Home Blog Page 111

Fier/ Dashuria që bashkon trojet shqiptare: Çifti nga Kosova dhe Shqipëria martohen mes simboleve kombëtare (Video)

0
Fier/ Dashuria që bashkon trojet shqiptare: Çifti nga Kosova dhe Shqipëria martohen mes simboleve kombëtare (Video)

Atmosferë festive dhe emocione të mëdha në qytetin e Fierit, ku një çift nga Kosova dhe Shqipëria kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me një dasmë me ngjyra patriotike.

Të shoqëruar nga familjarë, miq dhe qytetarë kureshtarë, çifti ka parakaluar në rrugët e qytetit duke valëvitur flamujt kombëtarë të Shqipërisë dhe Kosovës.

Mes duartrokitjeve të të pranishmëve dhe atmosferës së zjarrtë, dasmorët kanë përçuar një mesazh të fuqishëm dashurie, bashkimi dhe krenarie kombëtare.

Video/ Aksident i shumëfishtë në autostradën Fier- Lushnjë, disa mjete përplasen mes tyre, 2 të plagosur

0
Video/ Aksident i shumëfishtë në autostradën Fier- Lushnjë, disa mjete përplasen mes tyre, 2 të plagosur

Një aksident i shumëfishtë është regjistruar këtë të martë (5 gusht) në afërsi të ‘Pushimit të Shoferit’ në autostradën Fier-Lushnje.

Në aksident janë përfshirë disa automjete dhe një autobot që transporton çimento, drejtuesi i të cilit është munduar të shmangë mjetet e tjera dhe ka dalë jashtë rruge.

Burime bëjnë me dije se dy të lënduar janë dërguar në spitalin e Lushnjës.

Ndërkohë që policia e qarkullimit ka devijuar trafikun në një kalim rruge dytësore.

Sipas uniformave të qarkullimit rrugor, shkak i aksidentit të shumëfishtë ka qenë shpejtësia e lartë dhe prezenca e lagështirës në rrugë për shkak të reshjeve të dendura të shiut.Aksident masiv në autostradën Fier-Lushnjë

Pjesa ku mjetet i afrohen kryqëzimit të Pushimit të Shoferit është tepër e vështirë pasi ka nga ata drejtues mjetesh që nuk e respektojnë ishullin e trafikut dhe e përdorin për t’u afruar sa më shumë pranë kryqëzimit dhe më pas kryejnë manovra të gabuara.

Gjithsesi mbetet për t’u parë nga policia shkencore se çfarë në të vërtetë e shkaktoi aksidentin në këtë nyje të zezë të qarkullimit rrugor, ku në të shkuarën ka pasur edhe aksidente me humbje jete.

Prezantohen në Fier administratorët e rinj të njësive administrative

0
Prezantohen në Fier administratorët e rinj të njësive administrative

Në ambientet e Bashkisë Fier u zhvillua prezantimi zyrtar i administratorëve të rinj të njësive administrative të qytetit.

Takimi u zhvillua në prani të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kryetarit të Bashkisë Fier Armando Subashi, deputetes Antoneta Dhima, si dhe deputetëve të rinj të Qarkut Fier, Ceno Klosi dhe Ramion Kurti.

Në fjalën e saj, Balluku theksoi rëndësinë e përfshirjes së burimeve të reja njerëzore në administratën vendore, si një hap i rëndësishëm për të forcuar shërbimin ndaj qytetarëve dhe për të rritur efikasitetin në zgjidhjen e problemeve të komunitetit.

Ndërkohë, kryebashkiaku Subashi foli për sfidat që mbeten përpara, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të ngushtë midis njësive administrative dhe Bashkisë në funksion të projekteve zhvillimore të qytetit dhe zonave përreth.

Deputetja Dhima dhe deputetët e rinj e vlerësuan si një nismë pozitive përforcimin e administratës me figura të reja, të përkushtuara dhe pranë qytetarëve.

Ky takim shënon një fazë të re në funksionimin e njësive administrative, me theks te përmirësimi i shërbimeve publike dhe angazhimi i drejtpërdrejtë me nevojat e komunitetit.

Përfshihen nga flakët toka bujqësore dhe kallamishtet në Fier

0
Përfshihen nga flakët toka bujqësore dhe kallamishtet në Fier

Dy vatra të mëdha zjarri janë regjistruar pasditen e sotme në Fier, njëra pranë fshatit Daullas dhe tjetra në periferi të qytetit.

Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore dhe kallamishtesh, duke krijuar re të dendura tymi që janë përhapur deri mbi zonat e banuara, duke mbuluar edhe vetë qytetin.

Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për neutralizimin e zjarreve, por përballen me vështirësi për shkak të erës së fortë që favorizon përhapjen e flakëve.

Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet u bëjnë apel banorëve të shmangin çdo veprim që mund të rrisë rrezikun për zjarrvënie të tjera në këto kushte të thata dhe me temperatura të larta.

Spahiu propozon: Burg për pronarët e hoteleve që diskriminojnë turistët kosovarët apo diasporën

0
Spahiu propozon: Burg për pronarët e hoteleve që diskriminojnë turistët kosovarët apo diasporën

Juristi Kreshnik Spahiu, në një intervistë për Nertil Agalliun në Report Tv tha sot se Kodi i ri Penal duhet të miratohet nëpërmjet një referendumi nga populli, i cili me anë të votës së drejtpërdrejtë çimenton themelet e kodit të ri. Spahiu propozoi që në Kodin e ri Penal të shtohet një nen për dënimin me burg për të gjithë operatorët turistikë, për të gjithë pronarët e hoteleve dhe restoranteve që diskriminojnë shqiptarët nga Kosova, nga Maqedonia apo nga diaspora

“Sot për javë, Shqipëria ka qenë e shqetësuar për një goditje që po merr turizmi, për shkak të keqtrajtimit, manipulimit, vjedhjes, keqshërbimit, të metave të mëdha dhe me të drejtë është konstatuat se është vrarë turizmi patriotik. Unë kam të renditura edhe denoncime, që më kanë kërkuar konsulencë juridike, nga shqiptarë të Kosovës, apo të diasporës të cilët ndihen të diskriminuar, nuk pranohen në hotelet e jugut të Shqipërisë. Sa e marrin vesh që janë nga Kosova, Maqedonia, që janë emigrantë, që janë nga diaspora, u thonë ne nuk duam shqiptarë. Diskriminimi në shumë vende të botës është vepër penale. Nëse Shqipërisë po i shkatërrohet turizmi dhe mund të rrënojë ekoniminë e vendit, mund të parashikohet një vepër penale për të gjithë operatorët turistikë, për të gjithë pronarët e hoteleve dhe restoranteve që diskriminojnë shqiptarët nga Kosova, nga Maqedonia apo nga diaspora”,- tha Spahiu.

Çmimi i shalqirit bie në 6 lekë për kg në Divjakë, Braçe apel qytetarëve dhe biznesmenëve: Blijeni, të shpëtojmë bujqit

0
Çmimi i shalqirit bie në 6 lekë për kg në Divjakë, Braçe apel qytetarëve dhe biznesmenëve: Blijeni, të shpëtojmë bujqit

Mëngjesin e kësaj të diele deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe e ka nisur me një apel për të gjithë qytetarët dhe pronarët e restoranteve, hoteleve e bareve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe ka ngritur alarmin për çmimin e shalqinit që ka zbritur në 6 lekë për kilogram, një goditje kjo për bujqit vendas. 

Braçe u sugjeron hoteleve, restoranteve e beach bareve që të përfshijnë shalqirin sa më shumë në menu. “Jepeni edhe jashtë faturës së mëngjesit, drekë e darkë, se nuk u kushton gjë”.

“Duhen shpëtuar bujqit, që ata të prodhojnë vitin tjetër e ne të ushqeheni”, shton Braçe, ndërsa thekson se pa bujq nuk ka ushqim të mirë.

“Shalqini është fruti i gushtit! I shëndetit, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta, ndihmon në gjithçka! Shalqini është në krizë të thellë, çmimi sot në Divjakë 6 lekë për kilogramë! (as kostoja e punëtorit për ta vjelë nuk del me kaq lekë).

Ka marrë mund, sakrifica dhe para-shpenzime, kosto, të prodhohej. A mund tu bej një lutje të gjithëve? Blini shalqi tani, jo thjesht se është i shëndetshëm, fruti më i shëndetshëm i gushtit, por edhe për të ndihmuar, shpëtuar bujqit!

Nuk ju kushton asgjë! Të njëjtën lutje kam për hotelet, restorantet, baret e beach baret: bëjeni menu masive shalqinin! Jepeni edhe jashtë faturës së mëngjesit, drekë e darkë, se nuk u kushton gjë! Duhen shpëtuar bujqit, që ata të prodhojnë vitin tjetër e ne të ushqeheni! Pa bujq nuk ka ushqim të mirë”, shkruan Braçe.

