Në këtë portal, qytetarët do të kenë mundësi të denoncojnë zënien e trotuareve apo hapësirave komunitare, ndërtimet pa leje ose në shkelje të lejes, zaptimin dhe ndotjen e anës së rrugës kombëtare, parkingje private të paligjshme, kantiere ndërtimi pa rrethim të rregullt apo me ndotje mjedisore si dhe ndotje fizike apo akustike të hapësirës publike.

Në rast mosreagimi brenda 24 orësh nga institucionet përkatëse, qytetarët mund të plotësojnë edhe një formularë ankese për të adresuar shqetësimin e tyre.

Qeveria ka deklaruar “luftë” pa kompromis ndaj çdo zaptuesi të hapësirës private, duke paralajmëruar gjoba e deri në ndjekje penale për abuzuesit.

Shpëtoi 3 të aksidentuarit në Fier/ Drejtori Proda i akordon policit Klajdi Mustaj, certifikatën për shërbime të dalluara

0
Shpëtoi 3 të aksidentuarit në Fier/ Drejtori Proda i akordon policit Klajdi Mustaj, certifikatën për shërbime të dalluara

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, vlerëson dhe falënderon Inspektor Klajdi Mustaj për humanizmin dhe përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve dhe detyrës, për ndërhyrjen e guximshme për të shpëtuar tre qytetarë të dëmtuar gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier.

Për këtë akt guximi dhe përkushtimi në shërbim të jetës së qytetarëve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i akordoi punonjësit të Policisë Rrugore, Inspektor Klajdi Mustaj, Certifikatën për Shërbime të Dalluara!

Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm Ilir Proda:

“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne. Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore. I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional. Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve.

Angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, sakrifica, ndershmëria dhe humanizmi duhet të jenë motoja jonë në përmbushjen e detyrës, fytyra dhe imazhi i ri i Policisë së Shtetit.”

Inspektor Klajdi Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit prej shkurtit 2024, kur përfundoi Kolegjin Profesional për Patrullë të Përgjithshme. Ka përfunduar studimet për Shkencat Juridike (Bachelor) dhe aktualisht vazhdon studimet për Master.

Pas 10 ditëve luftë ja dolëm! Faleminderit Memorial

0
Pas 10 ditëve luftë ja dolëm! Faleminderit Memorial

Matilda, vajza e një pacienti që u kurua në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit, ka ndarë publikisht përmes një postimi në facebook mirënjohjen e saj të thellë për stafin mjekësor që u bë si familje gjatë gjithë kësaj kohe. Me fjalë të ngrohta, ajo përshkruan kujdesin, përkushtimin dhe humanizmin që shoqëruan çdo moment të trajtimit të babait të saj.

Postimi i plotë

Pas 10 diteve lufte, me ne fund ja dolem te te qetesojme trimi im… Kete here na trembe pak, por ishim te sigurte qe do te kthenim perseri ne shtepine tende…

Veç falenderimeve per çdo njeri te afert qe na qendruan prane si gjithmon, kete here dua te bej nje falenderim publik per gjithe stafin e Spitalit Memorial Fier dhe ne veçanti per drejtuesen e ketij spitali znj. Rudina Degjoni, per Dok. Eneiden, Dok. Kjanden, Dok, Amarildon, Kryeinfermiere Erinen, dhe per te gjithe vajzat dhe djemte infermier dhe staf, qe na qendruan prane me sherbim, por dhe me suport moral…

Jeni te mrekullueshem te gjithe, jo vetem per sherbimin qe me modesti thoni e kemi per detyre, por mbi te gjitha per kujdesin njerezor qe tregoni çdo dite edhe pse me orare te gjata edhe pse te pagjume, askend nuk pashe te neglizhonte detajet me te vogla ne sherbim te njerezve…

Bravo! Jeni me te miret! Uroj çdo mund i juaji te shperblehet! E meritoni!

Faleminderit🙏

Shkolla “Liri Gero” në Fier rihapet në shtator me ambiente të reja dhe moderne

0
Shkolla “Liri Gero” në Fier rihapet në shtator me ambiente të reja dhe moderne

Shkolla 9-vjeçare “Liri Gero” Në Fier do të hapë dyert në shtator me kushte më të mira për nxënësit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau sot foto nga ambientet e reja të kësaj shkolle, e cila është një tjetër institucion arsimor me standarde bashkëkohore për mësuesit dhe nxënësit që i shtohet “zinxhirit” të shkollave të reja që po transformohen në të gjithë vendin.

“Drejt përfundimit transformimi rrënjësor i shkollës 9-vjeçare “Liri Gero” në Fier, e cila do të hapë dyert këtë vit të ri shkollor me ambiente të reja, klasa moderne dhe kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Bashkinë Fier”, tha Manastirliu.

Shkolla do të jetë e pajisur me ambiente të standardeve të larta, që përfshijnë laboratorë, hapësira për aktivitete kulturore dhe sportive, si dhe ambiente të gjelbra për qëndrim dhe rekreacion.

Ministria e Arsimit dhe Sportit synon të garantojë kushte bashkëkohore mësimore për nxënësit dhe mësuesit në të gjithë vendin.

Nga viti 2025 e në vijim, fokusi mbetet te cilësia në arsim përmes investimeve të qëndrueshme në shkolla, objekte sportive dhe ambiente ndihmëse, duke rritur aksesin, sigurinë dhe funksionalitetin e institucioneve arsimore.