Home Blog Page 88

Kontrabandë nga Greqia: 53-vjeçari kapet në flagrancë, sekuestrohen mallrat dhe mjeti

0
Kontrabandë nga Greqia: 53-vjeçari kapet në flagrancë, sekuestrohen mallrat dhe mjeti

Një 53-vjeçar është vënë në pranga nga policia në aksin rrugor Kapshticë-Bilisht pasi u kap teksa kontrabandonte mallra nga Greqia. Ai po transportonte pajisje të ndryshme hidrosanitare dhe elektrike të dyshuara të kontrabanduara nga vendi fqinj.

Gjithashtu është proceduar një doganier i PKK Kapshticë. Policia ka sekuestruar mallrat të cila kanë vlerë rreth 2000 euro. Gjithashtu është sekuestruar mjeti i të arrestuarit.

“Korçë/Goditet një rast i kontrabandës së mallrave. U kap në flagrancë në aksin rrugor “Kapshticë-Bilisht”, duke transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia, arrestohet 53-vjeçari. Procedohet penalisht 1 doganier i PKK Kapshticë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Sekuestrohen mallrat e kontrabanduara, me vlerë rreth 2000 euro dhe automjeti.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të kontrabandës së mallrave.

Në aksin rrugor “Kapshticë-Bilisht”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin N. J.. Gjatë kontrollit në automjet, ata kanë gjetur pajisje të ndryshme hidrosanitare dhe elektrike, me vlerë rreth 2000 euro, të cilat dyshohet se ky shtetas i ka futur në Shqipëri, pa kryer procedurat e zhdoganimit.

Në vijim të veprimeve për këtë rast: u arrestua në flagrancë shtetasi N. J., 53 vjeç banues në Greqi, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”; u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin N. B., 64 vjeç, doganier në PKK Kapshticë, pasi dyshohet se nuk ka kryer veprimet për zhdoganimin e këtyre mallrave.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Kafe, duhan dhe karburant – shifrat që tregojnë trendin e konsumit në Shqipëri

0
Kafe, duhan dhe karburant – shifrat që tregojnë trendin e konsumit në Shqipëri

Kafeja dhe duhani bën pjesë në rutinën e përditshme të shqiptarëve, pasi lokalet prej vitesh janë kthyer jo vetëm në vende bisedash, por edhe në një “institucion” për takime pune.

Por ajo që vihet re është se trendi i konsumit të këtyre dy produkteve të akcizës ka rezultuar në rritje përgjatë këtij vitit.

Dhe sa janë konsumuar gjatë këtij viti? Shifrat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se deri në shtator janë importuar dhe kanë shkuar për konsum 7027 ton kafe, sasia më e lartë e konsumuar të paktën në 5 vitet e fundit për të njëjtën periudhë. Ndërsa vetëm në shtator janë 852 ton të hedhura për konsum.

E njëjta tendencë ka qenë edhe me cigaren. Në 9-mujor janë importuar 2,568 ton cigare, duke regjistruar sasinë më të lartë që nga viti 2020. Dhe duket se qytetarët shqiptarë nuk po heqin dorë nga duhani pavarësisht se çdo vit çmimet e paketave po rriten në mënyrë të ndjeshme dhe zë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve direkte vjetore për një individ duhanpirës dhe nga ana tjetër, cigarja konsumohet vetëm në ambiente të hapura.

Konsum rekord ka pasur edhe karburanti. Por në këtë rast ka ndikuar nga fluksi i turizmit në vend, çka sjellë qarkullim më të lartë me automjete, por edhe lëvizjet që bëjnë vetë qytetarët shqiptarë duke u përpjekur të shfrytëzojnë fundjavat apo pushimet.

Për periudhën janar-shtator 2025 janë importuar afro 555 mijë ton karburant, apo rreth 60.5 mijë ton krahasuar me një vit më parë, duke e bërë këtë një shifër rekord.

Sa i takon birrës, është i vetmi produkt ndër mallrat e akcizës që ka pësuar rënie të importit, ku në 9 muaj kanë shkuar për konsum 45.3 mijë tonë nga 46.9 mijë ton të importuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë. (Elisabeta Dosku)

Sekreti i energjisë së qëndrueshme: 5 ushqime që duhet të konsumoni

0
Sekreti i energjisë së qëndrueshme: 5 ushqime që duhet të konsumoni

Ushqimi është burimi ynë kryesor i energjisë dhe vitalitetit. Duke shtuar këto 5 ushqime super të shëndetshme në dietën tuaj, do të ndiheni më energjikë dhe më të freskët gjatë gjithë ditës:

Avokado: Të pasura me acide yndyrore të shëndetshme dhe fibra, avokado është një ushqim i shkëlqyeshëm për të mbajtur nivelet e energjisë stabile gjatë gjithë ditës.