Historia e ish-punonjësit shqiptar të trenit, që sot punon në Parlamentin Europian

0
Historia e ish-punonjësit shqiptar të trenit, që sot punon në Parlamentin Europian

Në vitin 1992, babai i tij hipi në një gomone nga Shqipëria në kërkim të një të ardhmeje për familjen e tij. Fillimisht zbarkuan në Pulia, pastaj u nisën drejt Savignos. Aty i çoi puna, e gjetur falë fjalës së gojës.

“Në vitin ’95 mbërritëm edhe unë dhe nëna ime, unë nuk kisha mbushur ende tre vjeç. Italia dhe Bolonja janë shtëpia ime, por për të ndërtuar të ardhmen time, më është dashur të largohem jashtë vendit. Shumë paragjykime dhe shumë pak mundësi për ne të rinjtë. Nëse e quajnë ‘ikje të trurit’, ka një arsye”.

Dy herë i detyruar të emigrojë

Historia e Eriseld Zenelit, 33 vjeç, është historia e një emigrimi të dyfishtë. Nga Shqipëria në Bolonjë dhe nga Bolonja në Luksemburg, ku sot punon për Parlamentin Evropian.

“Do të doja t’i ktheja Italisë atë që më ka dhënë në arsim duke qëndruar në Bolonjë, por nuk ishte e mundur. Tani e bëj nga Luksemburgu, ku jam punësuar në përfaqësim të Italisë”.

Për Zenelin, Italia është vendi i tij; Shqipëria është thjesht rrënja e familjes dhe gjuha amtare. Mbërriti në Savigno kur ishte ende fëmijë, aty bëri shkollën fillore dhe të mesme, u diplomua në “Rosa Luxemburg”, ndërsa prindërit e tij, me sakrifica të mëdha, blenë një apartament të vogël në Monteveglio.

Nga punëtor i thjeshtë në master me notën maksimale

“Nuk kam ndjekur rrugën klasike – tregon Zeneli –: pas diplomës shkollore fillova punë si nëpunës, sepse familja ime ishte e varfër dhe nuk mund ta përballonte universitetin”.
Pas disa vitesh kursen para dhe, duke punuar, regjistrohet në Shkencat e Edukimit. Më pas kryen një master në Psikologjinë e organizatave, të cilin e përfundon me rezultate të shkëlqyera.

“Pastaj kërkova një punë tjetër dhe u punësova si kapotren për Trenitalia. Punoja në trenat Frecciarossa për tre vite dhe arrita të blej një shtëpi në Bolonjë në vitin 2021, por kuptova se nuk do të kisha më shumë mundësi për të ecur përpara”.
Ai e përmbledh situatën në dy fjali:

“Italia nuk i vlerëson dhe nuk i mban talentet e reja. Dhe unë, me atë emër, mbiemër dhe vendlindje në dokumente, hasa shumë dyer të mbyllura”.

Paragjykimet dhe “ndryshimi i emrit” për vëllain

Edhe në Bolonjë paragjykimet ishin të forta.

“Gjithmonë më kanë parë si të huajin, sidomos në vitet e para në Savigno. U bë më mirë në gjimnaz, por kur kërkoja punë, mjaftonte të shihnin emrin tim dhe më stigmatizonin”.
Për këtë arsye, kur lindi vëllai i tij gjashtë vite më vonë në Bolonjë, Zeneli këmbënguli që prindërit ta quanin Giulio.

“Do të kishte në dokumente qytetin e Bolonjës, një emër italian dhe një mbiemër që mund të maskohej. Nuk doja të kalonte atë që kalova unë”.

Nga treni në Parlamentin Evropian

Pas disa vitesh punë të lodhshme, Zeneli vendosi të lërë vendin e sigurt të punës dhe në vitin 2022 aplikoi për një praktikë në Parlamentin Evropian, që ofrohej për të diplomuarit me rezultate të shkëlqyera.

“Bëra 7 muaj praktikë dhe pastaj më ofruan një vend pune të përhershëm. Sot punoj në departamentin e personelit të Parlamentit Evropian në Luksemburg. Në Itali do të përballesha gjatë me një punë të pasigurt dhe të paguar pak; këtu paguajnë mirë dhe të lejojnë të ecësh përpara, edhe pa një sfond të pasur familjar. 

