Home Blog Page 126

Ambasadori i Azerbajxhanit viziton Bibliotekën e Fierit – Premton mbështetje dhe bashkëpunim kulturor

0
Ambasadori i Azerbajxhanit viziton Bibliotekën e Fierit – Premton mbështetje dhe bashkëpunim kulturor

Biblioteka e Fierit është kthyer sot në një qendër të rëndësishme takimi kulturor, ku u mirëprit Ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, z. Anar Huseynov.

Në një postim të bërë nga vetë Biblioteka në Facebook, thuhet se kjo vizitë përfaqëson një hap domethënës drejt forcimit të lidhjeve kulturore dhe akademike mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.

Postimi i plotë i Bibliotekës Publike “Dritëro Agolli”:

Sot në Bibliotekën tonë patëm kënaqësinë të mirëpresim Ambasadorin e Azerbajxhanit z.@Anar Huseynov

Vizita e tij përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve kulturore dhe akademike mes dy vendeve tona. Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushat e kulturës, arsimit, si dhe promovimit të ndërsjellë të letërsisë dhe historisë..

Z. Ambasador vlerësoi projektet që janë zhvilluar në Bibliotekën Fier dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur më tej këto iniciativa. Ai premtoi dhurimin e një fondi të vlefshëm librash shqip dhe në gjuhë të huaj, si dhe përfshirjen e Bibliotekës Fier në një projekt kulturor që do të realizohet në Baku, Azerbajxhan.

Në këtë vizitë të parë Ambasadori Huseynov dhuroi disa tituj në gjuhën shqipe mbi kulturën, historinë dhe kulinarinë e Azerbajxhanit, duke pasuruar fondin e bibliotekës dhe duke thelluar bashkëpunimin kulturor mes dy vendeve.

Në shenjë mikpritjeje dhe falenderimi ndaj z. Ambasador për praninë dhe interesin e treguar, iu dhane dhurata simbolike nga Biblioteka. Urojmë që kjo vizitë të shënojë fillimin e një bashkëpunimi të frytshëm dhe afatgjatë!

Historia e xha Thanasit, agronomi që nuk i ndahet luleve as në pleqëri: Më shtojnë jetën! (Video)

0
Historia e xha Thanasit, agronomi që nuk i ndahet luleve as në pleqëri: Më shtojnë jetën! (Video)

Në Vlorë, në një vilë thuajse të harruar të viteve ’30, gjejmë xha Thanasin. I ka dhënë jetë kësaj hapësire, me lulet shumëngjyrëshe që mbjell çdo ditë. As mosha dhe as vapa përvëluese nuk janë pengesë për Thanas Zharrën, agronomin me eksperincë 62 vjeçare që gjeti kënaqësinë dhe qetësinë tek puna në natyrë.

“Të punosh me bimët dhe në natyrë është gjëja më e kënaqshme. Unë këtu shpenzoj jo më pak se 8 orë, por nuk ka kufi. Puna të thërret në çdo moment. Lulja është si fëmija. Do i japësh ujë, se ndryshe thahet”, thotë 81 vjeçari ndërsa thekson se kjo punë i ka shtuar jetën.

“Arritjen e moshës, që kam arritur në këtë fazë, ia dedikoj pikërisht kësaj lloj pune që të jep vetëm kënaqësi. Pavarësisht nga hallet që mund të ketë njeriu, lulja të normalizon, të heq vëmendjen dhe të jep kurajo”, thotë agronomi.


Nuk e fsheh zhgënjimin për pensionin e ulët, ndonëse ishte ndër të parët që kontribuoi për lulet.

“Kur të gjithë kërkonin të bënin luftë, unë jepja mesazhin që duhet paqe. Për këtë hapa dyqanin e parë në Vlorë me qëllim për t’iu thënë njerëzve të merremi me lule, mos të merremi me armë. Unë them që ia kam dalë. Në Vlorë janë hapur shumë dyqane të tilla. Kjo tregon që vlonjatët e dashurojnë të bukurën.


Lulja të krijon stabilitet dhe të jep një të ardhur. Unë marr një pension prej 170 mijë lekësh dhe më duket shumë i ulët. 62 vjet eksperiencë pune dhe të marrësh një pension të tillë është shumë qesharake.”, shprehet xha Thanasi i keqardhur.