Perimet e Gjelbra të Freskëta: Perimet e gjelbra të freskëta janë të pasura me vitamina, minerale dhe antioksidantë që ndihmojnë në rritjen e energjisë dhe mbajtjen e trupit të shëndetshëm.

Arrat: Me përmbajtje të lartë të proteinave dhe yndyrës së shëndetshme, arrat janë një ushqim ideal për të rritur nivelin e energjisë dhe për të mbajtur stomakun e ngopur për një kohë më të gjatë.

Mjalti: Mjalti është një burim i shkëlqyeshëm i energjisë së shpejtë dhe të qëndrueshme, i cili gjithashtu ofron përfitime të mëdha për shëndetin e zemrës dhe sistemin imunitar.

Ushqimet e Pasura me Omega-3: Siç janë salmoni dhe farat e linit, këto ushqime të pasura me acide yndyrore ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit të zemrës dhe në përmirësimin e funksionimit të trurit, duke ndihmuar në ruajtjen e energjisë dhe vitalitetit të trupit.

Nëse integroni këto ushqime të shëndetshme në dietën tuaj të përditshme, do të ndjeni një ndryshim pozitiv të niveleve të energjisë dhe shëndetit tuaj./AgroWeb.org

Apolonia, mes shpresës dhe paqëndrueshmërisë – sfida me Lushnjën përcaktuese për objektivat

0
Apolonia, mes shpresës dhe paqëndrueshmërisë – sfida me Lushnjën përcaktuese për objektivat

Apolonia mbetet një skuadër e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme në këtë sezon të Kategorinë e Parë. Kjo shihet qartë nga luhatjet që ekipi fierak ka shfaqur në 7 javët e para, ku aventura nisi me një humbje 2-1 ndaj Kukësit në start.

Nëse në javën e 6-të Apolonia surprizoi me barazimin në Laç, një prej skuadrave pretendente për ngjitje, krejt e kundërta ndodhi në javën e fundit, kur të besuarit e trajnerit Marko Jovanoviç u mundën në shtëpi nga Burreli. Përballja e së premtes, në derbin e Myzeqesë ndaj Lushnjës në stadiumin “Roza Haxhiu”, shihet si një busull orientuese për drejtimin që do të marrin fierakët në vijim. Apolonia mban vendin e gjashtë në renditje me 9 pikë, vetëm një më shumë se rivalët lushnjarë, ndaj kthimi te fitorja mbetet objektivi parësor për të mbajtur gjallë ambiciet për zonën e sipërme.

Pas shtatë javësh kampionat, Apolonia regjistron një bilanc me 2 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje, me golavarazh 8-7, çka tregon se skuadra ende nuk e ka gjetur ekuilibrin e duhur në lojë dhe rezultate. Fierakët kërkojnë që derbi me Lushnjën të shërbejë si pikë kthese, për të kthyer besimin dhe për t’u rikthyer në rrugën e pretendimeve

Dita e 9-të e grevës së urisë në Marinzë, tre punëtorë në gjendje të rënduar shëndetësore

0
Dita e 9-të e grevës së urisë në Marinzë, tre punëtorë në gjendje të rënduar shëndetësore

Përkeqësohet gjendja shëndetësore e tre grevistëve në Marinzë. Në ditën e 9-të të grevës së urisë pa afat tre grevistët Dorjan Dylmishi, Dritan Rrapushi dhe Eduart Selami kanë shfaqur probleme me luhatje të tensionit dhe kanë marrë trajtim mjekësor me injeksione, ndërsa Eduart Selami në gjendje më të rënduar është transportuar drejt Spitalit Rajonal Fier, për ndihmë të specializuar.

Kreu i Sindikatës Dritan Shahu, ka pohuar se pavarësisht situatës së krijuar greva do të vazhdojë. Në fushën naftëmbajtëse pasditen e djeshme kanë rënë dhe sirenat e alarmit ka thënë Shahu, çka tregon praninë e avarive. Vendburimi i naftës po shkon drejt kolapsit ndërsa kompania vijon me papërgjegjshmëri të mos marrë në konsideratë kërkesat e drejta të punonjësve ka thënë Shahu.