Unë, djali i një shoferi kamioni që erdhi me gomone dhe i një amvise, sot punoj këtu dhe nuk përjetoj paragjykime. Në Luksemburg nuk e kam ndier kurrë peshën e origjinës sime, nuk ndihem më i huaj. Gjykohesh vetëm nga puna që bën: nëse e bën mirë, përparon; nëse jo, bie poshtë”.

Një histori që frymëzon

Një postim i tij në rrjetet sociale, ku tregon historinë e jetës së tij me një foto si fëmijë në Shqipëri dhe një tjetër në moshën 33-vjeçare ulur në Parlamentin Evropian, po bëhet viral në Itali dhe Evropë. Në të, Zeneli rrëfen rrugën e tij të vështirë dhe u bën thirrje të rinjve të mos dorëzohen.

Por shpreh edhe një reflektim të hidhur për Italinë:

“Kjo përvojë përfaqëson realitetin e një brezi të tërë që e do Italinë, por shpesh është i detyruar të largohet për t’u realizuar. Një fenomen që, edhe pse i heshtur, ka një kosto shumë të madhe për vendin tonë”.

Ai e thotë hapur:

“Italia të përgatit shumë mirë, jashtë vendit të hapin dyert, por pastaj nuk të mban pranë, edhe kur ti do t’i ktheje diçka nga ajo që të ka dhënë”.

Dhe për Bolonjën?

“E dua shumë, por është njësoj si vendi. Do të doja të takoja kryetarin e bashkisë Lepore dhe t’i tregoja historinë time për të dhënë një kontribut, nëse ai do ta dëshirojë”.

“1 miliard dollarë? Faleminderit, nuk e pranoj”! Si shqiptarja Mira Murati refuzoi ofertën e Mark Zuckerberg

0
“1 miliard dollarë? Faleminderit, nuk e pranoj”! Si shqiptarja Mira Murati refuzoi ofertën e Mark Zuckerberg

Pas 6 vitesh në OpenAI, Mira Murati themeloi një startup që “shkëlqeu” në Facebook – Por ajo dhe ekipi i saj refuzuan çdo ofertë blerje

Në përpjekje për të marrë kontrollin mbi një nga ekipet më premtuese të inteligjencës artificiale, Meta — kompania mëmë e Facebook — nisi një fushatë agresive rekrutimi ndaj Thinking Machines, startup-i i themeluar nga ish-CTO e OpenAI, Mira Murati.

Pas refuzimit të saj, CEO i Metës, Mark Zuckerberg, iu afrua personalisht më shumë se një duzine punonjësish të Thinking Machines, një kompani me vetëm 50 vetë. Shënjestra kryesore ishte Andrew Tallak, bashkëthemelues dhe një figurë e njohur në fushën e AI-së.

Sipas një raporti të Wall Street Journal, për ta joshur Tallak, Meta ofroi një paketë kompensimi që mund të arrinte deri në 1.5 miliardë dollarë për gjashtë vjet — më shumë sesa i ishte ofruar vetë Muratit, që thuhet se mori një ofertë prej 1 miliardë dollarësh. E megjithatë, Tallak e refuzoi. Dhe asnjë prej kolegëve të tij nuk pranoi të largohej.

Zëdhënësi i Meta-s: “Shuma është e ekzagjeruar”

Zëdhënësi i Meta-s, Andy Stone, e quajti përshkrimin e ofertave “qesharak” dhe të pasaktë, duke theksuar se kompensimi varet nga performanca e aksioneve. Ai shtoi se Meta nuk ka synuar të blejë Thinking Machines.

Por përtej shifrave marramendëse, ajo që tërhoqi vëmendjen ishte forca e jashtëzakonshme e besnikërisë së ekipit ndaj Muratit — një sjellje që po bëhet gjithnjë e rrallë në ekosistemin e Silicon Valley.

Besnikëria në epokën e miliardave

Në një treg pune ku ofertat me nëntë shifra janë bërë realitet, refuzimi i tyre duket i pabesueshëm. Por studiuesit më të mirë të AI-së shpesh nuk udhëhiqen vetëm nga paratë. Ata lidhen me misionin, kulturën dhe vizionin e liderëve të tyre.

Në rastin e Thinking Machines, shumë punonjës janë ish-anëtarë të OpenAI, që u bashkuan me Muratin për shkak të stilit të saj drejtues modest dhe kulturës bashkëpunuese, ku të gjithë — edhe shkencëtarët e lartë — quhen “anëtarë të stafit teknik”, duke evokuar frymën e Bell Labs legjendar.