Në një ditë të zakonshme kontrollon gjendjen e bimëve, nëse ka mungesë uji ose nevojë për plehërim. Merret me krasitje, përgatit fidanët e rinj ose shet lule.
Përveç tyre, ruan dhe varietetet autoktone si dardha dhe fiqtë. Mes të tjerash tregon se po synon të marrë prodhim nga fara e avokados, banania dhe lime, të treja shumë të kërkuara në Vlorë.

“Të them të drejtën, nuk do heq dorë deri në momentin e fundit të jetës. Nuk do lë ditë pa ardhur në punë dhe pa iu shërbyer luleve. E njoh tipologjinë e bimëve, cila është rezistente dhe cila jo. Duke i njohur, manovron dhe i ruan. Mua kjo punë më ka shtuar jetën!”, përfundon agronomi. Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e “Report Tv”.

VIDEO

Zjarr në Sheqishtë të Roskovecit, tubat e ujit përfshihen nga flakët gjatë ngjitjes! Tymi mbulon zonën

0
Zjarr në Sheqishtë të Roskovecit, tubat e ujit përfshihen nga flakët gjatë ngjitjes! Tymi mbulon zonën

Një zjarr ka rënë mesditën e sotme në Sheqishtë të Roskovecit.

Sipas burimeve raportohet se incidenti ka ndodhur gjatë ngjitjes të tubove plastike që po përdoreshin në kuadër të investimit të bordit të kullimit për të marrë ujë nga Këneta e Kurjanit për vaditjen e tokave bujqësore.

Flakët janë përhapur me shpejtësi duke mbuluar gjithë zonën me re të zeza tymi.

Zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje ku kanë bërë të mundur edhe shuarjen e flakëve.

“Haberet e Fshatit”/ Në Lalar të Fierit, aty ku takova njerëzit më fisnik dhe plot humor, ”Ledjona ha sallator se i kemi bio” (Video)

0
“Haberet e Fshatit”/ Në Lalar të Fierit, aty ku takova njerëzit më fisnik dhe plot humor, ”Ledjona ha sallator se i kemi bio” (Video)

Fshati mbetet i pazëvendësueshëm!

Kjo është motoja e kanalit në youtube “Habere Fshati“, i gazetares Ledjona Xheladinaj, ku me shumë humor dhe dashuri sjell histori të padëgjuara kurrë, batutat dhe atmosferën unike të fshatrave shqiptarë.

Ledjona këtë herë është ndalur në fshatin Lalar të Fierit, për të sjell zërin, humorin e natyrshëm dhe thjeshtësinë e banorëve vendas që gazetarja i nxjerr me aq lezet

Ndiqni videon e plotë:

“S’do të kthehem më në shtëpi”- Zhdukja e Emilias, nëna e 16-vjeçares nga Fieri tregon bisedën e fundit me të bijën

0
“S’do të kthehem më në shtëpi”- Zhdukja e Emilias, nëna e 16-vjeçares nga Fieri tregon bisedën e fundit me të bijën

Familja e 16-vjeçares shqiptare Emilia Veliu, e cila rezulton e zhdukur prej mbrëmjes së të hënës kur humbi çdo gjurmë në zonën e Petralonës ku ajo jetonte, po kërkon informacion në lidhje fatin e vajzës së tyre.

Sipas nënës së 16-vjeçares, e cila foli për protothema.gr, Emilia doli për një shëtitje me shoqet e saj dhe nuk u kthye më në shtëpi.

Frika dhe ankthi i prindërve është se fëmija i tyre ndodhet në rrezik, pasi s’kanë pasur asnjë komunikim me të.

“Nuk kam dëgjuar më nga vajza ime që nga mbrëmjes së të hënës kur ajo u zhduk. Më tha se do të dilte me shoqet e saj për një shëtitje dhe që atëherë nuk është kthyer në shtëpi.

Kur pashë se po vonohej të kthehej nga shëtitja, u shqetësova dhe komunikimet tona të fundit ishin nëpërmjet mesazheve në celularin e saj. Mesazhi i fundit ishte ‘Nuk do të kthehem më në shtëpi’. Jam shumë e shqetësuar për fatin e fëmijës tim, telefoni i saj celular është i çaktivizuar, kam frikë se mund të jetë përfshirë në shoqëri të keqe. Dhe mesazhi që dërgoi se ‘Nuk do të kthehem më në shtëpi’, besoj se fshihet një person tjetër që dëshiron ta dëmtojë. Dua të zbuloj informacione për vajzën time, po e kërkoj kudo dhe dua që ajo të kthehet përsëri në shtëpinë tonë…”, tha e ëma e adoleshentes.