Shëndeti i atyre pak punonjësve që janë nê punë po rrezikohet e madje edhe vetë funksionimi i vendburimit ka theksuar kreu i sindikatës ndërsa ka paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të grevës deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Nga ana tjetër kompania “Bankers Petroleum” vijon me të njëjtat deklarata që nuk ofrojnë asnjë zgjidhje për grevistët.

Aksident në aksin Fier- Levan/ Makina përplaset me motoçikletën, plagoset një nga drejtuesit

0
Aksident në aksin Fier- Levan/ Makina përplaset me motoçikletën, plagoset një nga drejtuesit

Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Fier- Levan, në vendin e quajtur “Kthesa e Azotikut”.

Një automjet është përplasur me një motoçikletë, ku për pasojë i lënduar ka mbetur drejtuesi i këtij të fundit.

I lënduari është transportuar drejt spitalit Rajonal Fier ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Apolonia shkëlqen në Durrës, fitore bindëse ndaj Teutës

0
Apolonia shkëlqen në Durrës, fitore bindëse ndaj Teutës

Apolonia ka bërë goditjen në Durrës, duke iu bashkuar Besëlidhjes si të vetmet skuadra me pikë të plota.

Fierakët mundën Teutën 61-85 (16-19, 16-19, 16-21, 13-26), duke u shfaqur superiorë në të katërta periodat në “Ramazan Njala”.

Për durrsakët rendimentin më të lartë e kishte Elijah Farr, autor i 12 pikëve, 10 kërcimeve dhe 3 asistimeve, por që nuk shërbyen për të shmangur humbjen e parë.

Më një formacion tërësisht amerikan, Apolonia nuk e diskutoi fitoren, ndërsa diferencën e bënë Quincy Ademokoya me 28 pikë e 6 kërcime si dhe Djorkaeff Campbell me 27 pikë dhe 6 kërcime.

Pajtim Lutaj, mjeku mallakastriot që jeton mes pacientëve dhe pasioneve (Video)

0
Pajtim Lutaj, mjeku mallakastriot që jeton mes pacientëve dhe pasioneve (Video)

Në një intervistë të veçantë këtë mëngjes në studiot e “ABC e Mëngjesit”, Prof. Dr. Pajtim Lutaj, oftalmolog i njohur dhe një nga emrat më me reputacion në mjekësinë shqiptare, ndau me publikun jo vetëm rrugëtimin e tij profesional, por edhe dimensionet më njerëzore, më të ndjera dhe më intime të jetës së tij. Ai ka ditur të jetojë mes shkencës dhe pasioneve, mes detyrës dhe shpirtit.

Jeta mes Francës dhe Shqipërisë

Prof. Lutaj është një figurë që ka ndërtuar një karrierë të gjatë e të suksesshme në fushën e oftalmologjisë. Edhe në Francë, ku ka kryer studimet ai ka ndërtuar një karrierë profesionale solide. Me pasaportë franceze dhe me një shpirt europian, ai gjithsesi nuk e ka harruar kurrë vendin e tij të origjinës. Në vitin 1996 u kthye në Shqipëri, për të kontribuar aty ku filluan rrënjët e tij.
“Jeta ime akademike është ndarë mes Francës dhe atdheut,” tha ai në intervistë, duke theksuar rëndësinë që ka pasur rikthimi te rrënjët dhe te historia familjare.

Bylisi

Prof. Lutaj vendosi të ringjallte jetën në zonën e Bylisit në Mallakastër. Në vitin 2000, kur hodhi idenë për të ndërtuar një shtëpi prej guri dhe për të zhvilluar bujqësinë, familja i ishte kundër. “Më thanë që kisha luajtur mendsh,” kujton ai me buzëqeshje.
Por koha tregoi se ishte një vizionar. Ai mbolli ullinj, shegë, arra dhe kultivoi pemë që sot i ndan me miqtë dhe familjarët. Zona përreth është zhvilluar dhe bujtinat janë shtuar. Shtëpia që dikur u pa si një çmenduri sot është një vend i dashur për shumë njerëz.

Patoni / Një kale për mik dhe një histori zemre

Një ndër momentet më të ndjera të intervistës ishte kur Dr. Lutaj foli për Patonin, kalin e tij besnik. “Patoni nuk është thjesht një kafshë. Ai të fal besim dhe dashuri. Është një mik i vërtetë që më ka rrëmbyer zemrën,” u shpreh ai me emocione. Patoni jeton në Pezë, ka mbushur pesë vjeç dhe është dhuratë nga një mik i ngushtë i doktorit. Emrin “Paton” ia ka vendosur Neritan Ceka, duke e lidhur me historinë e Bylisit dhe me një emër që dikur i përkiste një kryetari bashkie.