Zuckerberg në garë të ethshme për AGI-në

Meta ka rekrutuar tashmë mbi 100 punonjës nga OpenAI dhe ka ndërtuar një ekip të quajtur “Superinteligjenca”, i udhëhequr nga ish-studiuesi i OpenAI, Shengjia Zhao. Por nuk ka pasur të njëjtin sukses me Thinking Machines apo startup-e të tjera si Anthropic dhe SSI (Safe Superintelligence Inc.).

Anthropic, i themeluar nga Dario Amodei — një tjetër ish-drejtues i OpenAI — është i përbërë nga shtatë bashkëthemelues që ende punojnë së bashku dhe ndajnë bindje të forta filozofike për rreziqet e AI-së. Meta ka mundur të rekrutojë vetëm dy persona nga Anthropic, dhe ata ishin më parë pjesë e Meta-s.

SSI, nga ana tjetër, është ndërtuar enkas për të qenë rezistent ndaj rekrutimit. Punonjësit e tij nuk përmendin as kompaninë në profilin e tyre në LinkedIn, për të shmangur qasjet e drejtpërdrejta nga kompani të mëdha.

Murati dhe “ekipi i saj i apostujve”

Mira Murati, shqiptarja që për gjashtë vite luajti rol kyç në OpenAI si CTO, themeloi Thinking Machines në shkurt. Rreth saj janë mbledhur mbi 20 ish-punonjës të OpenAI, përfshirë John Schulman, një nga krijuesit e ChatGPT. Shumë prej tyre kanë punuar në trajnimin e modeleve që i bënë AI-të më të “njerëzore”.

Kultura që ajo ka ngritur është e thjeshtë, horizontale, pa ego, por me një mision të përbashkët: krijimi i inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI) që i shërben njerëzimit, jo vetëm fitimit.

Kush do ta fitojë garën për inteligjencën artificiale?

Meta ka para, ndikim dhe kapacitet për të ndërtuar teknologji të fuqishme. Por Thinking Machines, Anthropic dhe SSI po tregojnë se në këtë garë historike për të ndërtuar AGI-në, paratë nuk janë gjithmonë faktor vendimtar.

Besnikëria, vizioni dhe kultura brenda ekipeve po bëhen mburojat më të forta ndaj joshjeve miliardëshe.

(BalkanWeb)

Ndryshojnë 5 krerët e Njësive Administrative Fier! Emrat e rinj dhe ata që ruajnë postin

0
Ndryshojnë 5 krerët e Njësive Administrative Fier! Emrat e rinj dhe ata që ruajnë postin

Pas një procesi të gjatë monitorimi dhe vlerësimi të performancës së drejtuesve lokalë, sipas urdhrit të kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste ka vendosur të kryejë ndryshime të rëndësishme në drejtimin e njësive administrative dhe rajoneve të qytetit Fier.

Lëvizjet kanë prekur 6 zyrtarë vendorë. Kanë ndryshuar drejtuesit e 5 njësive dhe 1 prej rajoneve në Bashkinë e Fierit, teksa 4 të tjerë të njësive dhe 3 të rajoneve e kanë mbajtur postin pas analizës së performancës.

Vendimet janë marrë në koordinim me drejtuesen politike të qarkut Fier dhe janë miratuar nga strukturat vendimmarrëse të partisë.

Burime nga selia e PS në Fier bëjnë me dije se ndryshimet synojnë të forcojnë administratën vendore dhe të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve publike për qytetarët.

Ndryshimet e miratuara në Njësitë Administrative:

1-Dermenas – Kadri Fasko zëvendësohet nga Kleo Muhametaj

2-Libofshë – Themie Doko zëvendësohet nga Ilir Meçe

3-Cakran – Ferdinant Korçari qëndron në detyrë

4-Levan – Ahmet Bahaj zëvendësohet nga Eugent Gremi

5-Portëz – Zenel Selimaj qëndron në detyrë

6-Frakull – Dashnor Troka zëvendësohet nga Emiliano Braka

7-Mbrostar – Shpëtim Gremi zëvendësohet nga Indrit Zeqo

8-Qendër – Erald Qirio qëndron në detyrë

9-Topojë – Aleksandër Kola qëndron në detyrë

Ndryshimet në drejtimin e rajoneve të qytetit Fier:

-Rajoni 1 – Bilbil Çela zëvendësohet nga Albions Proko

-Rajoni 2 – Arti Sollaku qëndron në detyrë

-Rajoni 3 – Erson Goga qëndron në detyrë

-Rajoni 4 – Ermelinda Çepele qëndron në detyrë

Sipas burimeve brenda Partisë Socialiste, procesi i ristrukturimit nuk përfundon këtu. Pritet që ndryshime të tjera të prekin edhe nivelin e drejtorive brenda Bashkisë Fier dhe institucionet shtetërore që janë në varësi të qarkut.