Ekstradimi nga Dubai/ Kush janë tre emrat e njohur që priten të kthehen në Shqipëri

0
Ekstradimi nga Dubai/ Kush janë tre emrat e njohur që priten të kthehen në Shqipëri

Tre pjesëtarë të organizatave kriminale të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare do të ekstradohen ditën e sotme nga Dubai.

Tre të shumëkërkuarit që do të ekstradohen janë:

Ado Xhika alias Ado Cërriku alias Elkier Cërriku, i akuzuar nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur shtetasin e shumëkërkuar Talo Çela

Ervis Daka, i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;

Maksim Koçi, i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:

A. Xh. alias A. C. alias E. C., i akuzuar nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur një shtetas të shumëkërkuar;

E. D., i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;

M. K., i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar.

Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.

Zhduket në Greqi adoleshentja nga Fieri – Familjarët kërkojnë ndihmë

0
Zhduket në Greqi adoleshentja nga Fieri – Familjarët kërkojnë ndihmë

Një adoleshente me origjinë nga Fieri është zhdukur në rrethana të paqarta në Greqi, ndërsa autoritetet vendase e kanë shpallur zyrtarisht të rrëmbyer.

Apelin për ndihmë e ka bërë halla e saj, Enkelejda Veliu, e cila jeton në Fier dhe përmes një postimi në rrjetet sociale kërkon ndihmën e bashkëatdhetarëve në Greqi.

Sipas saj, vajza e zhdukur është Emilia Veliu, mbesa e saj dhe vajza e vëllait. Ajo thekson se prej dy ditësh familja nuk ka asnjë kontakt apo informacion mbi vendndodhjen e saj.

“Kjo është mbesa ime. Vajza e vëllait. Emilia Veliu. Prej dy ditësh nuk kemi asnjë njoftim. Policia e ka shpallur të rrëmbyer,” shkruan Enkelejda Veliu në apelin e saj publik në Facebook.

Ajo i drejtohet të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Greqi, veçanërisht në Athinë, që nëse kanë ndonjë informacion apo e kanë parë vajzën, të kontaktojnë menjëherë familjen apo autoritetet.

“Do t’ju lutesha gjithë miqve që kam në Facebook, që jetojnë në Greqi, në Athinë, nëse keni një informacion ose e keni parë diku. Ju lutem na kontaktoni,” apelon Veliu.

Ende nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi rrethanat e zhdukjes apo vendin e saktë ku dyshohet se është rrëmbyer vajza, ndërsa familjarët presin zhvillime nga hetimet e policisë greke.

ZYRTARE/ Basketbolli fierak në duart e një tekniku grek – nis puna për sezonin e ri

0
ZYRTARE/ Basketbolli fierak në duart e një tekniku grek – nis puna për sezonin e ri

Klubi i Basketbollit Apolonia ka bërë të ditur emërimin e trajnerit të ri të skuadrës së parë, z. Christos Kousidis. Vendimi vjen në prag të sezonit të ri, me synimin për të forcuar strukturën teknike dhe për të ndërtuar një skuadër konkurruese që synon majat e basketbollit shqiptar.

Në njoftimin zyrtar të klubit, thuhet:

“Klubi Apolonia i uron mirëseardhjen trajnerit të ri Christos Kousidis, i cili do të marrë drejtimin e skuadrës sonë të parë. I urojmë shumë suksese në këtë rrugëtim dhe jemi të bindur se me përkushtimin dhe punën e tij, do të arrijmë qëllimet tona të përbashkëta. Mirë se erdhe në familjen bardhëjeshile!”

Rama prezanton skuadrën fituese të Fierit (Video)

0
Rama prezanton skuadrën fituese të Fierit (Video)

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot skuadrën fituese të qarkut Fierit në zgjedhjet e 11 majit, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.

Përmes një videoje në rrjetet sociale, kreu i qeverisë solli në vëmendje edhe eksperiencën parlamentare të çdo deputeti të PS-së që i përket listës së qarkut Fier, duke renditur edhe mandatet respektive.

Për deputetë e rinj të cilët ulen për herë të parë në sallën e Kuvendit, Partia Socialiste rikthen në një format të veçantë Akademinë Politike, të ndërtuar posaçërisht për gjeneratën më të re të Kuvendit të Shqipërisë.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste në qarkun e Fierit mori 12 deputetë, nga të cilët pesë nga lista e mbyllur dhe shtatë nga lista e hapur.