Familja e miqtë

Në pjesën më personale të intervistës, mjeku ndau krenarinë për dy vajzat e tij, të cilat janë mjeke të suksesshme në Francë. “Të dyja kanë mbaruar me nota ekselente dhe janë shumë të përkushtuara në fushat e tyre,” tha ai, duke i ndriçuar sytë me krenari prindërore. Ndër detajet interesante që ndau me publikun, ishte edhe publikimi i fundit i një fotografie me ish-kryeministrin Fatos Nano, që dëshmon për një marrëdhënie të veçantë njerëzore e respekti ndër vite.

VIDEO

Burimi:abcnews.al

6 ditë në grevë urie, minatori në Marinzë humb ndjenjat

0
6 ditë në grevë urie, minatori në Marinzë humb ndjenjat

Pas disa ditësh në grevë, ka humbur ndjenjat në ambientet e jashtme të sindikatës të sektorit hidrokarbur në Marinzë.

Josif Lino, me pozicionin mekanik, i cili i ishte bashkuar grevës me bojkot pune është transportuar drejt qendrës shëndetësore të kompanisë ku i është dhënë ndihma e duhur mjekësore.

Në ditën e 6-të të grevës së urisë, të paktën 10 anëtarët e këshillit sindikal kanë patur përkeqësim të gjendjes shëndetësore.

Tensioni dhe pritja e një zgjidhjeje konkrete po dëmton edhe punonjësit e fushës naftëmbajtëse që kanë bojkotuar punën dhe po vijojnë pa ndërprerje solidarizimin jashtë ambienteve të zyrës .

Bojkoti i avokatëve paralizon gjykatat, Fieri dhe Korça bashkohen në protestë pas arrestimit të kolegut në Elbasan

0
Bojkoti i avokatëve paralizon gjykatat, Fieri dhe Korça bashkohen në protestë pas arrestimit të kolegut në Elbasan

Bojkoti pesëditor i avokatëve ka paralizuar shumë gjykata në vend, përfshirë edhe atë të Fierit, ku çdo ditë zhvillohen mesatarisht 50 seanca penale.

Sipas Ervis Hajdarmatajt, anëtar i kryesisë së Dhomës së Avokatisë në Fier, ky bojkot është një reagim në mbrojtje të qytetarëve dhe të drejtave të avokatëve pas arrestimit të kolegut në Elbasan.

“Mendoj që, sa i përket audios që ne kemi dëgjuar, ku një gjyqtar thotë ‘unë të nxjerr jashtë dhe marr një avokat kryesisht’, do të thotë që ti s’ke asnjë vlerë në gjyq. Kjo për mendimin tim është një shkelje flagrante e gjykatës, por edhe e prokurorit, që ka nisur një debat aspak të duhur apo juridik në sallën e gjyqit,” shprehet avokati Hajdarmataj.

Avokati Ulian Barjami u arrestua dy ditë më parë pas një debati të ashpër me prokurorin Gjergj Ceka gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit. Dhoma Kombëtare e Avokatisë e cilësoi arrestimin si shkelje flagrante të të drejtave të mbrojtësve ligjorë dhe shpalli bojkot të të gjitha çështjeve penale, përveç masave të sigurimit.

Bojkotit i është bashkuar edhe Dhoma e Avokatisë së Korçës. Kryetari Nevzat Tarelli deklaroi se ky është reagimi i vetëm i mundshëm përballë heshtjes së institucioneve dhe një mënyrë për të mbrojtur dinjitetin e profesionit të avokatit.

“Dhoma Vendore e Avokatisë Korçë, në zbatim të këtij vendimi, ka bojkotuar të gjitha seancat gjyqësore penale, përveç atyre që kanë të bëjnë me masat e sigurimit personal, pasi janë të kushtëzuara nga afatet dhe nuk cenohet një proces i rregullt gjyqësor. Është e vetmja mënyrë reagimi që u vlerësua e përshtatshme për shkak të heshtjes së institucioneve përgjegjëse në trajtimin e rastit,” thotë kryetari Tarelli.

Sipas avokatëve, edhe pse bojkotet do të krijojnë ngarkesë në gjykata, trupa e tyre do të vijojë protestën deri në marrjen e masave konkrete për rastin e kolegut të ndaluar në Elbasan.

/rtsh.al/