Ky riorganizim vjen në një moment të rëndësishëm për Partinë Socialiste në Fier, teksa forcat politike në pushtet synojnë një fazë të re të menaxhimit publik, me efikasitet më të lartë, transparencë dhe përfshirje më të madhe të komunitetit lokal në vendimmarrje.

Diplomë apo zanat? Mbi 2 500 bursa për të rinjtë që zgjedhin arsimin profesional

0
Diplomë apo zanat? Mbi 2 500 bursa për të rinjtë që zgjedhin arsimin profesional

Regjistrimet në arsimin profesional për vitin e ri akademik janë hapur. Në një vend ku diploma shpesh mbetet në sirtar, por lavamani kërkon të riparohet sot, arsimi profesional po bëhet rruga më e shkurtër drejt punës.

Është një kthesë që ka nisur ngadalë, por që flet për një Shqipëri që po kupton se puna nuk fillon nga zyra, por nga dija që mund ta prekësh me dorë.

Klevis Hysa, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Punësimit, thotë: “Mbi 60 për qind e nxënësve të regjistruar në arsimin profesional punësohen në bankat e shkollës, pra në vitin e tretë ose brenda 6 muajve nga përfundimi i studimeve bazuar në të gjitha studimet dhe anketimet që ne bëjmë. Në hoteleri-turizëm ky tregues shkon në 80 për qind”.

Në shkollat profesionale, teoria shoqërohet me praktikë, dhe puna e dorës vlerësohet sa diploma e universitetit. Për më tepër që për ata që zgjedhin “zanatin”, qeveria i shpërblen me të holla.

“Bursat që ne ofrojmë për nxënësit e arsimit profesional janë të karakterit social-ekonomik. Ato synojnë të mbështesin financiarisht të rinjtë që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta, por edhe të nxisin regjistrimet në profile që kanë kërkesë të lartë në tregun e punës. bi 2,500 bursa studimi deri në 7,320 lekë në muaj u janë akorduar të rinjve që ndjekin shkollat profesionale në të gjithë vendin”, deklaroi Hysa.

Si rezultat i këtyre bursave, është regjistruar edhe një rritje e ndjeshme e pjesëmarrjes së vajzave në arsimin profesional, duke thyer stereotipet gjinore dhe duke hapur më shumë mundësi për gratë në tregun e punës.

“Si pasojë e bursave që u jepen të rinjve, vitet e fundit kemi vënë re një ndryshim pozitiv: një rritje të ndjeshme të numrit të vajzave që ndjekin arsimin profesional. Kjo tregon se mbështetja financiare po i jep mundësi më shumë vajzave të zgjedhin këtë rrugë dhe po thyhen stereotipet gjinore në tregun e punës”, u shpreh Hysa.

Përveç mbështetjes financiare, shumë shkolla profesionale kanë filluar të bashkëpunojnë ngushtë me bizneset dhe industritë vendase, duke krijuar programe praktikash dhe mundësi punësimi të drejtpërdrejta për nxënësit: “Ne synojmë që deri në vitin 2030, të paktën 1 në 3 nxënës të arsimit të mesëm të jetë i regjistruar në arsimin profesional. Ky objektiv është pjesë e përpjekjeve tona për të fuqizuar aftësitë e të rinjve dhe për t’i përgatitur ata drejt tregut të punës me njohuritë dhe mjeshtërinë e nevojshme”.

Ky fokus i ri në arsimin profesional jo vetëm që i jep përgjigje kërkesave të tregut të punës, por edhe ndryshon rrënjësisht perceptimet dhe mundësitë për brezin e ri. Me më shumë dijeni praktike dhe mbështetje konkrete, Shqipëria po ndërton themelet për një të ardhme më të qëndrueshme, ku çdo nxënës ka mundësinë të gjejë vendin e vet në tregun e punës dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit. (A2 Televizion)