Deputetët e Partisë Socialiste, qarku Fier
Belinda Balluku mandati i dytë
Petrit Malaj mandati i parë
Kiduina Zaka mandati i parë
Erjo Mile mandati i parë
Ana Nako mandati i parë
Antoneta Dhima mandati i katërt
Asfloral Haxhiu mandati i parë
Ceno Klosi mandati i parë
Elton Korreshi mandati i parë
Klevis Jahaj mandati i parë
Zegjine Caushi mandati i parë
Ramion Kurti mandati i parë

Nga ndalimi i muzikës te kontrolli me dron – Policia publikon masat për sezonin turistik

0
Nga ndalimi i muzikës te kontrolli me dron – Policia publikon masat për sezonin turistik

Policia e Shtetit ka shpallur planin e detajuar të masave për sezonin turistik veror 2025, i cili synon garantimin e rendit, sigurisë publike dhe menaxhimin e fluksit turistik në të gjithë vendin, me theks të veçantë në zonat bregdetare, liqenore dhe turistike.

Masat kryesore përfshijnë:

Sigurinë në zonat bregdetare, liqenore dhe lumore;

Lehtësimin e qarkullimit në pikat e kalimit kufitar;

Parandalimin e aksidenteve rrugore dhe veprimtarive kriminale;

Zbatimin e orarit të ndalimit të muzikës;

Mbrojtjen e mjedisit dhe zonave turistike.

Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit shërbimi 12-orësh do të aplikohet vetëm në zonat bregdetare. Në ndihmë të policive vendore do të dërgohen shërbime shtesë të cilat do të kompensohen sipas legjislacionit përkatës.

Në funksion të planit janë vënë në dispozicion:

Dhjetëra automjete dhe motomjete për rritjen e gatishmërisë dhe reagimit të shpejtë;

Punonjës policie me biçikleta që patrullojnë në plazhe, për forcimin e policimit komunitar dhe për t’iu ofruar ndihmë pushuesve;

Njësia Policore Detare për kontrollin dhe ndëshkimin e lundrimeve të rrezikshme brenda zonave të ndaluara;

Dronë që do të përdoren nga shërbimet policore për kontrollin e perimetrit të sigurisë në plazhe, si dhe për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve rrugore.

Policia Kufitare ka marrë masa për shtimin e sporteleve dhe burimeve njerëzore në PKK, me qëllim menaxhimin e fluksit turistik.

Do të ketë shtim të kontrollit në kufirin e gjelbër dhe në kufirin blu, për të parandaluar krimin kufitar dhe kalimet e paligjshme.

Policia Rrugore, me pajisjet inteligjente, dronët dhe alkooltestuesit, do të jetë 24/7 në të gjitha akset rrugore kombëtare dhe në qendrat e banuara.

Njëkohësisht, janë shtuar patrullat në zonat turistike për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për garantimin e lëvizjes së lirë të automjeteve.

Nga 16 qershori deri më 15 shtator 2025, do të kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda për transport mallrash në fundjavë dhe në ditët e pushimit zyrtar.

Për të zbatuar dhe përmbushur sa më mirë masat e përcaktuara në planin e masave, strukturat vendore të Policisë po bashkëpunojnë me:

agjencitë turistike për destinacionet turistike, për pajisjen e mjeteve lundruese me dokumentacionin përkatës dhe zbatimin me rigorozitet të rregullave të lundrimit dhe masave të sigurisë;

kryetarët e fshatrave dhe pushtetin vendor;

vrojtuesit e plazheve, emergjencat civile dhe ato shëndetësore, si dhe me shërbimet zjarrfikëse.

Ndërkohë, nga shërbimet e Policisë po vijon operacioni “Plazh i lirë”, për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të paligjshme.

Gjithashtu, do të ushtrohen kontrolle për zbatimin e orarit të muzikës dhe ndëshkimin e shkelësve të nivelit të zhurmës. Tashmë, punonjësit e Policisë janë pajisur me aparate të matjes së zhurmave.

Ndërkohë, krahas planit të masave, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e grupeve të monitorimit të shërbimeve në terren, për zbatimin rigoroz të Kodit të Etikës, nga çdo punonjës policie, në komunikim dhe në veprim.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112